2012-01-22 17:42:05

Papa: bashkimi i të krishterëve nis në ndryshimin e çdonjërit


Sot gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, Papa nxiti besimtarët dhe të krishterët të përforcojnë çdo ditë angazhimin e tyre personal ekumenik.
“Kërkimi i bashkimit ndërmjet të krishterëve mund të çohet përpara konkretisht e realisht nëse ndryshimi ndodhë së pari brenda nesh”. Kështu pohoi Papa Benedikti XVI në fjalimin e shkurt që paraprini lutjen e Engjëllit të Tënzot sot në mes ditë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ati i Shenjtë Ratcinger kujtoi se në mbarë botë është duke u kremtuar Java e Lutjes për Bashkimin e të krishterëve me temën “Të gjithë do të shndërrohemi nga fitorja e Jezu Krishtit, Zoti tonë”. Për Benediktin XVI bashkimi i të krishterëve bëhet i mundshëm “nëse lejojmë veprimin e Zotit, nëse lejojmë të shndërrohemi në shëmbëllimin e Krishtit, nëse hyjmë në jetën e re në Krishtin, ai që është fitorja e vërtet”. “Bashkimi i dukshëm i të gjithë të krishterëve – shpjegoi Papa – gjithmonë është vepër që vjen nga lartë, vjen nga Zoti, vepër që kërkon përvujtëri për të pranuar dobësinë tonë e për të pranuar dhuratën”, që na ofron Hyji. Lidhur me këtë, Papa deshi të përdorte “një shprehje që përsëriste shpesh i Lumi Gjon Pali II: ‘çdo dhuratë bëhet edhe angazhim’. Bashkimi që vjenn nga Zoti – theksoi Papa Jozef Ratcinger – kërkon angazhimin tonë të përditshëm të hapjes njëri ndaj tjetrit në dashuri e dashamirësi”. “Koha që ia kushtojmë lutjes për bashkimin e plotë të dishepujve të Krishtit na mundëson ta kuptojmë më thellë se si do të shndërrohemi nga fitorja e tij, nga fuqia e ngjalljes së tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.