2012-01-18 19:32:01

Kryeministri italian Monti, ekskluzivisht për Radio Vatikanin mbi krizën ekonomike: “Kush ka më shumë, duhet të japë më shumë”


Xhuzepe Toniolo, ekonomist italian me famë botërore, ndër themeluesit e Veprimit Katolik, së shpejti i Lum, në fillimet e viteve ‘900, pati thënë: “Kush ka më shumë, duhet të japë më shumë; kush nuk ka, duhet të marrë më shumë”. Toniolo citohet sot nga kryeministri italian Mario Monti, në një intervistë ekskluzive dhënë Radio Vatikanit, në të cilën flet për krizën ekonomike botërore, shkaktuar, para së gjithash, nga kriza etike e morale e Perëndimit, nga harrimi i atyre “rrënjëve të krishtera”, që e bënin njeriun të mendonte mirë, para se të bënte keq. Por ta dëgjojmë në mikrofonin tonë:
Askush nuk është në gjendje të thotë se kur do të përfundojë kriza aktuale ekonomike e financiare, e cila është bërë gjithnjë e më shumë krizë shoqërore; por, secili prej nesh e ka për detyrë të vendosë si do të mbyllet kjo “kohë varfërie”, duke e pyetur seriozisht veten, cila është pasuria e vërtetë. Kriza njihet, e madje bëhet nganjëherë dramatike, për shkak të pasojave të saj materiale. Është më pak e njohur, por jo edhe më pak e rëndë, për “varfërinë e fshehur”, që ka shkaktuar: mënjanimin, humbjen e shpresës, uljen e lindjeve, shpërbërjen e bashkësive, të familjeve, të shoqatave e të organizatave. Jo gjithmonë e shohim dramën dhe shkretëtirën e brendshme, sidomos tek të rinjtë. Në të kaluarën, fundi i krizave më të rënda ekonomike përkonte me fakte historike dramatike. Edhe sot flitet për “luftë financiare”, për “sulm kundër Evropës”, për “konflikt brenda vetë Evropës”. Sot, më shumë se kurrë, historia dhe kujtesa na kërkojnë impenjim e guxim në të gjitha nivelet. Asnjë fjalë nuk duhet të shkojë kot. Asnjë fjalë nuk mund të mos dëgjohet. Edhe një dështim fillestar mund të hapë rrugë të reja për dialogun dhe zhvillimin qytetar, moral e shoqëror. Drejtësia dhe paqja janë përgjigjja më e mirë për konfuzionin e shkaktuar nga kriza në jetën e përditshme të njerëzve. Për ta kapërcyer në të gjitha aspektet, duhet të shohim përpara me guxim, me shpresë, por edhe të rizbulojmë ku i kemi rrënjët.
A janë të vetëdijshme klasat drejtuese, politikanët, për këtë humnerë ndërmjet situatës së vërtetë e gjendjes, ashtu si duhet të jetë? Duket sikur ç’thonë politikanët nuk përkon me ç’mendojnë njerëzit e thjeshtë…
Përfaqësuesit e institucioneve duhet ta kryejnë detyrën, sipas normave të Kushtetutës, “me disiplinë e ndershmëri”. Qytetarët kanë të drejtë t’u kërkojnë të jenë koherentë e të besueshëm, por kujdes, është e lehtë ta kthesh pakënaqësinë shoqërore në manifestime pa fund. Duke bërë kështu, nuk vendoset një rend i arsyeshëm dhe as marrëdhënie më të drejta ndërmjet opinionit publik e institucioneve. Një “teknik” – siç jam quajtur unë – mund t’ju thotë pa frikë se antipolitika e antiparlamentarizmi shkaktojnë dëme, që mund të sjellin probleme shumë të rënda me kohë. Secili - individi e kolektivi, privati e publiku - duhet të jetë “më i mirë”, në çdo rol që ka, i madh, apo i vogël qoftë. Ç’do të thotë të jesh i besueshëm? Unë mendoj se do të thotë, para së gjithash, ta vendosësh të mirën e përbashkët mbi interesat e veçanta. E ndjejmë shtetin, kur secili është gati ta shndërrojë njohjen e rregullave të demokracisë në norma të jetës vetjake, duke qenë kërkues ndaj vetvetes e solidar me të tjerët.
