2012-01-13 20:14:57

Paraqitet në Prishtinë Mesazhi i Papës kushtuar Paqes


U paraqit sot në Prishtinë Mesazhi i Benediktit të XVI për Ditën e 45-të botërore të Paqes, kremtuar më 1 janarit e kaluar. Para mediave e publikut kosovar, në selinë ipeshkvnore të Kosovës, në kryeqytet, për mesazhin papnor folën regjisori Ekrem Kryeziu dhe saleziani don Dominik Qerimi. Që të dy relatorët nënvizuan porosinë dhe vlerën që mesazhi i Papës ka edhe për realitetin e sotëm kosovar, si nxitje për të ndërtuar dhe shikuar të ardhmen me optimizëm, duke u mbështetur në ndihmën e Zotit e në bashkëpunimin e sinqertë të njerëzve. Relatorët përshkuan e rilexuan në mënyrë të detajuar mesazhin e Papës Ratcinger kushtuar Paqes dhe përkujtuan protagonistët: të rinjtë dhe edukatorët. Po më hollësisht të dëgjojmë don Dominik Qerimin në mikrofonin e Radio Vatikanit.....RealAudioMP3
Në vijim botojmë fjalën e don Dominik Qerimit mbajtur sot në Prishtinë mbi mesazhin e Benediktit XVI për Ditën e 45-të Botërore të Paqes me temën: “Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë dhe të paqes”.
Porosia e shenjtërisë së tij Papa Benediktit XVI
për kremtimin e ditës botërore të paqes më 1 janar 2012

Kur festojmë fund-vitin apo të fillim-vitin, që në gjuhën popullore e quajmë festa e Vitit të ri, në mendje tonë shfaqen si të imponuesme imazhe të ndërthurura me momente gëzimi, urimesh, muzike, humori, bashkimi familjesh dhe miqsh, tryezash të tejmbushura me ushqimet dhe pijet më të parapëlqyera, drita, fishekzjarrë, si dhe shumë e shumë gjëra tjera, që tashmë janë bërë pjesë e pandashme e mënyrës dhe kulturës sonë të të festuarit Vitin e Ri. Megjithatë në mesi e gjithë kësaj “rrëmuje ndjenjash dhe përjetimesh gëzimi”, është një obligim moral, shpirtëror dhe jetësor që me rastin e këtyre festave të bëjmë një “shqyrtim të dyfishtë”.
Do ishte e padrejtë që të me këtë rast të mos ndalemi një çast për të pyetur veten: “Si i kemi kaluar 365 ditët e vitit që po mbyllet?” - dhe të falënderojmë Jetën dhe Autorit saj për çdo çast që kemi kaluar, sepse fundja e fundit: çdo çast dhe çdo gjë kemi na është dhuruar falas. Bashkë me ndjenjë përgjegjësie dhe falënderimit për atë që kemi marrë, është e natyrshme që me rastin e fillimit të Vitit të Ri të shprehim dëshirën, urimin dhe lutjen tonë për 365 që na presin dhe në këtë dëshirë/urim/lutje të përfshimë gjithçka që ndjejmë si të mirë dhe të dobishme për ne dhe për ata që na rrethojnë.
Mendoj se pikërisht duke u nisur nga ky koncept i falënderimit dhe i urimit, në ditën e parë të vitit, Ati i shenjtë u drejton të gjithë të krishterëve dhe të gjithë “njerëzve vullnetmirë” në mbarë botën, atë që është edhe urimi/dëshira/lutja dhe porosia e Kishës për mbarë njerëzimin. Me rastin e fillimit të viti 2012, ashtu siç është tashmë traditë 45 vjeçare në Kishë, Ati i shenjtë, papa Benedikti XVI e ka drejtuar Mesazhin e tij për kremtimit të Ditës Botërore të Paqes (DBP), me titullin: “Të edukohen të rinjtë për drejtësi dhe për paqe”.

