2012-01-10 10:49:33

Raporti i Organizatës jo qeveritare “Porta të hapura”: liria fetare u mohohet 150 milionë të krishterëve në botë.


Të krishterët, që jetojnë në situata, ku mungon plotësisht liria fetare, janë 150 milionë, në mbarë botën. Në krye të listës, Koreja e Veriut, pasuar nga Irani, Afganistani, Arabia Saudite e Somalia. Fenomeni është gjithnjë në rritje në vitet e fundit.
Këto janë disa nga të dhënat e Raportit të “Portes Ouvertes”. organizatë jo qeveritare e cila, që nga vitit 1955, zhvillon veprimtari, gjithnjë në rritje, për mbrojtjen morale, shpirtërore e humanitare të të krishterëev të persekutuar.
Që të arrihej në këtë përfundim, u studiua situata e mbrojtjes së lirisë fetare në shumë vende të botës, duke zgjedhur, pastaj, 50 prej tyre për hartën e Organizatës, e cila punon për t’i hapur të gjitha portat e mbyllura të botës. Në vendin e parë prej dhjetë vjetësh - Koreja e Veriut, ku të jesh i krishterë ose të kesh një Bibël, të kushton jetën. Vendi i fundit në klasifikim është Malajzia, e ndarë ndërmjet të krishterëve animistë dhe islamikëve, ku zyrtarisht liria fetare është e garantuar. Por raporti thekson se në këtë vend, kthimi i një myslimani në fenë e krishterë është praktikisht krejt i pamundur. Të dhënat e viteve të fundit flasin për shtimin e persekutimit dhe keqësimin e situatës në zona si Nigeria, Sudani, Iraku, Egjipti e Pakistani, ku u arrit një kulm, me vrasjen e ministrit të pakicave fetare, Shahbaz Bhatti. Ndërmjet shkaqeve kryesore, por jo vetëm këtyre, fuqizimi i fanatizmit islamik dhe i nacionalizmit fetar.
Të dëgjojmë mendimin e atë Bernardo Cervelerës, drejtor i Azia Njuz:
“Në këto 20-30 vitet e fundit u shtua shumë fondamentalizmi, si pasojë e zhgënjimit të botës myslimane nga moderniteti. U shtua edhe për shak të financimeve, që vijnë nga vende, si Arabia Saudite. Por persekutimi shkaktohet edhe nga zhgënjimi prej forcave politike, që duan të kontrollojnë popullsinë e tyre, në përpjekjen për të ndaluar zhvillimin e vetë mendësisë së kësaj popullsie. Një burim tjetër i persekutimit, është laicizmi agresiv, i pranishëm edhe në Evropë”
Por megjithëkëtë regjistrohet një vetëdijësim dhe një përpjekje gjithnjë më e madhe legjislative, si në Evropë, ashtu edhe në SHBA, pikërisht për t’iu kundërvënë persekutimit të pakicave, posaçërisht në zonën e Lindjes së Mesme:“Gjithnjë është më mirë të flasësh, për lirinë fetare, sesa të heshtësh. E përsa u përket pasojave, siç është për shembull ndryshimi politik, çështja bëhet më e vështirë. Bashkimi Evropian, për shembull, luftoi shumë për lirimin e Azia Bibi-t-, së krishterës, akuzuar për blasfemi në Pakistan, e për këtë, edhe e dënuar me vdekje. Megjithatë, gjatë dy vjetëve, nuk arriti kush e di se çfarë. Gjithsesi, arritja më pozitive është pa dyshim fitimi i një vetëdije më të madhe: edhe në OKB, në nivel politik, diskutohet shumë më tepër për lirinë fetare e intolerancën".







All the contents on this site are copyrighted ©.