2012-01-13 17:01:31

Atë Antonio Spadaro: “Ka ardhur koha për një kiberteologji”


Drejtori i revistës së jezuitëve flet në gazetën ‘L’Osservatore Romano’ për kufijtë e rinj të komunikimit dixhital
Drejtori i së përditshmes së Selisë së Shenjtë, “L’Osservatore Romano”, Gjovani Maria Vian, në një bisedë interesante me atë Antonio Spadaro-n, që nga 1 tetori në krye të “Civiltà Cattolica”, vë theksin mbi temën e revolucionit dixhital dhe të ndikimit të tij të fuqishëm mbi mënyrën e jetesës, të mendësisë si dhe mbi pasojat, lidhur me përmasën e religjonit e të fesë së krishterë.
“Rrjeti dhe kultura e kiberhapësirës kërkojnë nga ne aftësi për të formuluar e për të dëgjuar një gjuhë simbolike, që të flasë për mundësitë e për shenjat e transhendencës në jetën tonë” - shprehet drejtori.
Ndoshta - shtoi rregulltari jezuit - ka ardhur koha e vlerësimit të mundësive, që krijohen për ta shfrytëzuar edhe atë, të cilën unë e quaj kiberteologji, domethënë, mprehtësi e fesë në kohën e Rrejtit. Është fryt i fesë, që çliron nga vetvetja një shtysë njohëse, në një kohë kur logjika e Rrjetit shënon mënyrën e mendimit, të njohjes, të komunikimit e të të jetuarit. Interneti, vijon drejtori i ‘Civiltà Cattolica’, është një hapësirë e asaj përvoje, e cila gjithnjë më shumë po bëhet pjesë plotësuese e jetës së përditshme. Është një kontekst i ri ekzistencial. Nga ndikimi i tij varet, në një farë mënyre, vetë perceptimi i vetvetes, i të tjerëve, i botës që na rrethon dhe i asaj, që nuk e njohim akoma.
E drejtori i ‘Civiltà Cattolica’ nuk është i vetmi në botën kishtare katolike, që e tregon me gisht rrjetin, si mjet i ungjillëzimit dhe i përmasës fetare. Pak ditë më parë, në mjetet e ndryshme të komunikimit, u dha lajmi lidhur me mundësinë për të ndjekur homelitë përmes Twitter-it; ndërsa dje ‘L’Ossevatore Romano’ e preku edhe një herë këtë argument, me një koment të imzot Hervé Zhiro, ipeshkëv francez i Suason, kryetar i Këshillit të Konferencës ipeshkvnore franceze për komunikimin .
Në fund të fundit, pohon prelati - edhe lutjet shigjetore janë lutje-spot, me pak rrokje ose, në se mund t’i quajmë kështu, twitt ante literam: pse atëherë, të mos bëjmë të njëjtën gjë me komentet e Shkrimit Shenjt, duke hedhur në rrjet mesazhe, që kanë vetëm 140 fjalë a fjali, ose edhe përgjigje, të holla, lidhur me pyetjet më shqetësuese për shpirtin e njeriut?







All the contents on this site are copyrighted ©.