Një panoramë e shkurtë historike mbi kremtimin e DBP
DBP është një moment i kremtuar nga Kisha katolike më datën 1 janar të çdo viti. Qëllimi i kësaj Dite është dëshira që në ditën e parë të fillimit të vitit të ri kalendarik t’i kushtohet rol të veçantë meditimit/shqyrtimit dhe lutjes për paqe.
Ky kremtim është themeluar nga papa Pali VI, me një porosi të 8 dhjetorit 1967 dhe është kremtuar për herë të parë më 1 janar 1968. Porosia e themelimit të kësaj DBP fillon me fjalët: “U drejtohemi të gjithë njerëzve vullnetmirë dhe i nxisim që të kremtojnë “Ditën e Paqes”, në tërë botën, ditën e parë të vitit më 1 janar 1968”. (nga Mesazhi i DBP më 1 janar 1978) Në këtë ditë (ditën e parë të viti) Ati i shenjtë, kreu i Kishës katolike u dërgon Krerëve të Shteteve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë një porosi me anë të së cilës ai i fton ata në meditim/shqyrtim mbi temë e paqes.
Që të kuptojmë më mirë atë që porosia e DBP të këtij viti përmban në vetvete, është me rëndësi të kujtojmë se ky është viti 45 që kremtohet kjo ditë dhe se ajo që paraqitet në këtë mesazh/porosi, është pjesë e një vazhdimësie të atyre thirrjeve, të atyre porosive që edhe tre papët pararendës i kanë drejtuar “të gjithë njerëzve vullnetmirë”, të gjithë qytetarëve të botës. Nuk është e mundur që këtu të paraqes të gjitha temat e DBP që nga viti 1968, por mendoj se është e rëndësishme që të kujtojmë disa prej tyre, veçanërisht ato porosi që janë ngushtë të lidhura edhe me temën mesazhit të këtij viti.
Papa Pali VI ka kremtuar për njëmbëdhjetë vite DBP, mbi temat në vijim:

Papa Gjoni Pali II nga viti 1978 – 2005 (periudha e pontifikatit të tij) ka kremtuar 27 herë DBP mbi tema të shumta, siç janë:

Ndërsa Ati i shenjtë, Benedikti XVI, i cili aktualisht e udhëheqë Kishën katolike, ka kremtuar gjer tani shtatë herë bashkë me porositë përkatëse:

Ndonëse rrethanat historike të vitit 2012 kanë ndryshuar, megjithatë nevoja dhe urgjenca e një angazhimi të fortë dhe konkret për të ndërtuar një shoqëri paqeje, mbetet edhe sot e kësaj dite një ultimatum për kohën dhe shoqërinë tonë. E pashë të arsyeshme të rikujtoj se porosia e Atit të shenjtë Benediktit XVI me rastin Ditës Botërore të paqes, është thirrje dhe apel që qëndron në vazhdimësi me gjitha ato thirrje, ato porosi, ato nxitje që Kisha i ka bërë besimtarëve të krishterë dhe mbarë njerëzimit me rastin e këtij kremtimi në këto 45 vitet e fundit, përmes Udhëheqësit të vet.

