2012-01-10 10:49:09

Gazeta ‘L’Osservatore Romano’: Papën mund ta kritikosh, por vetëm pasi ta kesh lexuar.


Pse mënyra si reflekton Papa Benedikti XVI, shprehur qartë në librat e në fjalimet e tij, e, prej këndej, e lexueshme për këdo, që dëshiron ta kuptojë seriozisht si teolog e si Papë, tepër shpesh lexohet e nuk shikohet me syrin e njeriut, i cili dëshiron më të vërtetë të zbulojë origjinalitetin dhe risinë që ka? Pse çdo gjë, që Papa thotë, u dashka të hyjë medoemos në skemat bajate të progresistëve ose të konservatorëve? Pyetjet, lidhur me studimet kritike të fundit që i janë adresuar Papës Jozef Ratcinger, siç është vepra e fundit, me titullin: “Kisha e antikoncilit. Tradicionalistët ripushtojnë Romën”, i bëri gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” e 4 janarit të kaluar.
Kritika që Giovanni Miccoli i bënë Ratcingerit në veprën e përmendur, duke e akuzuar atë për mungesë të vëmendjes ndaj historisë e për refuzimin e marrjes parasysh të realitetit, për profesoreshën Skarafia është krejtësisht e pathemeltë e nuk qëndron aspak, sepse kushdo që ka lexuar të paktën një vepër të Papës Ratcinger, nuk mund të jetë i paaftë të pranojë e të vlerësojë që teologu sot Papë përherë ka treguar një vëmendje e një shqyrtim të jashtëzakonshëm të çështjeve e të problemeve; përherë duke kërkuar, pastaj në ndërhyrjet e tij, të na ofrojë një interpretim historik të momentin që jemi duke jetuar, përplot me analiza e vështrime të aktualitetit si dhe të ndryshimeve që janë në zhvillim e sipër. Të flasësh për kërkimin e së vërtetës e të akuzosh mendimin bashkëkohor të relativizmit, me siguri, nuk do të thotë ta mohosh historinë. Do të thotë t’i japësh historisë një interpretim që nuk i pëlqen autorit të librit, por kjo është krejtësisht diçka tjetër.
Editoriali i gazetës l’Osservatore Romane i datës 4 janar ‘Papa e historia’, shkruar nga profesoresha Luçeta Skarafia, pedagoge e historisë bashkëkohore pranë Universitetit romak ‘La Sapienza’, na kujton se të njëjtin fat pati edhe Papa i Koncilit, Pali VI, me botimin e enciklikës ‘Humanæ Vitæ’. Të krijohet përshtypja se vizioni skematik i politikës bashkëkohore mundohet ta errësojë mundësinë për një interpretim të lirë që, natyrisht, mund të jetë edhe kritik, të kësaj papnie e cila, sido që ta gjykosh, nënvizohet në artikull, duket gjithnjë më befasuese e më interesante. “Sa vjet do t’u duhen historianëve për ta kuptuar këtë? Njëqind? Shpresojmë se jo”, vijon profesoresha Skarafia, e cila zbërthen posaçërisht tezat e vëllimit, botuar kohët e fundit, me titullin: “Kisha e antikoncilit. Tradicionalistët ripushtojnë Romën”, shkruar nga Giovanni Miccoli për shtëpinë botuese Laterza.
Një pretencë prokurori, denoncon L’Osservatore Romano, realizuar përmes konsultimit të një mase tekstesh e dokumentesh, bazuar mbi leximin e Koncilit II të Vatikanit, duke e parë atë si çast i parë i shkëputjes nga tradita e patundur ultrakonservatore shekullore kishtare. Për profesoreshën Skarafia, ky koncept i historisë, është të paktën i diskutueshëm, e jo vetëm ai i Miccolit, por edhe i historianëve të tjerë të Kishës e në veçanti, atyre të Koncilit të II të Vatikanit, të cilët, duke ecur në këtë rrugë, arrijnë, me lehtësi të çuditshme, në përfundimin që u intereson më shumë: tradicionalistët, me në krye Papën, po e rimarrin në dorë Kishën. Gjë që, duket qartë se nuk po ndodh.







All the contents on this site are copyrighted ©.