Z. kryeministër, kriza është e rëndë. Sipas jush, a i intereson ndokujt, në nivel botëror, që euro të mos e kapërcejë krizën? Ç’mendoni për integrimin evropian?
Duhet një kohezion më i madh evropian, pikërisht për të shmangur shndërrimin e monedhës së përbashkët, pra të euros, nga pika më e lartë e katedrales së integrimit të Evropës në faktor shpërbërjeje. Të mendosh që shkaku i krizës është euro, nuk përbën vetëm gabim ekonomik, por pretekst, ose edhe më keq, përpjekje për të shkarkuar mbi Evropën problemet e të tjerëve, të cilët kanë përgjegjësi e interesa edhe më të mëdha. Por, është e jona, e evropianëve, përgjegjësia për forcimin e idesë se monedha qenka përmbi flamurin e Evropës, në të cilin – duhet kujtuar gjithmonë – yjet janë vendosur në një raport të harmonishëm, me një orientim të drejtë. Sot, të heqim dorë nga euro do të thotë të zhysim në pasiguri më të dobtit e më të varfërit. Euro mbetet një mjet me ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e njerëzve, ndonëse nuk është ai, qëllimi i veprimtarisë së bashkësisë evropiane, por “e mira e përbashkët”. Kriza kapërcehet duke e ngritur “flamurin e vlerave” mbi vetë “interesat e monedhës” dhe nga ana tjetër, duke pranuar se monedha nuk është thjesht çështje teknike. Që të lindte, euro pati nevojë të shoqërohej nga një sërë normash për administrimin me përgjegjësi të bilanceve publike. Duke bërë kështu, euro i ka detyruar vendet, që e përdorin, të respektojnë më mirë vlerat themelore etike, si atë të barazisë ndërmjet brezave. Nuk është e mundur t’i rëndojmë brezat e ardhshëm, akoma pa lindur, me peshën e borxhit publik … Në kohë krize e, në përgjithësi në kuadrin e barazisë së trajtimit, vlen ajo që thoshte Xhuzepe Toniolo: “Kush ka më shumë, duhet të japë më shumë; kush ka më pak, duhet të marrë më shumë”.
Z. Monti, shpesh Papa Benedikti XVI u ka bërë thirrje katolikëve të marrin pjesë në përtëritjen etike dhe kulturore të politikave kombëtare. Si e shihni ju këtë pjesëmarrje?
Mësimet e Papës dhe dëshmia e tij e fuqishme personale, kontributi i rëndësishëm i Selisë së Shenjtë dhe i Kishës Katolike janë elemente, që na nxisin t’i shikojmë gjërat me sy kritik. Para së mirës së përbashkët nuk mund të fshihemi. Menjëherë pas zgjedhjes, Benedikti XVI përdori një shprehje edhe më të qartë: “Mos ikni, nga frika, para ujqërve”. Edhe para stuhisë kaq të gjatë që po përjetojmë, duhet të kultivojmë me mençuri, por edhe me durim, shpresën. Qytetarët dhe institucionet nuk duhet t’i përgjigjen krizës duke ikur si para ujqërve, por duke u bashkuar më fort. Duke përdorur fjalët e Atit të Shenjtë, mund të themi: “me mjetet e arsyes duhet të gjejmë rrugët”. Kjo nuk do të thotë ta mbyllim fenë në sferën e brendshme vetjake. Përkundrazi, do të thotë të ripohojmë autonominë e saj nga politika, të mos e kthejmë – siç thotë Jozef Racinger – në “rrjedhojë teorike të një këndvështrimi të caktuar mbi botën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.