“Të edukohen të rinjtë për drejtësi dhe për paqe”
Në një kohë dhe në një realitet siç është ky i yni, në të cilin të gjithë e kanë gojën plot me fjalët “edukim, drejtësi, paqe” duket pothuajse e tepër që të humbim kohën duke dëgjuar edhe një fjalim tjetër mbi edukimin, mbi drejtësinë dhe mbi paqe. Megjithatë për të gjithë ata që e kanë lexuar këtë porosi të Atit të shenjtë, përfshirë këtu edhe atë që po ju paraqet këtë dokument, mund t’ju dëshmojnë se nuk është kështu. Sepse porosia e Atit të shenjt nuk është vetëm një “flactus vocis” (fjalë që e merr era), por në të vërtetë prek mu në zemër të personit tonë, të shoqërish dhe të të gjithë njerëzve vullnetmirë.
Konceptet bazë që udhëheqin tërë këtë porosi/thirrje nga ana Atit të shenjtë siç janë: edukimi, drejtësia, paqja, e vërteta, liria, janë koncepte shumë të njohura nga ne, e prapë se prapë shumë herë të kuptuara dhe të jetuara në mënyra shumë të ndryshme. Qoftë në sferën e jetës politikë, qoftë në jetën shoqërore, qoftë në atë fetare, qoftë në atë personale/individuale të gjithë ne e dimë dhe e themi se edukimi, drejtësia, paqja, e vërteta, liria... janë elemente të rëndësishme që duhet kultivuar, janë “conditio sine qua non” (kusht i domosdoshëm) për ndërtimin e një shoqërie që dëshiron të ketë një të ardhme, e megjithatë jemi po të njëjtit ne që - në politikë, në shoqëri, në ambientet edukuese, në jetën private...e pse jo shumë herë edhe në “hapësirat fetare” – bëhemi pengesa më e madhe e realizimit të tyre.
Edhe subjektet të cilave u drejtohet kjo porosi: të rinjtë, familja, institucionet e edukimit, përgjegjësit politik, mas mediat, janë pjesë përbërëse e të përditshmes sonë, por në të njëjtën kohë që ne njohim dhe e theksojmë rëndësinë e tyre dhe kontributin që ato munden dhe duhet ta japin në ndërtimin e një shoqërie “të drejtë dhe në paqe”, në të njëjtën kohë po të njëjtat subjekte janë më të rrezikuara që drejtësinë e paqen ta shohin si një “utopi të parealizueshme”, po të njëjtët subjekte rrezikojnë të shkatërrohen dhe të bëhen pengues të edukimit, promovues të “filozofisë së padrejtësisë pragamatike” si dhe shkatërrues të paqes.
Porosia e këtij viti, mbi temën “Të edukohen të rinjtë për drejtësi de për paqe”, përpiqet që të jep së pari kuptimin dhe domethënien që në Kishë kanë këto koncepte dhe më pas të mos ndalet vetëm në shprehjen e një dëshire për të mirën tepër abstrakte, por të nxisë edhe në hapat konkret të realizimit të këtyre nxitjeve. Është detyrë e jona, e imja dhe e juaja, më pas që gjatë këtij viti 2012 të konkretizojmë këto porosi, këto nxitje, në jetën e përditshme, të shoqërisë, të familjes dhe në jetën personale.
Urimi i parë që hap këtë porosi është ftesa që Ati i shenjtë u bën të gjithëve, “që të shikojnë vitin 2012 me besim”. Ky urim dhe kjo ftesë bëhen si kundërpërgjigje në atë që quhet “ndjenja e frustrimit për krizën që është duke mundura shoqërinë, botën e punës dhe ekonomisë”. Ky shikim i së ardhmes me sytë e optimizmit dhe të shpresës u kërkohet veçanërisht të rinjve, “duke marrë para sysh kontributin që mund dhe të duhet t’i japin shoqërisë... i bindur se ata [të rinjtë] me entuziazmin e tyre dhe me shtytjen e tyre drejt idealeve, mund t’i ofrojnë një shpresë të re botës.”
Koncepti thelbësor i porosisë së Papës është roli protagonist i të rinjve për të gjitha çështjet me të cilat ballafaqohemi në shoqëri. Sipas Atit të shenjtë janë dy shtylla themelore mbi të cilat edukimi i të rinjve duhet të lulëzojë: edukimi për drejtësi dhe edukimi për paqe. “Kisha i shikon të rinjtë me shpresë, ka besim në ta dhe i nxit që ta kërkojnë të vërtetën dhe të mbrojnë të mirën e përbashkët”.

