2012-01-23 17:44:54

Alarm i kardinalit Puljiç: në Bosnjë-Hercegovinë rritet fondamentalizmi islamik


Autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës nuk reagojnë ndaj rritjes së radikalizmit islamik. Alarmin e jep ipeshkvi më i rëndësishëm katolik i vendit, kardinali Vinko Puljiç, kryeipeshkëv i Sarajevës. Gjatë vizitës në selinë e organizatës “Ndihmë për Kishën që vuan” në Gjermani, prelati denoncoi se islamizimi i Bosnjë-Hercegovinës financohet nga integralistët e Lindjes së Mesme. “Qendra islamike dhe xhami janë ndërtuar me dollarët e naftës së Arabisë Saudite”, nënvizon kardinali në një intervistë në Kënigshtajn, ku ndodhet selia e organizatës “Ndihmë për Kishën që vuan”. Sipas tij, vahabizmi, ideologjia bazë e terrorizmit të Al Kaedës, po e rrit ndikimin e vet në shoqëri. Deri tani, në Bosnjë numërohen 3000-5000 vahabitë. “Askush në qeveri nuk ka guxim të bëjë diçka për ta ndaluar këtë fenomen”, denoncon kryeipeshkvi i Sarajevës.
Sipas një raporti të organizatës, me titull “Të persekutuar e të harruar?” mbi shtypjen e të krishterëve, mëse 100 mijë të rinj myslimanë boshnjakë janë njohur e kanë pasur kontakte me Islamin vahabit, përmes shoqatave të ndryshme. “Gjatë viteve të fundit – vazhdon prelati – vetëm në Sarajevë janë ndërtuar 70 xhami të reja”. Arabia Saudite ka financuar ndërtimin e xhamisë Husrev Begova në Sarajevë, duke eliminuar edhe mozaikët e brendshëm, siç kërkon tradita vahabite. Një xhami tjetër, ajo e “Mbretit Fahd”, vendi më i madh i kultit islamik në Bosnjë, përshkruhet në raport si “magnet” për tërheqjen e fondamentalistëve.
Ndërkaq, vazhdon analizën e tij të pamëshirshme kardinali Puljiç, për ndërtimin e kishave nevojiten vite e vite vetëm për lejen, ndërsa pasuritë e Kishës, të sekuestruara gjatë komunizmit, akoma nuk i janë kthyer pronarit të ligjshëm. Qeveria u ka kthyer myslimanëve shumicën e pronave të tyre. Kryeipeshkvi kërkon barazi në trajtimin e myslimanëve e të katolikëve në punë, në arsim e në sektorë të tjerë të jetës. Pavarësisht nga këto probleme, kardinali sqaron se Kisha Katolike po kërkon bashkëpunim më të madh ndërmjet grupeve të ndryshme etnike e fetare. Në kuadrin e këtij programi, katolikë, myslimanë e ortodoksë serbë punojnë së bashku për nxitjen e tolerancës, të respektit e të paqes. Në Bosnjë-Hercegovinë, myslimanët përbëjnë 40% të popullsisë, ortodoksët serbë 31% dhe katolikët 10%. Nga 820 mijë katolikët, që jetonin në Bosnjë para luftës, kanë mbetur 460 mijë dhe emigracioni i tyre vazhdon.







All the contents on this site are copyrighted ©.