2012-01-11 17:19:50

Nunci i Jerusalemit: hapa para në dialogun ndërmjet Kishës e Shtetit të Izraelit.


Shtegtimi i ipeshkvijve katolikë evropianë e amerikanë të Koordimit për Tokën e Shenjtë po i afrohet përfundimit. Sot ky grup arriti në etapën e Ramallahut. Një komitet po përgatit Mesazhin përfundimtar, që do të bëhet i njohur nesër. Për këtë etapë të fundit, na flet, me telefon nga Izraeli, nunci apostolik në vend, imzot Antonio Franko, i cili vlerëson edhe ballafaqimin me autoritetet izraelite:

Përgjigje: - Kërkohet të gjendet rrugëdalja për kapërcimin e vështirësive tona, për zgjidhjen e problemeve tona, në mënyrë që Kisha të mund të vijojë shërbimin në gjirin e bashkësive të krishtera e edhe punën për mikpritjen e shtegtarëve në mënyrë sa më të kënaqshme.

Pyetje: - Ç’shpresa keni për takimin me liderët e qeverisë izraelite, pas kaq vitesh dialogu të papërfunduar?

Përgjigje: - Besoj se po bëhen hapa përpara. Ndjehet fryma e respektit dhe e mirëkuptimit për praninë e Kishës katolike, ndonëse këtu besimtarët janë pak e jo të pasur, kështu që nuk mund ta ndihmojnë Kishën. Prej këndej, ndjehet fort edhe nevoja e mbështetjes nga Kisha universale e, për disa gjëra, kemi kërkuar heqjen e plotë të taksave. Ndërsa, për gjërat e tjera, do të japim kontributin tonë të vogël.

Pyetje: - Përveç gjendjes fiskale, çështje tjetër e rëndësishme është edhe ajo e përdorimit të Çenakullit…

Përgjigje: - Po, është edhe përdorimi i Çenakullit. Po kërkojmë të na mirëkuptojnë, sepse Çenakulli dhe Varri i Shenjtë janë thesaret tona më të çmuara, si kujtime të jetës së Jezusit. Kemi, besim, prandaj.

Pyetje: - Sipas jush, prania e këtij delegacioni ndërkombëtar dhe takimet me drejtuesit e qeverisë izraelite, mund të hapin rrugën, në këtë drejtim…

Përgjigje: - Kjo është prani tejet e rëndësishme, sepse shenjë e ndjeshme e interesave të Kishës universale për Tokën e Shenjtë. Ka edhe shumë shenja të tjera, shumë manifestime. Ky është një prej tyre, sepse në të marrin pjesë përfaqësuesit e Konferencave ipeshkvnore të Evropës e të Veriut të Amerikës. Prej këndej, këto takime shërbejnë sidomos për të krijuar një atmosferë besimi reciprok, respekti e mirëkuptimi, edhe kur është fjala për vështirësitë e njërës e të tjetrës palë. Logjikisht, progreset bëhen me kalimin e viteve, me kalimin e kohës së nevojshme, sepse muret, paragjykimet e një farë trashëgimie historike, nuk mund të shemben me një të rënë.







All the contents on this site are copyrighted ©.