Përgjegjësit e edukimit
2. Në pjesën, pas një hyrjeje që bëhet duke shtjelluar kuptimin etimologjik të fjalës edukim (lat. educare – ta nxjerrësh jashtë vetvetes dhe ta fusësh në realitet, drejt një plotësie që e bën personin të rritet) u bëhet thirrje ju bëhet të gjithë atyre që janë përgjegjës të edukimit dhe thekson faktin se procesi i edukimit kërkon përgjegjësinë qoftë nga ana e tëri fëmijëve/rinjve, “që të jenë të hapur dhe ta lënë veten të drejtohen në njohjen e realiteti”, qoftë edukatorëve që të jenë të gatshëm ta dhurojnë vetveten, sepse “sot më shumë se kurrë janë të nevojshëm dëshmitarë të vërtetë. Dëshmitarë i vërtetë është ai që jeton në veten e parë ecjen që propozon”.
Kjo porosi u drejtohet subjekteve kryesore që janë të përfshirë në procesin e edukimit: familjes (bërthamës së parë të shoqërisë dhe djepit të edukimit), institucioneve edukuese, shtresës së përgjegjësve politik dhe botës së mediave. Çdonjëri prej këtyre tre subjekteve, sipas mjeteve që ka në gatishmëri dhe sipas përgjegjësive që ka ndaj shoqërisë është dhe duhet të jetë edukator i gjeneratave të reje dhe duhet të marrë përgjegjësinë e detyrimeve përkatëse.
Familja: protagonisti parësorë, qoftë në aspektin kohorë qoftë për rëndësinë dhe përgjegjësinë që ka, sepse në familje fëmijët dhe të rinjtë marrin ose jo, edukimin e duhur për ndërtimin e një bashkëjetese paqësore. Në familje të edukuarit “mësojnë të kenë respekt ndaj të tjetrit, solidaritet ndaj nevojtarëve, nevojën e mbajtjes së rregullave, aftësinë dhe domosdoshmërinë e faljes dhe mbi të gjitha domosdoshmërinë e pranimit të tjetrit”. Në këtë detyrë edukuese prindërit duhet të kenë si mjet parësor “shembullin e jetës së tyre”.
Institucionet edukuese: “duhet të vigjilojnë me një ndjenjë të madhe përgjegjësie me qëllim që dinjiteti i çdo personi të respektohet dhe të vlerësohet në çdo rrethanë. Të kujdesen që çdo i ri të mund të zbulojë thirrjen e vet... Uroj që çdo mjedis edukativ të jetë një vend i hapur ndaj trashendentes dhe të tjerëve...Vend ku i riu duhet të mësojë të marrë pjesë në mënyrë aktive në ndërtimin e një shoqërie më njerëzore dhe më vëllazërore”.
Thirrja e tretë i bëhet përgjegjësve politikqë të ndihmojnë konkretisht familjet dhe institucione edukative për të ushtruar të drejtën dhe detyrën e tyre të edukimit.” Duhet të veprojnë “në atë mënyrë që askujt të mos i mohohet mundësia për t’u arsimuar dhe familjet të kenë mundësinë të zgjedhin lirisht strukturat edukative që u duken më të përshtatshme për të mirën e fëmijëve të tyre... Duhet t’u ofrojnë të rinjve një imazh të pastër të politikës, si shërbim i vërtetë për të mirën e të gjithëve”.
Thirrja e katër i drejtohet botës së medieve, duke theksuar rëndësinë dhe kontributin e tyre edukativ. Ato [mjetet e komunikimit] “jo vetëm të informojnë por edhe formojnë shpirtin e të rinjve”. Lidhja e edukimit dhe komunikimit është e pandashme meqenëse edukimi “ndodh përmes komunikimit, që ndikon, pozitivisht apo negativisht në formimin e personit.” Pas kësaj nxitjeje që u bëhet mjeteve të komunikimit thirrja u bëhet të rinjve që i përdorin ato: “të kenë forcën për të përdorur mirë dhe me vetëdije lirinë meqë edhe ata janë përgjegjës të edukimit të tyre dhe të formimit për drejtësi dhe paqe”.

