Më 13 janar kalendari përkujton shën Hilarin e Puatjesë
Sot më 13 janar kalendari Kishtar përkujton festën e shën Hilarit të Puatjesë, ipeshkëv
e doktor i kishës, një figurë e madhe e mendimit teologjik, mbrojtës i palodhshëm
i të vërtetave të fesë së krishterë, luftëtar i patrembur i herezive fetare të kohës
së vet. Hilari, i lindur në Puatje të Francës rreth vitit 315, ishte pagan që kërkonte
me etje dritën e nevojshme për të gjetur kuptimin e jetës. Kërkimin e nisi në doktrinat
neoplatonike, për të arritur, më pas, tek Bibla, tek krishterimi, tek drita. Pronar
fisnik tokash, i martuar e me një vajzë, pas pagëzimit u zgjodh ipeshkëv i Puatjesë.
Luftoi herezinë ariane, duke shkruar disa vepra, më e famshmja e të cilave është
‘De Trinitate’. Në këtë vepër ipeshkvi shenjt mbrojti në mënyrë të pakundërshtueshme
besimin në Trininë e në Hyjninë e Krishtit. Shkroi edhe komente të shquara të Psalmeve
e të Ungjillit sipas Mateut. Por, me që arianët ishin nën mbrojtjen e perandorit Kostanci,
i cili i miratoi vendimet e sinodit arian, mbajtur në vitin 356 në Béziers, ipeshkvi
i Puatjesë u internua në Frigji, ku kaloi katër vjet. Edhe gjatë këtyre vjetëve
vijoi t’i thellonte studimet: mësoi greqishten, zbuloi veprat e Origjenit dhe gjithë
prodhimin e Etërve lindorë, duke siguruar, kështu, një dokumentim të dorës së parë
për librin ‘De Trinitate’ që i dha titullin Dijetar i Kishës. Është traktati më i
rëndësishëm e më i thellë që ishte shkruar deri asokohe mbi dogmën kryesore të fesë
së krishterë. E nuk u mjaftua me kaq: nga internimi, sulmoi me guxim të jashtëzakonshëm
atë që ia kishte në dorë vetë jetën, perandorin Kostanci, duke e kritikuar ashpër
pse pretendonte të sundonte edhe Kishën e pse përzihej në diskutimet teologjike e
në punët e brendshme të disiplinës kishtare, të cilat nuk i takonin. Posa u rikthye
në seli, ipeshkvi guximtar rifilloi veprimtarinë baritore. Pati si bashkëpunëtor ipeshkvin
e ardhshëm të Turit, Shën Martinin. Vdiq në vitin 367. Mbeti në kujtesën e Kishës
si polemist i mprehtë e guximtar, por edhe si Atë e Bari i vërtetë i grigjës që i
qe besuar. Njerëzor në luftë e më se njerëzor në fitore, mbrojti gjithnjë ipeshkvijtë
që e pranonin gabimin, duke u njohur edhe të drejtën të vijonin drejtimin e selive
të tyre. Piu IX e shpalli ‘Doktor i Kishës’. Emri Hilar vjen nga latinishtja e do
të thotë ‘gëzim’. Simboli i shenjtit është shkopi baritor.