2012-01-24 14:57:16

Ambasadori kuban pranë Selisë së Shenjtë: vizita e Benediktit XVI do të jetë e paharrueshme.


Kuba e pret me padurim Benediktin XVI, që do të shkelë në trojet e vendit karaibik më 26 mars, për të vijuar këtë shtegtim vërtet të jashtëzakonshëm apostolik, deri më 28 të po këtij muaji. Duhet kujtuar se pikërisht në këto ditë përkujtohet edhe përvjetori i shtegtimit historik të Gjon Palit II në Ishull. Pikërisht 14 vjet më parë, më 23 janar 1998, Papa Vojtila, duke kryesuar Meshën Shenjte në Camaguey, i nxiste të rinjtë kubanë ta dëshmonin fenë e krishterë pa frikë, ta mbronin me guxim të vërtetën e ta kërkonin me fund lirinë. Por, si e kujton Kuba këtë ngjarje të madhe? Pyetëm ambasadorin kuban pranë Selisë së Shenjtë, Eduardo Delgado:
Përgjigje: - La visita fue realmente muy impactante …
Vizita e Gjon Palit II për popullin kuban ishte një ngjarje me ndikim të madh, e paharrueshme, që vijon të jehojë si rikthim i Krishtlindjes, si festë kombëtare, si hapje e përhershme e një porte, të mbyllur prej vitesh. E portës së dialogut me Kishën katolike kubane mbi një mori problemesh baritore. E kjo luajti një rol të dorës së parë në rilidhjen e marrëdhënieve të mira e në vijimin e tyre. Vlerësojmë dhe kujtojmë jo vetëm vizitën e tij, por edhe mësimet e papnisë së tij të gjatë.

Pyetje: - Sipas jush, ç’mund të pritet nga ky shtegtim? E, a ka vazhdimësi ndërmjet asaj, që ju sapo na e kujtuat, e vizitës së ardhshme të Benediktit XVI nga 26 deri më 28 marsin e ardhshëm, në Kubë?

Përgjigje: - Pienso que si, porque posteriormente no ha habido ...
Mendoj se po, sepse, ndërmjet tjerash, në këto vite nuk ka pasur ndryshime në marrëdhëniet dypalëshe. Përkundrazi. Në shumë aspekte, marrëdhëniet u thelluan, sepse në këtë thellim të çon vetë logjika e historisë. Ç’shpresojmë ne? Mbi të gjitha, kemi dëshirë të madhe që edhe kjo vizitë e Atit të Shenjtë, të jetë po aq pozitive e po aq e bukur, sa ajo e Paraardhësit të tij. E pastaj, urojmë që të lerë në zemrën e Atit të Shenjtë një kujtim të pashlyeshëm, ashtu si ndodhi edhe me Gjon Palin II.

Pyetje: - Flitet shumë edhe për amnistinë e qeverisë kubane, që do të thotë t’u hapësh dyert pothuajse 3 mijë të burgosurve. Thuhet edhe se ky duhet parë si gjest i vullnetit të mirë, pikërisht në perspektivë të vizitës së Papës. Ç’mund të na thoni për këtë temë, kaq të rëndësishme?

Përgjigje: - Primero hay que situar este indulto ...
Së pari, mund të them se është folur shumë për këtë amnisti, me karakter të dyfishtë: është një gjest njëkohësisht sovran e humanitar. Së dyti, duhet kujtuar se amnistitë në Kubë janë praktikë normale. Shpallen mesatarisht një herë në vit. Në të kaluarën ka përfituar nga amnistia, një numër edhe më i madh se ky, për të cilin po flasim. Nuk është, prandaj, asgjë e jashtëzakonshme. E, së treti, amnistitë, e kjo e fundit në mënyrë të veçantë, janë përgjigje që u jepet situatave të veçanta humanitare, të cilat kanë të bëjnë, për shembull, me të burgosur të moshuar ose të sëmurë rëndë, me të rinj, që kanë përmirësuar ndjeshëm sjelljet e tyre shoqërore, duke mësuar e duke punuar; me të burgosur të tjerë, që janë penduar dukshëm ose që e kanë kryer pjesën më të madhe të dënimit… Lirimet janë edhe përgjigje ndaj kërkesave të familjarëve dhe të kishave, Kishës katolike dhe Këshillit të Kishave. E pastaj jemi në prag të vizitës së Papës, e prandaj është edhe gjest, që shpreh vullnetin e mirë me karakter humanitar.

Pyetje: - Me vizitën e Papës, pas pak javësh, Kuba, së bashku me Meksikën, SHBA e Kolumbinë, hyn në listën e shteteve amerikane të vizituara nga dy papë. Si e pritët ju këtë lajm?