Të edukosh për të vërtetën dhe për lirinë
Shën Augustini pyet: “Quid enim fortius desiderat anima quam veritaten?”A thua çfarë kërkon shpirti i njeriut më fort se sa të vërtetën?”. Meqenëse formimi ka të bëjë me “formimin e plotë/tërësor të personit” për të arritur këtë qëllim para së gjithash “duhet të dish se kush është personi njerëzor dhe ta njohës natyrën e tij.” Andaj duke u nisur nga pyetja themeloje që duhet të bëjmë “Kush është njeriu?” Benedikti XVI përgjigjet në mënyrë shumë koncize: “është një qenie që bart në zemër një etje për amshim, një etje për të vërtetën sepse njeriu është krijuar në përngjasimin e vetë Hyjit.” “Të mësojmë të njohim te njeriu përngjasimin në Krijuesin, ka si rrjedhojë respektin e thellë për çdo qenie njerëzore” – në këtë qëndron edukimi i parë i njeriut në realizimin e dinjiteti të tij njerëzor. “Fecisti nos ad te Domine, et inquietum est cor nostrum donec requiescat in te.” – Na bëre për vete, o Zot, dhe zemra jonë nuk gjënë paqe gjersa të pushoi në ty.” (Confess. 1, 1, 1)
Vetëm në marrëdhënie me Hyjin njeriu kupton edhe domethënien e lirisë së vetë” të vërtetë. Në lidhje me këtë porosia thekson edhe një element tjetër që shkon kundër asaj që Nënë Tereza e quan “rrënja e çdo të keqeje” dhe që është egoizmi në të cilin njeriu mbyllet në vetvete duke besuar “se është absolut, se nuk varet prej asgjëje dhe prej askujt, se mund të bëjë çfarë të dojë”, në këtë mënyrë njeriu i kundërvihet së vërtetës së qenies së vet” duke e zëvendësuar Krijuesin me absolutizmin e uni-t dhe duke humbur kështu. Meqenëse njeriu është një qenie që jeton “në marrëdhënie me tjerët dhe sidomos me Hyjin, liria e vërtetë nuk mund të arrihet kurrë në largimin prej Tij.”
Fenomen shumë i përhapur në shoqëri dhe pengesë e madhe në veprën e edukimit është “relativizmi”, bindje kjo me anë së cilës, njeriu nuk njeh “asgjë për përfundimtare” dhe kështu secili “gjendet i mbyllur brenda ‘unit’ të vet”. Në një horizont të tillë relativizmi edukimi i vërtetë është i pamundur. Në të kundërtën “në thellësinë e ndërgjegjes së ti, njeriu zbulon një ligj që nuk e vendos/cakton ai, por të cilit duhet t’i bindet dhe zëri i të cilit e thërret për të dashur dhe për të bërë të mirën dhe për t’iu shmangur së keqes”. Andaj “ushtrimi i lirisë është ngushtë i lidhur me ligjin moral natyror dhe ka karakter universal duke vënë bazën e bashkëjetesës së drejtë dhe paqësore mes personave.”

Të edukosh për të drejtën
“Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!” (Mt 5, 6) Do të ngihen sepse kanë uri dhe etje për marrëdhënien e drejtë me Hyjin, me vetveten, me vëllezërit dhe motra e tyre dhe me tërë krijimin.
Andaj koncepti i drejtësisë nuk mund të ndahet assesi nga vetmi burim i drejtësisë që është Zoti: “Në një botë të kërcënuar seriozisht nga kriteri i utilitarizmit/dobishmërisë dhe përfitimit, koncepti i drejtësisë nuk guxon të ndahet prej rrënjëve të saj trashendente... Drejtësia nuk është thjesht një konvencion/marrëveshje njerëzore, sepse ajo që është e drejtë, në zanafillën e saj nuk përcaktohet prej ligjit pozitiv, por prej identitetit të thellë të qenies njerëzore... Këtë gjë e krijon vizioni integral i njeriut... Një vizion i drejtësisë mbështetur në parimet ekonomike, të racionalizmit dhe të individualizmit e shkëpusin konceptin e drejtësisë prej rrënjëve të saj transcendente dhe si pasoj e kësaj e shkëpusin edhe prej dashurisë dhe prej solidaritetit.”

