2012-01-20 18:04:31

Papa, nxënësve të Kolegjit Almo Kapranika: kumtojeni Fjalën e Zotit, duke kapërcyer çdo pengesë.


Në bazë të jetës së çdo meshtari, duhet të jetë lidhja tejet e ngushtë me Zotin: kjo, porosia kryesore që i dha Papa Bashkësisë së Kolegjit Kapranika, pritur sot paradite në Vatikan. Benedikti XVI i nxiti meshtarët e ardhshëm të impenjohen me guxim në veprimtarinë e ungjillëzimit të ri. Më pas u kujtoi figurën e ndritur të Shën Anjezes, Pajtore e Kolegjit, i cili prej pesë shekujsh është një nga seminaret më të rëndësishme të dioqezës së Romës.RealAudioMP3

Kisha pret shumë nga impenjimi i meshtarëve të rinj në veprën e riungjillëzimit, pohoi Benedikti XVI gjatë takimit me bashkësinë e Kolegjit Kapranika. Papa i inkurajoi seminaristët e rinj që, duke u mbështetur fort mbi bukurinë e traditës së vërtetë e mbi bashkimin e pandarë me Krishtin, ta përhapin këtë frymë në bashkësi, me vërtetësi e gëzim:
“Duhet ta kuptoni thellësisht historinë dhe traditën e Kishës! Fakti që jeni në Romë, është dhuratë, që duhet t’ju bëjë ta ndjeni gjithnjë më fort, thellësinë e traditës katolike”.
Afërsia me Pasardhësin e Shën Pjetrit, gjatë formimit tuaj, vijoi Papa, ju krijon kushtet për t’i perceptuar me qartësi të veçantë përmasat universale të Kishës dhe dëshirën që Ungjilli i Krishtit të arrijë në të katër anët e rruzullimit, duke hapur shtigjet të reja e duke pushtuar zemra të reja njerëzish e popujsh. Në Kolegjin tuaj, vijoi, i keni të gjitha mundësitë të hapni horizonte të reja, me frymëmarrje ndërkomëbtare:
“Përgatituni për t’iu afruar çdo njeriu, që takoni, duke punuar në një mënyrë të tillë, që asnjë kulturë të mos jetë pengesë për Fjalën e Jetës, të cilën e kumtoni me fjalën e, sidomos, me jetën tuaj”.
Natën e festës së Shën Anjezes, Pajtore e Kolegjit, Papa i ftoi meshtarët e ardhshëm të ndjekin shembullin e martirizmit e të virgjërisë së Vashës romake, në se duan të jenë dëshmitarë të vërtetë e të besueshëm të fesë:
Formimi i meshtarit kërkon ndershmëri, përkryerje, ushtrim asketik, qëndrueshmëri e besnikëri heroike, në të gjitha aspektet: në bazë të këtij formimi, është jeta e thellë shpirtërore, e frymëzuar nga lidhja e ngushtë me Zotin, në nivelin personal e në atë të bashkësisë, me vëmendje të veçantë ndaj kremtimeve liturgjike e ndjekjes së vazhdueshme të sakramenteve”.
Në vijim, Papa shtoi se jeta meshtarake kërkon ecje të përhershme në rrugën e shenjtërisë. E, për t’i shërbyer më mirë Kishës, meshtarët kanë nevojë edhe për formim serioz njerëzor, kulturor e shpirtëror. Prej këndej, secili duhet të punojë shumë për krjimin e kulturës personale, fryt i studimit të pasionuar e të vazhdueshëm. Feja, vërejti Benedikti XVI, ka një përmasë racionale dhe intelektuale, që është themelore për çdo meshtar. Pastaj kujtoi edhe lidhjen ndërmjet Shën Anjezes, martire nën Domicianin, dhe qytetit të Romës:
Edhe sot e kësaj dite, atij që kalon nëpër Sheshin Navona, figura e Shenjtores, nga lartësia e ballinës të Kishës së Shën Anjezes në Agone, i kujton se qyteti ynë bazohet edhe mbi miqësinë me Krishtin e mbi dëshminë e shumë prej bijëve e bijave të tij”.

Kujtojmë se historia e Kolegjit lidhet ngushtë me emrin e kardinalit Domeniko Kapranika (1400-1458) i cili, me aktin e 5 janarit 1457, themeloi në Romë një seminar me emrin e familjes së tij, kushtuar tërësisht formimit sakramentor, karitativ e baritor të meshtarëve të ardhshëm. Kishte për qëllim t’i ofronte shoqërisë së kohës, një kler më të përgatitur në aspektin kulturor e shpirtëror, frymë që vijon edhe sot e kësaj dite në jetën e Kolegjit. Me bazë të shëndoshë ekonomike, siguruar nga themeluesi, e me seli në pallatin e lashtë Kapranika, pranë Kishës së Shën Marisë në Akuirio, Kolegji fitoi pavarësi financiare, që nga themelimi e deri në shekullin XX. Titulli ‘almo’ (që jep jetë) i Kolegjit, kujton ata eprorë e nxënës që, gjatë plaçkitjes së Romës nga lancikenekët protestantë, më 1527, flijuan jetën për mbrojtjen e Papës.
Kolegji, ku përgatiten nuncët e ardhshëm apostolikë, diplomatë të Selisë së Shenjtë, ka një bibliotekë tepër të pasur me inkunabuli, dorëshkrime e libra të rrallë, në bazë të së cilës është biblioteka e Kardinalit themelues. Ndërmjet qindra nxënësve të tij, meshtar e ipeshkvij të njohur në historinë e Kishës, janë edhe dy papë: Benedikti XVI e Piu XII.








All the contents on this site are copyrighted ©.