2012-01-21 09:40:46

Bukuria, udhë e ungjillëzimit.


“Në udhën e bukurisë, për ungjillëzimin e ri”: kjo ishte tema e një kuvëndimi, që u zhvillua këto ditë pranë Universitetit Lateranens të Romës. Është fjala për një nga takimet, që bëjnë pjesë në projektin “Një portë e hapur drejt pafundësisë”, organizuar nga zyra e komunikimeve shoqërore të dioqezit të Romës, në bashkëpunim me Këshillin Papnor të Kulturës.Pikënisje e kuvëndimit ishin fjalët e Papës, nënvizuar gjatë takimit dioqezan, qershorin e kaluar. Duke kujtuar pasurinë e pafundme të historisë e të artit të Romës, Benedikti XVI i ftoi të gjithë të ecin në udhën e bukurisë, që të çon tek Ai, i cili, sipas Shën Agostinit, është Bukuria tejet e lashtë, e gjithnjë e re. “Ungjillëzim e bukuri”: dy fjalë që lidhen ngushtë njëra me tjetrën, që mund të shikohen në këndvështrime nga më të ndryshmet, duke nisur nga ai teologjik. Mbi këtë aspekt flet imzot Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e ungjillëzimit të ri:
“Bukuria është udha më e përshtatshme për ugjillëzimin. Nuk duhet harruar se krishterimi, që në zanafillë, eci krah për krah me artin në një udhë, që i krijoi kushte për t’u treguar njerëzve bukurinë e Misterit. Krishterimi paraqet misterin e një Zoti, që bëhet njeri e, përmes shprehjeve të ndryshme të artit, vijon t’ia tregojë këtë mister njeriut të të gjitha kohëve. Ia tregon përmes katedraleve e kishave, i flet me gjuhën e poezisë, të prozës e të dramës, me tingujt e muzikës e me artin e liturgjisë. Të shumta janë shprehjet artistike, që të gjitha shtigje e udhë për kumtimin e ri të Ungjillit”.
Imzot Fizikela kujton edhe mirënjohjen e Kishës ndaj artistëve, që krijuan bukuri të pavdekshme e, njëkohësisht, bën thirrje të gjinden fjalë, ngjyra e tinguj të rinj, për të vijuar kumtin e madh, atë të Misterit tejet të lashtë, e gjithnjë të ri, të Krishtit. E kjo sfidë ka të bëjë sidomos me edukimin e të rinjve për ta kuptuar e për ta shijuar bukurinë e vërtetë:
“Besoj se duhet t’i ushqejmë breznitë e reja me dëshirën për ta dalluar bukurinë e vërtetë, kur takohen me shprehje të ndryshme të artit. Një edukim i tillë vlen edhe për të krijuar shije të holla, për ta ndjerë e për ta kuptuar bukurinë, në gjithë vezullimet e saj, pa u kufizuar në shprehjet e kulturës bashkëkohore, e cila gjithnjë më shpesh krijon vepra kalimtare, të bujshme sot, nesër krejtësisht të harruara. Sepse ka bukuri të vërtetë, e pseudobukuri kalimtare. E ne kemi nevojë ta shprehim sa më mirë vazhdimësinë e bukurisë”.
Për pseudobukurinë kalimtare e bukurinë e vërtetë flet, në mikrofonin tonë, edhe arkitekti Paolo Portogezi, i cili i fton artistët, por edhe, e sidomos, dashuronjësit e bukurisë, të mos joshen nga një art, që vihet vetëm në shërbim të tregut:
Roma është një qytet, që mund ta quajmë pa frikë “Himn feje”. Këtë mbresë u lë menjëherë të gjithë atyre, të cilët vijnë nga jashtë e takohen për herë të parë me një bukuri, që u bën ballë shekujve e shijeve të kohëve. Këtu turizmi kthehet sakaq në shtegtim, sepse art e fe shkrihen e trondisin deri në thellësi zemrat e njerëzve, gjithnjë të etura për bukuri. Në Romë bukuria takohet në çdo hap, në të gjitha shprehjet e saj artistike. Takohemi me bukurinë e gjithësisë e me bukurinë më të përkryer, atë të Krishtit. E pikërisht për këtë e ka fjalën Dostojevski, kur shqipton shprehjen e famshme: “Bukuria do ta shpëtojë botën”. Kështu mund të sodisim bukurinë, që hyn në thellësi të shpirtit, sepse bukuria është jashtë nesh, por edhe brenda nesh. Prej këndej, ftesa që, pasi ta kemi soditur syhapur bukurinë e krijuar nga artistët e mëdhej, t’i mbyllim sytë e të shikojmë në thellësitë e shpirtit tonë, për të gjetur atë bukuri, e cila ka rëndësi të dorës së parë edhe për ritakimin tonë me Ungjillin. Kjo, në gjuhën e sotme, quhet ungjillëzim i ri”.
Teologjia, arti, e, në fund, komunikimi. Udhë e re, ndër më të rëndësishmet, për ungjillëzimin e ri. Ku sigurisht bukuria duhet të jetë gjithnjë e pranishme. Po si mund të ungjillëzohet, duke ecur në udhën e mjeteve të sotme të komunikimit, udhë tejet e ndërlikuar dhe e ngarkuar me mesazhe të të gjitha natyrave? Të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, Marko Tarkuinin, drejtor i gazetës italiane “L’Avvenire’:
“Duke folur për bukurinë, kemi një detyrë: t’i ndihmojmë njerëzit ta kuptojnë cila është bukuria e vërtetë. Benedikti XVI, kur ishte ende Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, pati thënë se sot truku i madh i gënjeshtrës është të paraqitet si bukuri mashtruese, që të josh, të pushton. Besoj se ne, si gazetarë, kemi mundësi ta ngremë në këmbë vetë idenë e bukurisë e edhe ta mësojmë të ecë me këmbët e veta. Më konkretisht, kjo do të thotë t’i ndihmojmë njerëzit ta kuptojnë se titujt dhe lajmet, banorë të faqeve tona, nuk janë ata, që të kujtojnë bukurinë e parave, të fytyrave apo të historive, ashtu si u pëlqejnë tezgave të artit e të komunikimit. Është krejt tjetër humanizmi, që duhet të përcjellim me artin tonë, duke i hapur udhën historisë, e edhe kronikës, që është përkrah bukurisë së vërtetë, në jetë e në art".







All the contents on this site are copyrighted ©.