Të edukosh për paqen
Paqja dhe drejtësia dy koncepte të pandashme nga njëra tjetra. “Paqja nuk është thjesht mungesë lufte apo nuk mund zvogëlohet në vendosjen e ekuilibrit mes forcave së kundërta. Paqja në tokë nuk mund të arrihet pa mbrojtjen e të mirave të personit, pa lirinë e komunikimit mes personave njerëzorë, pa respektimin e dinjitetit të personave dhe të popujve, pa praktikimin e pareshtur të vëllazërisë(Katekizmi i Kishës Katolike nr. 2304).
Paqja është fryt i drejtësisë dhe efekt i dashurisë. Paqja është para së gjithash dhuratë e Hyjit. Ne të krishterët besojmë se Krishti është paqja jonë e vërtetë: në Të, në Kryqin e tij, Hyji e ka pajtuar botën me Veten e Vet dhe ka përmbysur murin që na ndante prej njëri-tjetrit (krh. Ef 2,14-18).” Prandaj Dashuria e mishëruar që vdes në kryq për të shlyer mëkatet, për të marrë mbi vete mëkatet tona, është paqja e vërtetë e njeriut me vetveten, me vëllain njeri, me gjithë krijimin dhe me vetë Krijuesin.
Në përmbylljen e porosisë së tij për DBP Ati i shenjtë u drejtohet me një ton atëror dhe shumë të përzemërt të rinjve: “Fort të dashur të rinj, ju jeni një dhuratë e çmueshme për shoqërinë. Të gjithëve, në veçanti të rinjve, dua t’u them me forcë: ‘Nuk janë ideologjitë që e shpëtojnë botën, por vetëm të drejtuarit Hyjit të gjallë, që është krijuesi ynë’.” “Vallë, çfarë do të na shpëtonte përveç dashurisë?” (Benedikti XVI).
Paqja, për realizimin e saj, ka nevojë për njerëz të guximshëm, për njerëz që ëndërrojnë dhe luftojnë për një të ardhme më të mirë, për njerëz që kanë vullnet dhe forcë të “ndryshojnë”... e kush më shumë se të rinjtë mund ta bëj këtë gjë? Prandaj, fjalën mbyllëse, Ati i shenjtë u drejton së pari të rinjve bashkë me vlerësimin dhe thirrjen: “Fort të dashur, ju jeni një dhuratë e çmueshme për shoqërinë. Mos e lini veten të humbni guximin dhe të dëshpëroheni përballë vështirësive dhe mos e lini veten të bini pre e zgjedhjeve të lehta... Jetoni me besim rininë tuaj dhe ato dëshira të thella lumturie, të vërtete, bukurie dhe dashurie të vërtetë! Jetoni intensivisht këtë stinë të jetës kaq të pasur dhe plot me entuziazëm... mos u mbyllni në vetvete, por mësoni të punoni për një të ardhme më të shndritshme për të gjithë.
Nuk jeni kurrë vetëm, Kisha është me ju dhe ju përcjellën çdo hap të jetës suaj”
Duke përdorur një gjuhë sportive dhe rinore (meqenëse subjekti kryesor i porosisë janë të rinjtë), paralelizmi na kujton takimin e trajnerit me ekipin e tij në dhomat e zhveshjes, kur u jep atyre udhëzimet përfundimtare, para se të fillojë ndeshja për të zhvilluar një ndeshje të suksesshme dhe që jep rezultat. Por shumë pak do vlenin, stërvitja gjatë javës dhe udhëzimet pra loje, nëse lojtarët më pas nuk zbresin në fushë dhe nuk i përkthejnë në lojë atë që drejtuesi i ekipit u ka kërkuar.
Shumë pak do na vlente ky takim, kjo porosi, kjo nxitje nga ana e Atit të shenjtë, papës Benediktit XVI, që na është drejtuar në ditën e parë të vitit 2012, nëse në 365 ditët në vijim nuk do dimë t’i përkthejmë këto porosi në jetën tonë konkrete, me vendime dhe veprime të konkrete, në radhë të parë në jetën tonë personale, në familjet tona, në institucionet edukative, në rrethin dhe shoqërinë ku jetojmë dhe në mbarë botën.
Prandaj e mbyll këtë koment dhe këtë përpjekje të rileximit të kësaj porosie me fjalët mbyllëse dhe me apelin që Ati shenjt na e drejton në fund të këti mesazhi: “Ju të gjithëve, burra dhe gra që e keni për zemër çështjen e paqes! Paqja nuk është një e mirë që e kemi arritur tashmë, por një qëllim drejt të cili të gjithë aspirojmë të shkojmë. Ta shikojmë me më shumë shpresë të ardhmen... të punojmë për t’i dhënë botës sonë një fytyrë më njerëzore dhe më vëllazërore. Ju drejtoj apelin tim: t’i bashkojmë forcat tona, shpirtërore, morale dhe materiale “për t’i edukuar të rinjtë për drejtësinë dhe për paqen”.
Përgatiti:
Don Dominik-Skender Qerimi, sdb








All the contents on this site are copyrighted ©.