2012-01-17 14:23:20

Fillon nesër Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve. Pax Christi Italia paraqet faqen e internetit www.dodiciraccolti.it


Kisha Katolike fillon nesër Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve, e cila do të vazhdojë deri më 25 janar. Këtë vit, ajo ka për temë “Të gjithë do të shndërrohemi nga fitorja e Jezu Krishtit, Zotit tonë”. Organizata kishtare “Pax Christi”, dega e Italisë, do të paraqesë të premten në Venedik, faqen e internetit www.dodiciraccolti.it, që e shqipëruar, do të thotë “12 lutjet”, pasi fjala është pikërisht për një zinxhir lutjesh, një lloj “vëllazërimi shëtitës”, gjatë të cilit, çdo ditë, njerëz, familje, famulli, shkolla e shoqata impenjohen të mblidhen në lutje për paqen, duke u takuar nëpërmjet internetit. Në këtë ngjarje merr pjesë edhe ipeshkvi i nderit i Ivreas, imzot Luigji Betaci, dëshmitar i drejtpërdrejtë i Koncilit II Ekumenik të Vatikanit. Prelatin, tashmë 89 vjeçar, e ftuam në mikrofonin tonë për ta pyetur se si mund të kontribuojnë në bashkimin e të krishterëve, iniciativa si kjo e Pax Christit:
Janë iniciativa të rëndësishme, fryt i Koncilit. Para tij, vërehej fort saktësia e ortodoksisë së fesë: kush nuk ishte i saktë, si ne, konsiderohej “i përjashtuar”. Më kujtohet, se aso kohe, të shkoje në një kishë protestante, dukej gati si mëkat mortar. Koncili na thotë të mendojmë se të gjithë jemi në rrugë: ata që bashkëndajnë me ne fenë në Jezu Krishtin, Pagëzimin, Fjalën e Zotit janë pranë nesh në këtë rrugë, megjithëse nuk marrin pjesë në tërësinë e së vërtetës. Por rrugën duhet ta bëjmë së bashku, për të sjellë paqen e Zotit në botë. Paqja është dhuratë e Hyjit e për të duhet të lutemi. Nisma e lutjes për bashkimin e të krishterëve përfaqëson pikërisht faktin se Kisha, sidomos pas Koncilit, e pranon se e ka për detyrë të marrë pjesë, të lutet me të gjithë ata, që besojnë në Krishtin, me të gjithë ata, që kanë fe, për t’i kërkuar Zotit hirin e bashkimit gjithnjë e më të madh, hirin për t’i shndërruar besimtarët në bartës të paqes në botë. Të jesh bartës i paqes, sidomos për kombet më të pasura e më të fuqishme, nganjëherë, do të thotë të dish të heqësh dorë nga diçka për ta vënë në shërbim të më të varfërve.








All the contents on this site are copyrighted ©.