Më 28 janar 2012 Kishën Katedrale e shën Palit Apostull në Tiranë do të përkujtojë
përvjetorin e dhjetë të përkushtimit të saj. Më poshtë botojmë letrën baritore të
kryeipeshkvit të kryedioqezës metropolite të Tiranë-Durrësit, shkëlqesisë së tij imzot
Rrok Mirditës shkruar me rastin e këtij jubileu.
TË DASHUR MESHTARË, RREGULLTARË
DHE RREGULLTARE, TË DASHUR BESIMTARË
Në letrën baritore me rastin e Krishtlindjes
ju kemi kujtuar se më 28 janar 2012 në Kishën Katedrale do të përkujtojmë përvjetorin
e dhjetë të përkushtimit të saj. Ky përvjetor na detyron ta falënderojmë Zotin
për bekimet e begatshme me të cilat ka stolisur Kishën tonë Katedrale gjatë këtyre
dhjetë viteve. Vetëm për të përmendur disa raste më të veçanta: vetë përkushtimi i
Katedrales para dhjetë viteve nga Hirësia e Tij Kardinali Angelo Sodano ish-Sekretari
i Shtetit të Vatikanit, i deleguari nga Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II; ngritja e
Arkidioqezes sonë në Arkidioqezë Metropolitane në vitin 2005; viti jubilar e Shën
Palit 2008-2009, i shpallur nga Papa Benedikti XVI, me të cilin rast Pendestaria Apostolike
i dha katedrales sonë të drejtën e indulgjencës plenare (ndjesës së plotë) për të
gjithë shtegtarët që ndaleshin në këtë Tempull për të kërkuar faljen e mëkateve dhe
hirin e Hyjit; Mesha Solemne me rastin e takimit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore
Evropiane në vitin e kaluar, si edhe shugurimi i ipeshkvit ndihmës, katër meshtarëve
e tre diakonëve dhe funerali i Mbretëreshës Geraldinë. Gjatë kësaj periudhe në këtë
Katedrale janë pagëzuar 1500 veta dhe janë krezmuar 1300, ndërsa 500 çifte janë bashkuar
në sakramentin e martesës. Për të gjitha këto i jemi shumë mirënjohës Zotit. Fatmirësisht
përvjetori ynë rastis me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Por le t’ju kujtoj
dy domethënie të veçanta të këtij përvjetori.
Domethënia e parë: Është përvjetor
i përkushtimit të një Kishe. Dhe kjo është një përgjigje për një sfidë të kulturës
bashkëkohore. Është sfida për t’i përkitur një bashkësie fetare dhe për ta afruar
Zotin në dhe me këtë bashkësi. Në fakt kultura e sotme e individualizmit sugjeron
se mund të jemi besimtarë pa i përkitur asnjë komuniteti fetar. Një mentalitet i tillë
është shumë i përhapur në vendin tonë, për shkak se për shumë vjet, kur ishte ndaluar
çdo praktikë fetare, për shumë mjafton të dëshmohen si besimtar pa frekuentuar asnjë
vend kulti, edhe pse tani kanë mundësi, vazhdojnë ta ruajnë këtë qëndrim. Megjithatë
një mentalitet i tillë i kundërvihet planit shpëtimtar të Zotit, të cilit i pëlqeu
t’i shpëtonte njerëzit jo si individë, pa kurrfarë lidhjeje në mes tyre, por duke
i bashkuar si një popull. Prandaj nuk mjafton ta nderojmë Zotin në fshehtësinë e zemrave
tona, por duhet ta nderojmë gjithashtu në bashkësi të besimtarëve. Kisha është
vendi ku Populli i Hyjit bashkohet në fe dhe në dashuri për ta nderuar Atë “në shpirt
dhe në të vërtetë” (Gjn 4, 24). Përkushtimi i një kishe do të thotë se ajo ndërtesë
tani i përket ekskluzivisht kultit. Është vendi i caktuar posaçërisht për ata që duan
të bashkohen me besimtarët e tjerë për ta adhuruar Hyjin në shpirt dhe në të vërtetë.
Domethënia e dytë: Është përvjetor i përkushtimit të Kishës Katedrale.
Edhe këtu kemi një përgjigje për një sfidë tjetër të kulturës së sotme: sfida
për ta mbajtur dhe për ta forcuar lidhjen me Bariun e Kishës vendase, domethënë me
Ipeshkvin dioqezan, pasardhës i apostujve. Ka kohë që flitet për “krizë autoriteti”.
Por asnjë shoqatë apo bashkësi nuk mund të mbijetojë pa asnjë formë autoriteti. Ashtu
edhe Kisha, si një bashkësi organike, kërkon të ketë njerëz të cilët, me autoritetin
e tyre, i shërbejnë popullit. Kisha e gjithmbarshme, e udhëhequr nga Papa, pasardhësi
i apostull Pjetrit, përbëhet nga kishat vendase, secila prej tyre udhëhequr nga Ipeshkvi
dioqezan. Kisha Katedrale është selia e Ipeshkvit dioqezan, shenja e dukshme e bashkimit
të besimtarëve në këtë Kishë të veçantë. Kisha vendase është shenja e atij bashkimi
në të njëjtën fe, e asaj pjesëmarrjeje me të njëjtat mjete shenjtërimi që janë veçanërisht
sakramentet, dhe e asaj lidhjeje në dashuri vëllazërore. Ndërtesa që ne e quajmë
“Kishë” është “Tempulli i Hyjit”. Por ky Tempull është simboli i atij Tempulli që
është Trupi i Krishtit. Shën Pjetri na kujton se ne jemi “gurë të gjallë” në këtë
Tempull, një familje ku anëtarët ndajnë të njëjtin besim dhe mjetet e shenjtërimit
dhe udhëhiqen nga bariu që u shërben në emrin e Jezu Krishtit dhe garanton njësinë
e kësaj familjeje. Prandaj, të dashur vëllezër dhe motra, le të kuptojmë rëndësinë
e këtij përvjetori të dhjetë të përkushtimit të Kishës Katedrale! Ju ftojmë të merrni
pjesë në Meshën që do të kremtohet të shtunën më 28 janar në orën 11.00 për të shprehur
mirënjohjen tonë të thellë ndaj Hyjit. Së bashku me këto urime ju përcjell bekimin
tim baritor.
Dhënë në Tiranë, më 6 janar 2012, e kremtja e Dëftimit
të Zotit.
Imzot Rrok Mirdita
Arqipeshkëv Metropolitan Tiranë-Durrës