2012-01-23 18:09:20

Do të përfundojnë, në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë mureve, kremtimet liturgjike të Kohës së Krishtlindjes.


E ndoqëm Atin e Shenjtë më se një muaj me radhë në kremtimet e Kohës së Krishtlindjes, që nisën me Kohën e Ardhjes, vijuan me kremtimet e mëdha të Natës së Kërshndellave; Mesazhin dhe Bekimin ‘Urbi et Orbi’; Lutjet e para Mbrëmësore të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Mari, Nënës së Zotit dhe ‘Te Deum’, lutja e falënderimit drejtuar Hyjit në fund të vitit civil, më 31 dhjetor. Përfundoi kështu edhe një vit me Papën.
Më 1 janar 2012, pastaj, e ndoqëm Benediktin XVI në Meshën Shenjte të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Nënës së Zotit, e edhe në mesazhin papnor për Ditën e 45-të Botërore të Paqes 2012. Është një ditë, ndikimi i së cilës, sipas dëshirës së Papës, duhet të zgjasë tërë vitin, e prandaj Ati i Shenjtë vijon t’i ftojë të gjithë ta lexojnë mesazhin e të thellohen në kuptimin e fjalëve, që përbëjnë titullin e tij: “Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes”.
Benedikti XVI vijoi të kryesojë kremtimet e Solemnitetit të Dëftimit të Zotit e të Pagëzimit të Zotit. Deri tek takimi i fundit, të mërkurën, më 25 janar, në orën 17.30, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit. Benedikti XVI do të përfundojë Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, duke kryesuar Lutjet Mbrëmësore në Bazilikën romake të Apostullit të Popujve jashtë Mureve.







All the contents on this site are copyrighted ©.