Imzot Farrell: rikthimi në bashkimin e të krishterëve, shtegtim i ngadalshëm, por
i frytshëm.
Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve sivjet frymëzohet nga fraza, shkëputur
prej Letrës I të Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve: “Të gjithë do të shndërrohemi
nga fitorja e Jezu Krishtit, Zotit tonë”. Për këtë temë flet, në mikrofonin tonë,
imzot Brian Farrell, sekretar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të
të krishterëve:
Përgjigje: - Çdo vit tema zgjidhet nga një
grup ekumenik i një vendi të veçantë. Sivjet punuam me një grup nga Polonia. Historia
e Polonisë është plot me pushtime, beteja, me vështirësi e edhe me kapërcimin e këtyre
vështirësive. Prandaj të kujton vetvetiu idenë e fitores, e sidomos, të fitores së
përfundimtare, fitores së Krishtit mbi vdekjen e mbi mëkatin. Por, duke folur për
unitetin e të krishterëve, jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se përçarjet janë fryt
i mëkatit e se vetëm hiri i Krishtit, së bashku me frymëzimin e Shpirtit Shenjt, mund
t’i ndihmojë të krishterët t’i kapërcejnë përçarjet e thella, që na la trashëgim historia
e së kaluarës. Gjithsesi, ideja themelore e teksteve përgatitur për këtë Javë lutjeje,
të ngjall besimin e patundur në forcën shndërruese të hirit të Krishtit, dëshira
e të cilit është që gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme.
Pyetje:
- Në këtë këndvështrim, cilat janë shpresat për të ardhmen?
Përgjigje:
- Kur shikojmë rezultatet e dialogut, na duket se nuk janë bërë shumë hapa
përpara, por pikërisht dialogu na mundëson të thellohemi në vështirësitë, që duhen
kapërcyer; në problemet, që duhen zgjidhur. E këtë duhet ta bëjmë së bashku. Përsa
u përket marrëdhënieve me vëllezërit e Kishave e të Bashkësive të tjera, mund të them
se Dita e lutjes dhe e reflektimit për paqen e drejtësinë në Botë, kremtuar në Asizi
tetorin e kaluar, ishte një provë e shkëlqyer e faktit se bota ekumenike ecën përpara.
Patëm një përgjigje vërtet të shumënumërt përsa u përket delegacioneve, që dërguan
kishat e tjera: 30 ishin vetëm delegacionet e krishtera. Kjo është shenjë e qartë.
Tregon se bota ekumenike, që shumkujt mund t’i duket e vështirë e pa fryt, jep fryte
të begata. Fryte, që janë në mendjet, në zemrat, në sjelljen e në bindjen e njerëzve.
Besoj se marrëdhëniet ekumenike, mbi të gjitha, po prodhojnë frytin e madh të vëllazërisë;
fryt ky që e shikon gjithë bota.