2012-01-23 15:41:21

Myslimanët e Nigerisë luten për vëllezërit e krishterë, në shënjestrën e terrorizmit


Emiri i Kanos, megjithëse vetëm për një minut, kryesoi sot një lutje, gjatë së cilës myslimanët i kërkuan Zotit t’i ndihmojë për t’u dhënë fund sulmeve të organizatës ekstremiste islamike “Boko Haram” në veri të Nigerisë. Të premten, pikërisht në këtë qytet, u vranë mëse 150 vetë, në një sërë sulmesh të koordinuara. Sot, ndodhej në vend, presidenti katolik i Nigerisë, Xhonatan Gudlak, i cili njoftoi se janë arrestuar disa nga anëtarët e grupit. “Boko Haram” në gjuhën vendase do të thotë “Edukimi perëndimor është sakrilegj”. Grupi ka lindur në Nigeri, por është përhapur edhe në Kamerun, Niger e Çad. Anëtarët e tij stërviten në Pakistan, në Magrebin algjerian e në Somali. Me dy fytyra – njëra e moderuar, e gatshme për dialog me qeverinë, dhe tjetra integraliste e tipit të Al Kaedës – organizata ka sulmuar shpesh të krishterët, me qëllim vendosjen e ligjit të Sharisë kudo në Nigeri, vend i ndarë më dysh: jugu, i krishterë e veriu, mysliman. Preferohen sulmet kundër të krishterëve e vendeve të tyre të kultit, pasi ato bëjnë më shumë bujë në botën perëndimore. Atentatet e javës së kaluar janë dënuar haptas dhe ashpër nga sekretari i OKB-së, Ban Ki-Mun e nga kryetarja e diplomacisë evropiane, Kathrinë Eshton. Por është e rëndësishme të theksohet se nuk ka luftë ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, siç nënvizon në mikrofonin tonë, Nunci Apostolik në Nigeri, imzot Augustine Kasujja:
Nuk është luftë ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Ky grup po e nxit, se kështu, i bën reklamë vetes. Por, për popullin nigerian, myslimanët e të krishterët nuk janë në luftë. Përkundrazi! Kohët e fundit, në veri, në Sokoto, që është shtet mysliman, të dielave, grupe myslimanësh e të krishterësh mbrojnë kishat, në mënyrë që dhuna të mos hyjë në këto vende kulti. Njëlloj edhe në afërsi të Abuzhës, grupe myslimanësh e të krishterësh mbrojnë xhaminë. Nëse ka paqe e mirëkuptim, edhe vendi zhvillohet. Kryeipeshkvi i Abuzhës i ka kërkuar gjithnjë popullit t’i drejtohet Zotit me një lutje të lashtë për pajtimin. Quhet “Prayer for Nigeria in Distress” (Lutje për Nigerinë në rrezik).







All the contents on this site are copyrighted ©.