2012-01-16 18:05:34

Laos: sekuestrohen një kishë e një ndërtesë kristiane, për “veprimtari fetare të paautorizuara”.


Në Laos autoritetet qeveritare të Savannakhet konfiskuan një kishë e një ndërtesë kristiane, në fshatin Nadaeng, me akuzën se aty zhvillohej veprimtari kulti e organizoheshin kremtime të paautorizuara. Episod i ri, ky, që u shtohet shkeljeve të tjera të panumërta të lirisë fetare, sinjalizuar nga Agjencia Fides, “Human Rights Watch” si dhe nga Organizata për Lirinë e Besimit e besimtarëve laosianë, me bazë në SHBA. Të paralajmëruar të mos kremtonin më, besimtarët e krishterë nuk u bindën, por e kremtuan Krishtlindjen e vijuan t’i përdorin ndërtesat edhe për kremtime të tjera fetare. U akuzuan menjëherë si armiq të Laosit, agjentë të imperialistëve të Perëndimit, që e përdorin fenë e krishterë për të rrëzuar sistemin e sotëm politik në Laos. Aktualiteti i shumë vendeve të largëta të botës, dëshmon se akuza të tilla, aspak të panjohura edhe për viset evropiane, nuk kanë marrë fund. Përsëriten në Azinë e largët, e mund të rikthehen edhe në Evropë… Gjon Pali II, gjatë shtegtimit baritor të 25 prillit 1993 në Shqipëri, u pati kujtuar shqiptarëve: “Është e drejtë të shikosh përpara për të rindërtuar një ardhmëri të lirë, me fytyrë njerëzore, por përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme… të paparë në rrjedhën e historisë…Nuk duhet harruar ç'ka ngjarë… nuk duhet harruar!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.