Kryeministri Berisha priti ministrin e jashtëm Hoxhaj
"Festimet për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë përbëjnë një moment të rëndësishëm
për tu ndalur dhe nderuar historinë, sakrificat dhe përpjekjet e kombit për liri,
pavarësi e dinjitet", vlerësuan sot Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ministri
i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj gjatë një takimi të zhvillua në ambientet e kryeministrisë
së Tiranës. Zyra e shtypit e qeverisë shqiptare bëri të ditur se gjatë këtij takimi,
Kryeministri Berisha i shprehu ministrit kosovar Hoxhaj vlerësimet më të mira për
faktin që shteti më i ri i Evropës, Republika e Kosovës, është shndërruar dhe po shndërrohet
përditë e më shumë në një faktor real të paqes, stabilitetit, sigurisë, bashkëpunimit
e miqësisë në rajon. Ndërsa kryediplomati kosovar shprehu mirënjohjen e qeverisë
së Kosovës dhe të gjithë popullit të saj për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Kryeministri
Berisha personalisht dhe qeveria shqiptare e Shqipëria i kanë dhënë Kosovës gjatë
gjithë kësaj periudhe, në veçanti për njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës,
ashtu edhe për konsolidimin e rolit të merituar të Kosovës në bashkëpunimin rajonal
e më gjerë. Në takim u pohua vendosmëria e të dy qeverive për të eliminuar çdo
pengesë burokratike, në mënyrë që midis qytetarëve të të dy vendeve t'u mundësohet
intensifikimi më i lartë i lidhjeve e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, të biznesit,
kulturore etj., në shërbim të interesit më të mirë e prosperitetit të tyre, si dhe
të zgjerimit të bashkëpunimit të miqësisë në mbarë rajonin. Në këtë kontekst, qeveritë
e të dy vendeve do të punojnë ngushtësisht për të garantuar kuadrin më të përsosur
ligjor në shkëmbimet midis dy vendeve, të njëjtë me atë që aplikojnë vendet e Bashkimit
Evropian në marrëdhëniet mes tyre. Më tej kreu i ekzekutivit dhe ministri kosovar
ripohuan vizionin e palëkundur të të dy vendeve se ardhmja më e mirë e shqiptarëve
dhe e gjithë rajonit është e mbetet integrimi i plotë në Bashkimin Evropian i Shqipërisë,
Kosovës dhe të gjitha vendeve të rajonit. Në këtë kontekst, u vlerësua rëndësia
e jashtëzakonshme që edhe qytetarëve të Kosovës t'u jepet mundësia për lëvizje të
lirë në hapësirat evropiane ashtu si edhe të gjithë qytetarëve e tjerë të rajonit,
çka do t'i shërbejë forcimit të stabilitetit në rajon dhe zgjerimit të bashkëpunimit
të qytetarëve të Kosovës me ata të Bashkimit Evropian. (ATSH-ja)