2012-01-12 13:53:21

Papa administratorëve të Romës e të Lacios: duhet mikpritje, solidaritet, ligjshmëri, për ta shikuar me besim të ardhmen.


Kriza ekonomike, kujdesi për sigurinë, impenjimi për solidaritetin: këto ishin tri temat kyçe të fjalimit të Papës, drejtuar sot paradite kryetarit të Bashkisë së Romës, Gjani Alemano; kryetares së Zonës së Lacios, Renata Polverini dhe kryetarit të Provincës kapitoline, Nikola Xingareti, të cilët i priti në audiencën tradicionale për shkëmbimin e urimeve të vitit të ri.
Benedikti XVI i nxiti përfaqësuesit institucionalë të ndihmojnë famijet, e sidomos, të rinjtë, të cilët vuajnë më shumë se të tjerët, për shkak të mungesës së punës.

“Mikpritja, solidariteti, ligjshmëria janë vlera themelore, pa të cilat viti i ri, që sapo filloi, nuk mund të shikohet me qetësi” u kujtoi Papa administratorëve të Romës e të Lacios, pa harruar edhe vështirësitë e krijuara nga kriza ekonomiko-financiare, që peshon më shumë mbi qytetarët e thjeshtë. Krizë kjo, shpjegoi Papa, që i ka rrënjët e veta më të thella, në krizën etike. Prandaj bëri thirrje për përtëritjen e humanizmit, që ka në qendër njeriun:
“Kriza aktuale ka në rrënjët e veta edhe individualizmin, që errëson përmasën e lidhjeve ndërmjet njerëzve dhe e shtyn njeriun të mbyllet në botën e tij të vogël, të kujdeset për të plotësuar vetëm nevojat e dëshirat e veta, duke mos u shqetësuar fort për të tjerët”.
Papa kujtoi edhe disa nga të këqijat kryesore të kësaj mendësie individualistike: spekullimet me qiratë e banesave, hapjen gjithnjë më ngadaltë të vendeve të reja të punës për të rinjtë, vetminë e pleqve e indiferencën përballë njerëzve, që jetojnë në mjerim. Duhet rizbuluar lidhja me Zotin, nënvizoi me forcë Papa, e ky është edhe hapi i parë në rrugën ndërtimit të një shoqërie më njerëzore. Më pas theksoi se …
“Është kërkesë dashurie e drejtësie që, në çaste të vështira, ata që kanë më shumë mundësi, të kujdesen për ata, të cilët jetojnë në kushte të papërshtatshme”.
Prej këndej, Ati i Shenjtë kujtoi familjet, posaçërisht ato me shumë fëmijë, në kushte gjithnjë më të rënda, për shkak të krizës. Kërkoi të ndihmohen edhe përmes lehtësimit të taksave e t’u krijohen kushte dinjitoze jetese prindërve e fëmijëve të tyre. Më pas u ndalua tek të rinjtë, gjithnjë më të shqetësuar për shkak të mungesës së vendeve të punës:
Një shoqëri solidare duhet ta ketë përherë për zemër ardhmërinë e breznive të reja, duke vënë në jetë politika të përshtatshme, që garantojnë një banesë me çmim të drejtë e u krijojnë të gjithëve mundësinë sigurimin e vendit të punës”.
Përndryshe, të rinjtë mund të bëhen viktima të organizatave të paligjshme, që ofrojnë fitime pa shumë djersë, pa e respektuar fare vlerën e jetës njerëzore. Kujtoi edhe promovimin e kulturës së ligjshmërisë, Papa, gjithnjë në shërbim të së mirës së përbashkët, duke i bindur qytetarët se ligjet nuk janë kundër tyre, por shërbejnë për të kanalizuar të gjitha energjitë pozitive të shoqërisë, për promovimin e së mirës së përbashkët.
Nuk i harroi Benedikti XVI, as ata, që arrijnë në qytetet italiane e trokasin në portat e shtëpive të të tjerëve, duke ngjitur me shumë trishtim, shkallët e huaja. Kërkoi që emigrantët e refugjatët ta ndjejnë veten si në shtëpi të vet, atje ku kanë vendosur të jetojnë e të punojë.
Së fundi, Benedikti XVI i falënderoi administratorët e Romës e të Lacios për bashkëpunimin e çmuar në pritjen e mijëra shtegtarëve, ardhur në Qytetin e Amshuar për Lumnimin e Gjon Palit II.







All the contents on this site are copyrighted ©.