2012-01-22 18:02:07

Benedikti XVI i fton besimtarët në lutjen ekumenike në Bazilikën e Shën Palit në Romë


“Njohja dhe pranimi i forcës shndërruese të fesë në Jezu Krishtin i mbështet të krishterët edhe në kërkimin e bashkimit të plot ndërmjet tyre”. Kështu tha mes tjerash Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke kujtuar se “dita e sotme bie pikërisht në mesin e Javës së uratës për bashkimin e të krishterëve, që kremtohet nga 18 deri më 25 janar”.
“Sivjet, në mënyrë të veçantë, meditimi jonë gjatë Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve i referohet një fragmenti nga Letra e Parë e shën Palit drejtuar Korintianëve, nga e cila është formuluar motoja: ‘Të gjithë do të shndërrohemi nga fitorja e Jezu Krishtit, Zoti tonë (krh 1 Kor 15,51-58)’. Jemi të ftuar të kundrojmë fitoren e Krishtit mbi mëkat e mbi vdekje – nënvizoi Papa – çka do të thotë ngjalljen e tij, si një ngjarje që transformon rrënjësisht ata që besojnë në Të e atyre u hap udhën e një jete që nuk prishet e cila është e pavdekshme”.
Afër 40 mijë besimtarët e pranishëm sot në Vatikan për lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI i ftoi duke thënë: “të mërkurën e ardhshme siç është traditë, do të mbyllim Javën e lutjes me kremtimin solemn të Mbrëmësores së Festës së Kthimit të Shën Palit, në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, në Romë, në të cilën do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e Kishave dhe Bashkësive tjera të krishtera”. “Ju presë të merrni pjesë me një numër sa më të madh – shtoi Papa – në atë takim liturgjik për të përtëri së bashku lutjen tonë drejtuar Zotit, që është burim i bashkimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.