2012-01-23 15:41:34

Kardinali Kanjizares: veprimi i Zotit në kremtimet e Udhëzuesit të Ecjes Neokatekumenale për hyrjen në krishterim


Të premten e kaluar, gjatë audiencës së Papës Benedikti XVI me 7000 anëtarë të Lëvizjes, apo Ecjes Neokatekumenale, u njoftua miratimi i Selisë së Shenjtë për kremtimet liturgjike të parashikuara në Udhëzuesin Katekistik të neokatekumenalëve, pavarësisht se nuk bëjnë pjesë në Librat Liturgjikë të Kishës Katolike. Përfundon kështu rruga për njohjen e kësaj përvoje kishtare për hyrjen në bashkësinë e krishterë, lindur në Spanjë, në vitet ’60, me themelues Kiko Arguello e Carmen Hernandez. Statutet e lëvizjes janë njohur nga Kisha që në vitin 2008. Por, ç’përfaqëson Dekreti i miratuar të premten? Pyetëm Prefektin e Kongregatës për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve, kardinalin Antonio Kanjizares:
Miratimi i këtij Dekreti mbi kremtimet liturgjike të Ecjes Neokatekumenale, që përmbahen në Udhëzuesin katekistik, është për të gjithë Kishën njohja e hyrjes në krishterim si diçka që realizohet në bashkimin ndërmjet Fjalës së Zotit e kremtimeve: është Fjala e Hyjit, është veprimi i Zotit, është Zoti që na flet e në kremtime, Zoti njihet, Zoti vepron. Këto kremtime shënojnë etapa të ndryshme të Ecjes Neokatekumenale, që janë edhe rruga e çdo hyrjeje në krishterim. Edhe në katekumenatin e lashtë, etapat e ndryshme dalloheshin nga kremtime të veçanta për çdo çast të kësaj rruge. Sot bëjmë të njëjtën gjë, prandaj ato nuk janë artificiale, nuk janë metodologji të shpikura nga njerëzit, por përkojnë me rrugën e kthimit të zemrave kah Hyji, me rrugën e fesë e të integrimit të plotë në jetën e krishterë.
Ç’mendoni për marrëdhëniet ndërmjet katekizmit dhe liturgjisë në lëvizjen neokatekumenale?
Mendoj se marrëdhëniet janë shembullore. Zoti ka përparësi: Hyji vepron e njeriu përgjigjet. Njeriu ecën në një rrugë, që duhet të ndriçohet nga Fjala e Zotit, dhe duhet ta përjetojë veprimin e Hyjit e ta pranojë atë. Në Ecjen Neokatekumenale, kjo është shumë e qartë dhe i përgjigjet katërcipërisht hyrjes në krishterim, siç nënvizohet në Dekretin e së premtes. Njeriu është i prirur të besojë se gjithçka është fryt i veprimit të tij, sikur të kishim të bënim thjesht me integrimin në shoqëri… Jo: është Kisha Nënë, që lind fëmijë të rinj. E si lindin fëmijët në gjirin e Kishës Nënë? Përmes Fjalës së Zotit e kremtimeve.
Flitet shpesh për liturgjinë dhe për njeriun, që merr pjesë në të, menduar si individ. Secili shkon në Meshë për vete. Ndërkaq, në Ecjen Neokatekumenale, është bashkësia e krishterë, ajo që merr pjesë në liturgji. Ç’rëndësi ka kjo?
Kur thashë se është Kisha nënë, kraharori i saj, që lind të krishterë të rinj, pata ndërmend bashkësinë e krishterë, që është Kisha, e kryesuar nga shën Pjetri. Si mund të hysh në krishterim nëse nuk jeton në kraharorin amnor të Kishës, të bashkësisë? Si mund ta përjetosh çka Zoti ia ka dhuruar njeriut jo për vetveten, për inidividin, por për ta jetuar në një realitet të ri, që është ai i bijve të rinj, i njerëzve të rinj të shndërruar nga Hiri i Tënzot? Kjo është jeta në Ecjen Neokatekumenale. Përgatitja për t’u bërë të krishterë është përgatitje për gjithë Kishën, është hyrje në fe, në jetën morale, në liturgji, në lutje… kjo është Kisha. Gjatë përgatitjes, vetë Kisha ia dhuron vetveten katekumenëve, prandaj bashkësia kishtare është e domosdoshme në realizimin e kësaj përgatitjeje.
Sipas jush, ç’marrëdhënie ekzistojnë ndërmjet liturgjisë dhe ungjillëzimit të ri, meqë po i afrohemi Sinodit me këtë temë?
Ungjillëzimi i ri nuk është i mundur pa liturgjinë e pa Eukaristinë, e cila është qendra dhe kulmi i krejt liturgjisë. Eukaristia është edhe qendër e kulm i ungjillëzimit e pra, edhe i ungjillëzimit të ri. Nuk mund ta konceptojmë ungjillëzimin e ri si vepër propagande, si vepër e një shoqërie fetare për të përhapur parimet e saj. Ky është gabim i rëndë. Ungjillëzimi i ri është vepër e Zotit, që i flet njeriut dhe i jep hirin e dhuratën e kthimit të zemrës dhe të fesë. Ungjillëzimi i ri nuk është i mundur pa liturgjinë, pa veprimin e Zotit, që realizohet gjatë liturgjisë, pa nënvizuar përparësinë e Hyjit. E përparësia e Hyjit është liturgjia, është Zoti që vepron, që merr iniciativën, është Zoti që shëlbon, që bën të lindë krijesa e re, njeriu i ri. Prandaj, duhet të ngulim këmbë gjithmonë mbi faktin se ungjillëzimi i ri pa liturgjinë nuk ka të ardhme.







All the contents on this site are copyrighted ©.