2012-01-18 17:57:32

Papa në audiencën e përgjithshme: ekumenizmi, përparësi e Kishës; të krishterët, më bindës, në se bashkohen.


Bashkimi i të krishterëve është detyrë e mbarë Kishës dhe e gjithë të pagëzuarve. Kështu u shpreh Papa sot paradite në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, plot me besimtarë. Papa vuri theksin pikërisht mbi Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, sivjet me temë: “ Të gjithë do të shndërrohemi nga fitorja e Jezu Krishtit, Zotit tonë”. Benedikti XVI pohoi me forcë se mungesa e bashkimit ndërmjet të krishterëve e pengon kumtimin e Ungjillit. Më pas bëri një pyetje, drejtuar gjithë të pagëzuarve, që shqetësohen për fatet e ungjillëzimit: “E si mund të japim dëshmi bindëse, në se jemi të përçarë?”. RealAudioMP3
Duke u nisur nga tema e Javës për Bashkimin e të Krishterëve, Benedikti XVI u ndal tek historiku i kësaj nisme, lindur më 1908, thelluar më tej përmes mësimeve të Koncilit II të Vatikanit për bashkimin e të gjithë dishepujve të Krishtit:
Ky takim shpirtëror, që i bashkon të krishterët e të gjitha traditave, na bën edhe më të vetëdijshëm se uniteti, drejt të cilit shkojmë, nuk do të arrihet vetëm me përpjekjet tona, por do të jetë dhuratë, që vjen nga lart, për të cilën duhet të lutemi vazhdimisht”.
Duke kujtuar se tema e Ditës sivjet u propozua nga një grup ekumenik polak, Ati i Shenjtë kujtoi se historia e këtij vendi njohu bashkëjetesën demokratike, lirinë fetare, por pa edhe pushtime e provoi shumë disfata, pa e pushuar kurrë luftën kundër shtypjes, me etjen e pashuar për liri. Prej këndej, refleketimi mbi kuptimin e dy fjalëve, me rëndësi të dorës së parë në jetën e njerëzve e të popujve: “fitore” e “disfatë”. Nga fitoret kalimtare njerëzore, Papa kaloi tek fitorja përfundimtare e Krishtit, e vetmja që mund ta shndërrojë njeriun. Kjo fitore nuk përshkohet nëpër rrugën e pushtetit e të forcës, por nëpër atë të dashurisë, të shërbimit reciprok, të shpresës së re, të ngushëllimit për njerëzit më të fundëm, më të harruar, më të poshtëruar, më të papranuar:
Për gjithë të krishterët, shprehja më e lartë e këtij shërbimi të përvuajtur, është vetë Jezu Krishti, dhurimi i plotë i tij, fitorja e dashurisë së tij mbi vdekjen, që shkëlqen në dritën e agimit të Pashkëve. Ne mund të marrin pjesë në këtë ‘fitore’ shndërruese, në se e lëshojmë plotësisht vetveten në dorë të Zotit, që të na shndërrojë siç dëshiron, e në se impenjohemi për këtë shndërrim të jetës sonë”.
Benedikti XVI nënvizoi se bashkimi i plotë e i dukshëm i gjithë të krishterëve, kërkon nga besimtarët të pendohen, të bëjnë kthesë e të jenë gjithnjë më shumë një gjë e vetme me Krishtin. Bashkimi, për të cilin lutemi, tha Papa, kërkon shndërrimin shpirtëror, si të bashkësisë, ashtu edhe të jetës vetjake të secilit besimtar:
“Nuk është thjesht fjala për përzemërsi apo për bashkëpunim, duhet përforcuar feja jonë në Hyjin, në Hyjin e Jezu Krishtit, që na foli e u bë një nga ne; duhet të hyjmë në jetën e re të Krishtit, që është fitorja jonë e plotë e përfundimtare; duhet t’ia hapim zemrat njëri-tjetrit, duke bërë tonat të gjitha elementet e unitetit, që Zoti i ka ruajtur për ne e na i dhuron vazhdimisht; duhet ta ndjejmë thellë urgjencën për t’ia dëshmuar njeriut të kohës sonë Hyjin e gjallë, që u bë i njohur në Krishtin”.
Më pas Benedikti XVI vuri në dukje se Koncili II i Vatikanit e vuri kërkimin e rrugës ekumenike në qendër të jetës e të veprimtarisë së Kishës:
Ky Koncil i shenjtë, i nxit të gjithë besimtarët katolikë që, duke njohur shenjat e kohëve, të marrin pjesë me zell të madh në veprimtarinë ekumenike (Unitatis redintegratio, 4). E i Lumi Gjon Pali II nënvizoi edhe natyrën themelore të këtij impenjimi: “Ky unitet, që Zoti i dha Kishës së vet e në të cilin ai dëshiron t’i përfshijë të gjithë, nuk është veprimtari ndihmëse, por vihet në qendër të gjithë veprimtarisë së saj. Nuk ka vlerë të dorës së dytë në bashkësinë e dishepujve të saj. Përkundrazi, ka të bëjë me vetë qenien e kësaj bashkësie”(Enc. Ut unum sint, 9).
Detyra ekumenike, prandaj, i përket mbarë Kishës, gjithë të pagëzuarve, kujtoi Papa, duke i ftuar besimtarët e mbarë botës të punojnë me zell të përtërirë për fuqizimin e bashkimit, tashmë ekzistues, ndërmjet të krishterëve, deri në bashkmin e tyre të plotë, në vërtetësi e dashuri. Prandaj duhet pasur mirë parasysh që lutja për këtë bashkim të mos kufizohet vetëm në këtë Javë, por të shikohet si pjesë përbërëse e lutjes së përditshme të të krishterëve, në çdo vend e në çdo kohë:
“Mungesa e bashkimit të të krishterëve pengon kumtimin më të suksesshëm të Ungjillit, sepse shkatërron ose vë në rrezik besueshmërinë tonë. E si mund të japim dëshmi bindëse, kur ne vetë jemi të përçarë? Natyrisht, përsa u përket të vërtetave themelore, feja më shumë na bashkon, sesa na ndan. Por gjithsesi, ndarjet mbeten, e kanë të bëjnë edhe me çështje të ndryshme praktike dhe etike, gjë që shkakton pështjellim e mosbesim, duke e ligështuar aftësinë tonë për t’ua kumtuar të gjithë njerëzve Fjalën shëlbuese të Krishtit”.Kujtojmë, në përfundim, se Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, me temë “Të gjithë do të shndërrohemi nga fitorja e Jezu Krishtit, Zotit tonë”, nisi sot, e do të vijojë deri më 25 janarin e ardhshëm për t’u mbyllur me Lutjet mbrëmësore, kryesuar nga Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.