Në përkujtimin liturgjik të shën Anjezes, Papa bekon dy qengja.
Si çdo vit, në festën e Shën Anjezes, sipas një tradite të lashtë, Papa bekoi dy qengja,
që iu paraqitën në dy shporta të veshura me kadife të verdhë, stolisur me lule të
bardha, ngjyrat e Vatikanit. Leshi i tyre do të përdoret për endjen e paliove të shenjta,
të cilat, si të jenë bekuar nga Papa, vendosen më pas në një arkë të vogël prej argjendi
të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit e, që aty, më 29 qershor, mbi shpatullat e
kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, gjë që shpreh lidhjen e ngushtë të ipeshkvijve
me Selinë e Shën Pjetrit. Shumë e pasur është simbolika e palios, një fashë leshi
e bardhë, e gjërë 4-6 centimetra, mbi të cilën spikasin pesë kryqe të qëndisura me
mëndafsh të zi, simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla
duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë e në shpatullën e majtë me tri karfica të
stolisura me gurë, që njihen me emrin aciculae. Palio, që simbolizon delen e
humbur, të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, është
shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që Papa u ngarkon ipeshkvijve metropolitë.
Tre muaj pas shugurimit ose emërimit, ipeshkvi metropolit duhet të marrë nga Papa
palion. Kjo traditë nisi që nga gjysma e shekullit IX. Dorëzimi i palios bëhet
në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në selinë metropolitane, nga
ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e pasi kryeipeshkvi metropolit
ka bërë betimin për besnikëri. Metropoliti e vë palion vetëm në meshët pontifikale
të kishës së tij ose të krahinës së tij në ditët e përcaktuara nga Pontifikali Romak,
në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga papa Leoni XIII, në rastet
e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj. Ka karakter personal e nuk mund t’i
dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Në se kryeipeshkvi transferohet në një seli tjetër
metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm Papa ka të drejtë ta mbajë
gjatë meshëve solemne e kudo. Për herë të parë palio nisi të përdorej aty nga
gjysma e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit, në një procesion
me relike, e edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Masimiani, në mozaikun e Shën Vitales
të Ravenës (Itali), realizuar aty nga gjysma e shekullit VI.