2012-01-19 15:15:43

Të kapërcehen ndarjet për çështjet etike: kështu Papa para delegacionit të Kishës Luterane të Finlandës


“Miqësia jonë e thellë e dëshmia e përbashkët për mësimet e Krishtit qoftë nxitje për zgjidhjen e problemeve”: ky ishte urimi i Papës Benedikti XVI në takimin me delegacionin ekumenik të Kishës Luterane të Finlandës, për shtegtim në Romë, me rastin e Festës së shën Henrikut, Pajtor i vendit skandinav. Duke pasur parasysh se jemi në Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, Papa u foli atyre për ekumenizmin dhe hapat e tij:
“Kohët e fundit, çështjet etike po bëhen një nga arsyet e ndryshimeve ndërmjet të krishterëve, sidomos përsa i përket kuptimit të natyrës njerëzore e të dinjitetit të saj. Është e nevojshme që të krishterët të merren vesh mirë për tematikat antropologjike. Kjo mund ta ndihmojë shoqërinë dhe politikanët të marrin vendime të urta e të përshtatshme për çështje të rëndësishme, si jeta njerëzore, familja, seksualiteti”.
Dëshmia në botën e sotme, vazhdoi Papa, shpesh, nuk është ajo, që nevojitet. Ati i Shenjtë uroi të praktikohen publikisht virtytet e krishtera e ato të shenjtërisë. Kujtoi se në takimin e fundit ekumenik dypalësh ndërmjet finlandezëve dhe suedezëve, u nënvizua urgjenca e imitimit të Krishtit në jetën e në veprimtarinë e përditshme. Është e vështirë, pranoi Benedikti XVI, por nuk mund të mos kemi besim në fuqinë e Shpirtit Shenjt:
“Vizita vjetore e delegacionit ekumenik nga Finlanda dëshmon bashkimin ndërmjet traditave të krishtera në Finlandë dhe tregon shpresën, që ky bashkim të vazhdojë të forcohet, duke sjellë fryte ndër katolikë, luteranë e konfesione të tjera të krishtera”.
Rruga drejt bashkimit të të krishterëve, tha në fund Ati i Shenjtë, duke përmendur shembullin e shenjtorëve dhe durimin e Abrahamit, kërkon të presim me durim e fe, duke besuar thellësisht se uniteti i të gjithë të krishterëve në një Kishë të vetme është vërtet dhuratë e Zotit e jo sukses i yni. Të lutemi pra, plot shpresë, jo sipas planeve tona, por sipas atyre të Hyjit të Gjithpushtetshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.