Jeni dhuratë e Shpirtit Shenjt për kohën tonë: kështu Papa neokatekumenalëve
Kisha e njeh Ecjen Neokatekumenale si dhuratë të veçantë të Shpirtit Shenjt për njerëzit
e kohës sonë: kështu u tha sot Papa Benedikti XVI, 7 mijë anëtarëve të kësaj Lëvizjeje
kishtare, të cilët i priti në Vatikan. Gjatë audiencës, u lexua dhe iu dorëzua nekatekumenalëve,
Dekreti, i cili “miraton të gjitha kremtimet, që përmbahen në udhëzuesin katekistik
të Ecjes Neokatekumenale, ndonëse nuk rezultojnë në normat e Librave liturgjikë të
Kishës”. Ati i Shenjtë dërgoi edhe 17 misione të reja “ad gentes” në të gjithë botën. Benedikti
XVI theksoi se kremtimi i meshëve të veçanta për bashkësinë neokatekumenale nuk duhet
të sjellë ndarje në Kishë: “Me qëllim që të favorizohet afrimi në jetën sakramentore
i njerëzve të larguar nga Kisha, ose i atyre që nuk kanë formimin e duhur, neokatekumenalët
mund ta kremtojnë liturgjinë e së dielës në bashkësitë e vogla, pas Lutjeve të para
mbrëmësore, sipas dispozitave të ipeshkvit dioqezan… Në të njëjtën kohë, pjekuria
gjithnjë e më e madhe në fe e individit dhe e bashkësisë së vogël duhet të favorizojë
pjesëmarrjen në jetën e bashkësisë së madhe kishtare, kremtimi liturgjik i së cilës
bëhet në formën e zakonshme në famullinë, ku veprojnë neokatekumenalët”. Rruga
e neokatekumenalëve pra, nënvizoi Papa, duke cituar Koncilin II të Vatikanit, duhet
t’i çojë besimtarët drejt bashkësisë së krishterë e jo t’i ndajë nga ajo.