Përgjigje: - Creo que puedo resumir del pueblo cubano, del Governo ...
Besoj se po përmbledh ndjenjat e popullit kuban, të qeverisë e ato personale, kur shprehem për këtë ngjarje kaq të madhe: mbi të gjitha, është nder i jashtëzakonshëm të vizitohesh nga dy papë, nga Gjon Pali II e nga Papa i sotëm, Shenjtëria e Tij Benedikti XVI. Shtoj edhe se Papa do të pritet me shumë respekt, me shumë dashuri. Ne të gjithë do të bëjmë ç’është e mundur që kjo vizitë të lërë një gjurmë të paharrueshme, ashtu si ajo e Gjon Palit II.

Pyetje: - E si mund ta tregojmë emocionin e popullit kuban, posaçërisht, atë të njerëzve të thjeshtë, të punëtorëve, studentëve, grave, pleqve, të rinjve?

Përgjigje: - Pienso que en cualquiera circunstancia la visita del Papa …
Në çfarëdo rrethane, sipas meje, vizita e Papës pritet me simpati të madhe e me shpresa të mëdha; me manifestime dashurie e respekti. Kjo vizitë përkon edhe me përfundimin e shtegtimit kombëtar të Zojës së Dashurisë së Krishterë të Kobres, figura e së cilës, duke nisur që nga viti 2010, përshkoi gjithë Ishullin. Ishte shtegtim që jo vetëm arriti në vende gjeografikisht të veçanta, si qytetet e mëdha e të vogla, por u ndalua edhe në mjedise shoqërore me rëndësi: Zoja nuk vizitoi vetëm kishat, por edhe shkollat, qendrat kulturore, entet artistike e edhe burgjet. Shtegtimi i Pajtores së Ishullit krijoi një atmosferë të veçantë, ngjalli dëshira të reja e shpresa të reja, në pritje të ardhjes së Papës. Nuk kam kurrfarë dyshimi se meshët, që do të kryesojë Ati i Shenjtë, do të ndiqen me një pjesëmarrje masive nga gjithë kubanët. E dinë të gjithë se populli kuban është mikpritës, solidar.

Pyteje: - Sipas Kushtetutës, Shteti kuban është laik dhe, që prej shumë vitesh, më se 70, ka marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë. Në këtë këndvështrim, si mund ta kuptojmë vizitën e Papës?

Përgjigje: - Es un hecho cierto, come Ud. señala que el nuestro es un ..
Është fakt, siç vërejtët edhe ju, se vendi ynë është laik. Të gjitha kishat e pranishme në Kubë, mund ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre brenda një kornize të mirëpërcaktuar. Por unë besoj që duhet theksuar se doktrina e krishterë është pjesë e pandarë e kulturës dhe e mënyrës së të menduarit të popullit kuban.

Pyetje: - Në se kujtojmë fjalët e Papës për Kubën, thënë me raste të ndryshme, të krijohet përshtypja se Benedikti XVI e njeh mirë vendin, njeh problemet e vështirësitë, sfidat e përparësitë. Është kështu, sipas jush?

Përgjigje: - Exactamente asì. Creo que el Papa està en conocimiento ...
Pikërisht kështu. Papa e njeh mirë vendin tonë e dhe autoritetet më të larta të Vatikanit e njohin po aq mirë realitetin tonë. Prej këndej, marrëdhëniet tona diplomatike vijojnë me frymën e dashurisë e të respektit. Na ndodh shpesh ta ndjejmë këtë dashuri për vendin tonë, e edhe më shpesh ta shikojmë qartë se Selia Apostolike e njeh Kubën, ashtu siç është.

Pyetje: - Një pyetje paksa e veçantë: ç’pret Kuba nga kjo vizitë. Ç’dëshiron e pse?

Përgjigje: - En primer lugar las relaciones de la Santa Sede con Cuba son ..Në radhë të parë, duhet thënë se marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kubës janë të mira. Vijojnë që prej 76 vjetësh. Në planin ndërkombëtar, Selia e Shenjtë ka mbajtur gjithnjë qëndrim kundër bllokut, që e godet Kubën prej shumë vitesh e edhe kundër kufizimeve, që rëndojnë mbi popullin tonë e që e pengojnë në ndërtimin e ardhmërisë. Selia e Shenjtë na ka shprehur disa herë edhe afërsinë e solidaritetin, si shpirtëror, ashtu edhe material, në raste fatkeqësish natyrore, duke e ngushëlluar shumë popullin kuban. Prandaj populli ynë pret ta takojë Papën, duke e parë vizitën si ngjarje shumë të rëndësishme: dëshiron t’i rrijë pranë, ta dëgjojë, të marrë bekimin e tij. Fjala e Papës ndikon shumë pozitivisht mbi njerëzit e edhe mbi zhvillimin e shoqërisë. Kështu ishte kur na vizitoi Gjon Pali II, e kështu do të jetë edhe tani, që vjen mes nesh Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.