2012-01-20 18:05:10

Atë Lombardi: shfaqja teatrore “Mbi konceptin e fytyrës në Birin e Zotit” i fyen të krishterët.


Duke iu përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, u ndalua në kuptimin e letrës, drejtuar Sekretarisë së Shtetit të Shenjtërisë së Tij nga teologu, atë Gjovani Kavalkoli, që e shikon si blasfemuese shfaqjen teatrore të regjisorit Romeo Kasteluçi, titulluar “Mbi konceptin e fytyrës në Birin e Zotit”. Duke marrë shkas nga fakti se shfaqja paraqitet si vepër, që fyen bindjet fetare të të krishterëve, letra- vërejti atë Lombardi - i hap rrugën diskutimit, me urimin që bashkësia e krishterë t’i kundërpërgjigjet vendosmërisht çdo mungese respekti të kësaj natyre.
Kujtojmë se shfaqja, dhënë në Paris, shkaktoi reagime të ashpra. Tani që arrin në Itali, në reagim merr pjesë edhe Vatikani, duke e quajtur vepër fyese, kundër figurës së Zotit tonë Jezu Krishtit.Vepra flet për një atë, të mplakur e të sëmurë, për të cilin përkujdeset i biri, që duhet ta pastrojë çdo ças, sepse ndotet vazhdimisht. Pas shpinës së artistëve, një fytyrë vigane e Krishtit, riprodhim i veprës “Shëlbuesi i botës”, realizuar nga Antonello da Mesina. Kështu shfaqja ngacmon menjëherë shoqërimin e përfytyrimeve ndërmjet ligështisë së njeriut në fund të udhës së tij tokësore e Njeriut, me Nj të madhe. E si të mos mjaftonte kjo, shoqërohet me flakjen e gurëve e të fekaleve në drejtim të fytyrës së Krishtit, gjë që ngjalli menjëherë pakënaqësinë e thellë, jo vetëm të katolikëve, por edhe të vetë autorit, që nuk e pranon fare këtë interpretim, sepse, sipas tij, teksti lindi mbi bazën e Shkrimit Shenjt, si reflektim për fundin e jetës njerëzore: Biri i Zotit, zhveshur lakuriq nga njerëzit, na zhvesh ne, sot, për ta parë më mirë kush jemi e ku shkojmë e përfundojmë. Kjo duhet të ishte, sipas autorit, ideja themelore e veprës.







All the contents on this site are copyrighted ©.