Kosovë: Jahjaga protestat të jenë paqësore, jo shkeljes së ligjit, jo dhunës
Paralajmërimi i Lëvizjes "Vetëvendosje" për organizimin e protestave paqësore, për
bllokimin e mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia, dhe për bllokimin e pikave kufitare
në Merdarë dhe të Dheu i Bardhë ka nxitur shqetësimet për mbarëvajtjen e këtyre protestave
dhe për efektin e këtyre veprimeve, thekson Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga. Në
një deklaratë të dhënë pak më parë për protestën e paralajmëruar për nesër të Lëvizjes
Vetëvendosje, Presidentja Jahjaga shton se "e drejta e qytetarëve për të protestuar
dhe në këtë mënyrë për të shprehur shqetësimet e tyre për një çështje është e drejtë
legjitime dhe është e rregulluar edhe me Ligjet e Republikës së Kosovës. Organizimi
i protestave paqësore nga një subjekt politik parlamentar, në këtë rast nga Lëvizja
'Vetëvendosje', ngërthen më vete përgjegjshmërinë për formën, qëllimin, zhvillimin
dhe mbarëvajtjen e protestës". Si Presidente e Republikës së Kosovës, shprehet
Jahjaga, angazhohem për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për adresimin
e të gjitha çështjeve brenda institucioneve dhe në zbatim të plotë të ligjit. "Përcaktimin
e 'Vetëvendosjes' për të dalë në rrugë nuk e shoh si shterje të mundësive të veprimit
brenda institucioneve të vendit. Ashtu si edhe në çdo rast tjetër, shpreh qëndrimin
tim të fuqishëm si Presidente e vendit, kundër veprimeve që pengojnë qarkullimin e
lirë të njerëzve dhe të mallrave. Vendi ynë ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie
të mira ndër-fqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të
plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë. Në këtë
rrugë tonën, si vullnet i yni i përbashkët, është parakusht respektimi i standardeve
dhe i proceseve demokratike, lirive dhe të drejtave individuale dhe kolektive dhe
respektimi i të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore, si dhe konventave ndërkombëtare",
thekson Presidentja Jahjaga. Ajo thërret të gjithë qytetarët të mos bllokojnë
rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet
e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave. "Thirrja
për reciprocitet nuk mund të shërbejë për veprime kufizuese dhe penguese, sepse synimi
ynë si shtet dhe si shoqëri demokratike me vizionin e integrimeve euroatlantike është
hapja, bashkëpunimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira me të gjithë, si shtet sovran
dhe i pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë", thekson në deklaratë
Presidentja Jahjaga.