2012-01-24 16:29:36

Konferenca e shtypit për paraqitjen e Mesazhit të Papës për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore


Paraqitja e Mesazhit të Papës për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, siç e thamë, u bë sot paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, në përkim me festën e Shën Françeskut të Sales, Pajtor i gazetarëve. Foli kryetari i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, imzot Klaudio Maria Çeli, i cili para konferencës, në orën 9.30, kremtoi një meshë për të gjithë profesionistët e komunikimit, në kishën romake të Shën Marisë në Traspontinë.
Duke u nisur nga mesazhi i Papës, imzot Çeli reflektoi me gazetarët e pranishëm në konferencën për shtyp, mbi nevojën e kundrimit, që po përhapet gjithnjë e më shumë, siç tregojnë prenotimet e shumta në kuvende murgjërish e murgeshash. Pastaj, foli për nevojën e reflektimit të vërtetë edhe në botën e televizionit e madje, edhe në të ashtuquajturat “programe fetare”:
“Nganjëherë, kemi transmetime fetare që – pavarësisht nga respekti për përmbajtjen – janë mishmash, nga pikpamja artistike. Kur mendoj për ca filma, për ca njerëz… Me gjithë respektin që kam për ta, nganjëherë më bëjnë të buzëqesh. Kam gjetur disa problematika të vërteta fetare, më tepër në regjizorë, që, në vështrim të parë, konsideroheshin gati ateistë, se sa në të tjerë, që e shpallnin fenë e tyre në të katër anët”.
Heshtja, vazhdoi imzot Çeli, shërben për të reflektuar, për të menduar, për të vlerësuar, për ta gjykuar komunikimin. E, kujtoi përkufizimin e heshtjes të filozofit e teologut katolik francez, Zhan Giton:
“Ekziston heshtja si element parësor, mbi të cilin fjala rrëshqet e lëviz, si mjellma në ujë. Për ta dëgjuar si duhet fjalën, është e nevojshme të krijojmë më parë, brenda vetes, këtë liqen të qetë. Fjala lind nga heshtja e kthehet tek heshtja”.
Në fund të konferencës, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u njoftua se Këshilli Papnor për Komunikimet Shoqërore ka një faqe të re interneti dhe u bë bilanci i portalit vatikanas “news.va”. Deri tani, ai punon në 3 gjuhë: anglisht, spanjisht e italisht, por brenda vitit, ato do të bëhen 5, me shtimin e frëngjishtes e të portugalishtes. Ky portal ka nga 8 deri në 10 mijë kontakte në ditë, nga 180 vende, me kulme deri në 16 mijë. Shumica e tyre, përmes rrjeteve shoqërore si Facebook e Twitter:
“Ajo që më kënaq më shumë është se kush hyn në këtë faqe interneti, ndalet për një kohë mesatare prej dy minutash: kjo do të thotë se vizitori nuk është aty rastësisht, por ndalet, lexon e kupton lajmin”.
Duke theksuar rëndësinë e internetit e të rrjeteve shoqërore, imzot Çeli vuri në dukje rrezikun që ato të mbeten në sipërfaqen e gjërave, pa u thelluar në reflektim. Fjala e fundit për celularët: bien edhe në Kishë, ose mbi tryezën e darkës romantike të një çifti, duke dëshmuar se janë të shumta frontet, në të cilat duhet rizbuluar vlera e heshtjes e aftësia e dëgjimit dhe e kundrimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.