2012-01-11 15:43:54

Papa në audiencën e përgjithshme: në Eukaristi jetojmë lutjen e Jezusit, që e keqja të mos fitojë.


Vijon reflektimi i Benediktit XVI për lutjen e Jezusit, sipas ungjijve. Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Papa meditoi pikërisht për çastin e lutjes së Krishtit në Darkën e Mbrame dhe kujtoi se, duke marrë pjesë në Eukaristi, e jetojmë lutjen e përhershme të Jezusit për secilin prej nesh, që në shpirtin tonë e keqja të mos fitojë mbi të mirën.
Në Solemnitetin e Darkës së Mbrame, Jezusi flet për vdekjen e ngjalljen e tij të afërme. E kujtoi këtë Benedikti XVI, në audiencën e sotme të përgjithshme. Në vijim shpjegoi se, duke u ulur në këtë sofër me miqtë e vet, Krishti e ndjen fuqimisht afrimin e vdekjes. E di se do t’ia marrin jetën, duke e gozhduar mbi kryq, dënim me vdekje ky, për njerëzit që nuk ishin të lirë. Thelbi i darkës së lamtumirës, në të cilën Jezusi rrethohet nga të vetët, është çasti kur thyen bukën, ua jep dishepujve të vet, e ndan me ta kelkun e verës, duke e shoqëruar edhe me fjalë: themelon, kështu Eukaristinë:
“Jezusi i shikon Mundimet, Vdekjen dhe Ngjalljen e tij, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm. Ai dëshiron ta jetojë këtë darkë së bashku me dishepujt e vet. Është një darkë krejt e pazakontë e, ndryshe nga të gjitha të tjerat, është darka e tij, në të cilën dhuron Diçka plotësisht të re: Vetveten. Në këtë mënyrë, Jezusi jeton Pashkët e tij, përshpejton Kryqin e tij e Ngjalljen e tij”.
Në lutje, pastaj, tregon identitetin e vet e vendosmërinë për ta çuar deri në fund të fundit misionin, që i është ngarkuar, dashurinë e plotë, dhurimin pa kusht, kryerjen pa asnjë ngurrim, të vullnetit të Atit:
“Ai e dhuron jetën, para se t’ia marrin, e në këtë mënyrë, e shndërron vdekjen e vet të dhunshme, në dhurim: dhuron gjithë vetveten për të tjerët. Dhuna, që pëson, shndërrohet, kështu, në flijim aktiv, të lirë, shëlbues”.
Në fjalët e gjestet e kësaj nate, shikojmë qartë, tha Papa, se lidhja e ngushtë edhe përhershme me Atin, është vendi në të cilin Jezusi vë në jetë gjestin, përmes të cilit u lë të tijve, e secilit nga ne, Sakramentin e dashurisë, “Sacramentum caritatis”. Prej këndej, Papa vijoi të reflektonte mbi thellësinë e lutjes së Krishtit për dishepujt e vet. Zoti i lutet Atit qiellor t’i ruajë në çastin e ligështisë e të lodhjes, t’i ndihmojë ta kuptojnë se udha e Zotit përshkohet nëpër misterin e Pashkëve, mister i vdekjes e i ngjalljes, që Krishti e përshpejtoi përmes ndarjes së bukës e të verës. Nga ana tjetër, Eukaristia është ushqimi i shtegtarëve, që bëhet forcë edhe për njeriun e lodhur, të këputur, të çorientuar. Benedikti XVI kujtoi, më pas, kujdesin e Krishtit për secilin nga ne, gjë që ndjehet posaçërisht në lutjen për Pjetrin që, pasi të jetë penduar, t’i përforcojë vëllezërit në fe:
Të dashur vëllezër e motra, duke marrë pjesë në Eukaristi, e jetojmë në mënyrë të jashtëzakonshme lutjen e vazhdueshme të Jezusit për secilin nga ne, që e keqja, të cilën ne të gjithë e takojmë në jetë, të mos korrë fitore, por në shpirtin tonë të veprojë forca shndërruese e vdekjes dhe e ngjalljes së Krishtit. Në Eukaristi Kisha i përgjigjet urdhërit të Jezusit: “Bëjeni këtë në përkujtimin tim!”.
Tradita e Besëlidhjes së Re, lidhur me themelimin e Eukaristisë, që Papa e kujtoi me fjalët e Palit, Lukës, Markut e Mateut, duke u nisur nga greqishtja e shpjegon këtë fjalë si të prejardhur nga “falënderim” “Eucaristia/ falënderim; e Eulogia/ bekim, fjalë që na çojnë drejtpërdrejt tek berakha hebraike, lutja e madhe e traditës së Izraelit. “Berakha”, shpjegoi Ati i Shenjtë, është sidomos falënderim e lavdërim. I lartohet Zotit për dhuratën, që na ka bërë. Në Darkën e Mbrame të Jezusit, dhurata është buka, e punuar nga drithi, që Zoti e bën të mungullojë e të rritet mbi tokë - e është edhe vera, e prodhuar nga fryti i pjekur i hardhisë. Kjo lutje lavdërimi, lartuar kah Zoti, kthehet në bekim, që zbret prej Zotit mbi dhuratën dhe e pasuron. Kështu, falënderimi e lavdërimi i Zotit, kthehet në bekim; e dhurata, që i bëhet Zotit, i rikthehet njeriut e bekuar nga i Gjithëpushtetshmi.
Prej këndej Papa i ftoi gjithë besimtarët t’i luten Zotit që, pasi të jenë përgatitur denjësisht me Sakramentin e Rrëfimit, pjesëmarrja në Eukaristi, e domosdoshme për jetën e krishterë, të jetë gjithnjë pika më e lartë e gjithë lutjes së tyre.
T’i lypin Krishtit që, të bashkuar thellësisht në dhurimin e Tij për Atin, t’i shndërrojmë edhe ne kryqet tona në flijim të lirë dashurie për Hyjin e për vëllezërit:
Që në zanafillë Kisha i kuptoi fjalët e shugurimit si pjesë e lutjes së përbashkët me Jezusin; si pjesë qëndrore e lavdërimit plot mirënjohje, përmes të cilit fryti i tokës e i duarve të njeriut, na dhurohet përsëri nga Zoti si Korpi e Gjaku i Jezusit, si vet-dhurim i vetë Zotit në dashurinë e Birit (cfr. Jezusi i Nazaretit, II, fq 146). Duke marrë pjesë në Eukaristi, duke u ushqyer me Korpin e Gjakun e Birit të Zotit, ne bashkojmë lutjen tonë me atë të Qëngjit të Pashkëve në natën e tij fundme, që jeta jonë të mos humbasë, pavarësisht nga ligështitë tona e pabesitë tona, por të shndërrohet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.