2012-01-16 18:45:25

Më 16 janar kalendari kujton shën Ticianin


Ticiani, ipeshkëv shenjt, jetoi në zonën e Venetos, që asokohe përfshinte Vittorio Veneto dhe një pjesë të mirë të Trevizos, në Itali.
Lindi në gjysmën e dytë të shekullit VI, në një familje fisnike të Eraklesë, në Veneto, qytet i lashtë, i cili deri në vitin 1950 quhej Grisolera.
Pati si mjeshtër Shën Florianin, ipeshkëv i Opitergium, Oderco aktual, nga i cili u shugurua diakon e meshtar dhe u caktua ekonom i dioqezës. Pas largimit të Florianit, i zu vendin si ipeshkëv, duke e vijuar me zell të jashtëzakonshëm veprimtarinë e paraardhësit. Jetoi si shenjt. Predikoi si gojartë. Iu kundërvu me të gjitha forcat herezisë ariane, tejet të përhapur në atë kohë. Nuk e pranoi skizmën istriane, e cila asokohe njihej me emrin “Tre kapitujt”.
Pëplot me shenjtëri e merita, Ticiani vdiq në Oderco (Opitergium), më 16 janar të vitit 632 e u varros në katedralen e tij, ku, sipas traditës ndodhen shumë mrekulli. Prej këndej lindi devocioni për Shenjtin, që shpejt u përhap edhe në vise të tjera.
Por nuk mbaroi në varr, rruga e Ticianit Ipeshkëv. Famljarët e tij dhe banorët e Eraklesë, i rrëmbyen reliket, duke dashur t’i rivarrosnin në vendlindje. Por odercianët i diktuan, i ndoqën pas e në fund, si i arritën, të dyja palët vendosën t’i ngarkonin në një varkë, ta lëshonin në lumin Livenca e ta linin të lundronte, derisa vetë Zoti t’u tregonte vendin ku Ticiani duhet të pushonte në amshim. Varka u ndal në një vend të vogël, të quajtur Settimo. Familjarët deshën ta rrëmbenin përsëri. E ngarkuan mbi një qerre dhe u vunë për udhë kah vendi i tyre. Por qetë u ndalën. E ata nuk munden kurrsesi t’i tundnin nga vendi. Panë, në këtë ngjarje, vullnetin e Zotit. Atëherë i lanë qetë të lirë ta çonin barrën e çmuar ku të donin. E ata u ndaluan në qytetin Çeneda, ku u ngrit edhe selia ipeshkvnore. Këto ngjarje ndodhën nga gjysma e shekullit VII.
Studiuesit besojnë se trupi i Shenjtit u mbart në Çeneda nga longobardët, të cilët ishin të interesuar ta transferonin atje edhe selinë ipeshkvnore.
Ndonëse me punët e Shenjtit u ngatëruan keqas edhe interesat e njerëzve, ai vijoi të bënte mrekulli. Prej këndej, në sa zhdukeshin qytetet, ku jetoi e predikoi, emri i tij mbeti në kujtesën e të krishterëve, në një mori dokumentesh e edhe në Martiriologun Romak, duke nisur nga viti 1584.Shën Ticiani, pajtor i dioqezës Vittorio-Veneto, që nga shekulli VII apostull i zonës, kremtohet më 16 janar. Reliket e tij nderohen në kriptën e katedrales së Çenedës, të vendosura në një urnë shumë të bukur bronzi të stilit neo-bizantin, në formë sarkofagu.







All the contents on this site are copyrighted ©.