Atë F. Lombardi: Lidhja mes ungjillëzimit të ri e bashkimit të gjithë të krishterëve
Ç’lidhje ka ungjillëzimi i ri me bashkimin e gjithë të krishterëve? Në fillim të Javës
së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, me temë: “Të gjithë do të shndërrohemi
nga fitorja e Jezu Krishtit, Zoti tonë”, edhe Papa Benedikti XVI reflektoi për
këtë, gjatë audiencës së përgjithshme të ditës së mërkurë. Zëdhënësi i Vatikanit,
atë Federiko Lombardi, ia kushton komentin e tij javor pikërisht kësaj çështjeje.
Ta dëgjojmë: “Ungjillëzimi i ri mund të japë fryte nëse të gjithë të krishterët
e shpallin së bashku të vërtetën e Ungjillit të Jezu Krishtit dhe nëse i japin përgjigje
të përbashkët etjes së kohëve tona”: kështu tha Papa gjatë audiencës së përgjithshme
të 18 janarit, në fillim të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Edhe
një herë, është e qartë se impenjimi ekumenik është thelbësor dhe i brendshëm për
misionin e Kishës në botën e sotme dhe për drejtimet kryesore të papnisë. Tema e “ungjillëzimit
të ri”, që na shoqëron drejt Sinodit të Ipeshkvijve të vjeshtës së ardhshme është
në vetvete ekumenike, dhe “Viti i Fesë”, shpallur nga Papa, do të ketë një përmasë
ekumenike edhe në nivelin universal, nënvizuar nga kremtime të veçanta, siç shpjegon
Nota e fundit e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, duke kujtuar se “bashkimi i gjithë
të krishterëve është një nga synimet kryesore të Koncilit II të Vatikanit”, 50-vjetorin
e të cilit e festojmë sivjet. Etja shpirtërore e kohës sonë kërkon një
përgjigje të përbashkët, të besueshme e të frytshme, pavarësisht nga vështirësitë.
Duke i folur delegacionit finlandez, Papa vërejti se “aktualisht, çështjet etike janë
kthyer në pika divergjence ndërmjet të krishterëve”, por “marrëveshja e thellë ndërmjet
tyre mbi çështjet antropologjike mund ta ndihmojë shoqërinë dhe politikanët të marrin
vendime të urta e të drejta, përsa u përket temave të rëndësishme të sferës së jetës
njerëzore, të familjes e të seksualitetit”. Me një fjalë, unitet për bashkimin në
fe, unitet për shërbimin e njerëzimit në udhë”.