2012-01-17 13:52:47

Dita për dialogun ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve: “Mos vra!”


Sot kremtohet Dita për thellimin dhe zhvillimin e dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. Sivjet, tema e takimit, zgjedhur nga Konferenca ipeshkvnore italiane, është “Mos vra!”. Për këtë ditë, në mikrofonin tonë, flet ipeshkvi i Pistojës, imzot Mansueto Bianki, kryetar i Komisionit për Ekumenizmin dhe Dialogun Ndërfetar pranë Konferencës Ipeshkvnore Italiane:

Përgjigje: - Më duket tematikë tejet aktuale, sepse urdhërimi i Zotit “Mos vra”, lidhet ngushtë me vetë jetën, që nga zënia, në perëndimin e saj të natyrshëm. Prej këndej, është tematikë, për të cilën janë të thirrur të punojnë me përgjegjësi e impenjim të veçantë, të dyja fetë, bija të Abrahamit, hebraizmi e krishterimi, në mënyrë të veçantë, katolicizmi. Është sfidë e madhe, kjo. E jo vetëm fetare, por edhe, e kryesisht, etike, që lidhet ngushtë me ndërgjegjen e njerëzve. Atëherë urdhërimi i Zotit “Mos vra!”, duhet shikuar si impenjim për respektimin e jetës, për promovimin e jetës, e edhe si sfidë kulturore, për ta parë jetën si dhuratë, si pasurinë më të madhe të njeriut e të njerëzimit.

Pyetje: - Urdhërimi “Mos vra!”, është i njëjtë si për të krishterët, ashtu edhe për hebrenjtë. Por nuk është pika e vetme, që i bashkon. Ka edhe të tjera. Prej këndej, edhe nevoja për të dialoguar, që ka filluar prej kohe. Ç’të reja kemi nga ky ‘dialog’?

Përgjigje: - Do të thosha se është dialog tepër i dobishëm e i nevojshëm. E është edhe impenjativ nga ana e të dyja përvojave fetare. Meriton të lodhesh për të, e meriton edhe impenjim, për të kapërcyer moskuptimet, që mund të lindin. Por unë besoj se rruga e dialogut, e ndërlikuar siç është, duhet gjykuar në tërësinë e saj. E po ta shikojmë me këtë sy, mund të themi se hapat para nuk mungojnë. E hapa para bëhen edhe në mirëkuptimin ndërmjet dy përvojave fetare. Rëndësi ka të mos i harrojmë horizontet e largëta, e të mos kushtëzohemi nga ngjarje, që mund të hedhin hije të përkohshme, mbi atë, që vijojmë të bëjmë. Janë vetëm çaste. Nuk mund ta mbulojnë qiellin. Nuk mund të dyndin aq shumë re, sa ta errësojnë dialogun hebraiko-kristian.







All the contents on this site are copyrighted ©.