2012-01-17 13:52:00

Papa Benedikti XVI për vizitë në dioqezën e Arecos, në Itali, të dielën, më 13 maj 2012


Me gëzim e mirënjohje, kryeipeshkvi i Arecos, imzot Rikardo Fontana lajmëroi sot zyrtarisht se të dielën, më 13 maj 2012, Papa Benedikti XVI do të shkojë për vizitë në dioqezën e Areco-Kortona-Sansepolkros.
“Gëzimi ynë është i madh – shkruan në një komunikatë për shtyp kryeipeshkvi – sepse Ati i Shenjtë dëshiron të kremtojë me ne vitin e mijëvjeçarit, duke vlerësuar kështu, identitetin shpirtëror të bashkësisë sonë kishtare”. Fjala është për mijëvjeçarin e themelimit të konkatedrales së Sansepolkros, ku një Papë shkel sërish pas 500 vjetësh, pavarësisht se vizita e fundit e një Pape në dioqezë ka qenë ajo e të Lumit Gjon Pali II, në vitin 1993, por Karol Vojtila nuk pati shkuar në Sansepolkro. Benedikti XVI do të takohet me besimtarët gjatë meshës së orës 10.00, në sheshin e Katedrales së Arecos, ku do të thotë edhe Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pasdite, do të vizitojë shenjtëroren françeskane të Vernës dhe, siç e thamë, konkatedralen e Sansepolkros.
Rëndësia dhe krenaria për rrënjët e krishtera të këtyre viseve shprehet hapur në komunikatën e kryeipeshkvit. “Kisha jonë – shkruan imzot Fontana – u ngrit në kohën e dëshmisë së martirizimit të shën Donatit e të shenjtorëve murgarë të Kamaldolit, ungjillëzues të kësaj toke… U kalit nga pasuria e jashtëzakonshme e karizmës françeskane, ndriçuar nga plagët e Varfanjakut në Vernë, nga bamirësia e Margaritës së Kortonës dhe nga përshpirtëria në rritje përreth Montekasales e vendeve të tjera të lutjes në territorin e madh të dioqezës”.
Në fund, kryeipeshkvi i Arecos shpreh mirënjohjen për vizitën e Pasardhësit të Shën Pjetrit dhe lajmëron besimtarët për fillimin e përgatitjeve shpirtërore e materiale për këtë ngjarje të madhe.








All the contents on this site are copyrighted ©.