2012-01-23 17:44:32

Te rrënjët e bashkimit. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa foli për javën e lutjes së bashkimit të të krishterëve që përfundon të mërkurën


Gjatë Engjëllit të Tënzot, në Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, Benedikti XVI dje i nxiti besimtarët ta forcojnë çdo ditë impenjimin e tyre ekumenik. Duke iu drejtuar shtegtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa nënvizoi se besimi në Krishtin i ndihmon të krishterët të kërkojnë unitetin e plotë ndërmjet tyre. E, duke pasur parasysh periudhën e vështirë të krizës së thellë ekonomiko-shoqërore, u uroi paqe e drejtësi popujve të Lindjes së Largët, të cilët këto ditë kremtojnë vitin e ri hënor.
“Ta njohësh e ta pranosh forcën shndërruese të besimit në Jezu Krishtin, do të thotë të kuptosh se ky besim i ndihmon të krishterët në kërkimin e bashkimit të plotë ndërmjet tyre” - këtë nënvizoi Papa në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, të cilën ia kushtoi plotësisht rëndësisë së impenjimit ekumenik. Duke kujtuar se tema e Ditës sivjet u propozua nga një grup ekumenik polak, Ati i Shenjtë vuri theksin mbi forcën e fesë, që e frymëzoi gjithnjë Poloninë në luftërat e paprera, guximtare, përballë kundërshtarëve nga më të ndryshmit:
“Gjatë shekujsh, të krishterët polakë e ndjenë thellë në shpirt lidhjen e ngushtë të përmasës shpirtërore me etjen e tyre për liri, duke e kuptuar se fitorja e vërtetë mund të arrihet, vetëm në se shoqërohet me një shndërrim të thellë shpirtëror”.
Kështu polakët, vërejti Papa, na kujtojnë se ne mund të arrijmë me të vërtetë në cakun e bashkimit të plotë, vetëm në se e lëmë Zotin të veprojë. Uniteti i dukshëm i gjithë të krishterëve, shtoi, është përherë vepër, që vjen nga lart, nga Zoti. Është vepër, që kërkon përvujtëri, kërkon njohjen e ligështive tona e pranimin e dhuratës së Zotit:
“Por, në se përdorim një shprehje, që e përsëriste shpesh i Lumi Papa Gjon Pali II, çdo dhuratë bëhet vetvetiu edhe impenjim. Prandaj duhet kujtuar se uniteti, që vjen nga Zoti, kërkon edhe impenjimin tonë të përditshëm, kërkon t’ia hapim zemrat njëri-tjetrit, me dashuri të krishterë”.
Prej dhjetra vitesh, kujtoi në vijim Papa, Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve vihet në qendër të vëmendjes në veprimtarinë ekumenike të Kishës:
“Koha, që i kushtojmë lutjes për bashkimin e plotë të dishepujve të Krishtit, do të na ndihmojë ta kuptojmë më thellë si u shndërruam nga fitorja e Tij, nga forca e ngjalljes së Tij”.
Më pas Benedikti XVI i ftoi besimtarët të mblidhen me shumicë të mërkurën e ardhshme në Bazilikën Romake të Shën Palit jashtë Mureve ku, me kremtimin solemn të Lutjeve mbrëmësore të Festës së Kthimit të Apostullit të Popujve, do të përfundojë edhe Java e Lutjes për Bashkimin e të krishterëve.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke përshëndetur shtegtarët, Papa uroi posaçërisht vendet e Lindjes së Largët, që këto ditë kremtojnë Vitin e ri hënor:Në situatën e sotme botërore të krizës ekonomiko-shoqërore u drejtoj gjithë këtyre popujve urimin që viti i ri të jetë konkretisht vit i drejtësisë e i paqes, t’i sjellë ngushëllim atij që vuan e t’i nxisë të rinjtë që, me entuziazmin dhe me idealet e moshës, t’i japin shpresë të re botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.