2012-01-09 20:31:26

Shkodër: mbrëmje poetike për Atë Gjergj Fishtën


"Qeshëm me punët e njerëzve veç pse s`muje me kja", titullohej mbrëmja poetike e zhvilluar sot në qytetin e Shkodrës me rastin e 71 vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit, atdhetarit dhe meshtarit, Atë Gjergj Fishta.
Në aktivitetin e organizuar nga Famullia e Shën Shtjefnit në sallën "Mikel Koliqi", ishin të pranishëm intelektualë, miq dhe dashamirës të veprës së Fishtës, mes të cilëve edhe drejtues të qeverisjes vendore të qarkut të Shkodrës.
Nën interpretimin e aktorëve, Paulin Ujka dhe Zef Ndoja, aktiviteti solli krijimtarinë më të mirë të atij që është cilësuar me të drejtë "Homeri Shqiptar".
Sipas famulltarit të Katedrales së Shkodrës, dom Gjovalin Sukaj, kjo mbrëmje poetike u zhvillua në kuadër të aktiviteteve që Kisha Katolike Shkodër po organizon në përkujtim të 71 vjetorit të vdekjes së poetit të madh, Atë Gjergj Fishta.
"Në testamentin e tij Atë Gjergj Fishta shkruante kështu: "Po des kënaqun përse kam punue për Fe, Atdhe, e për Provincën tonë". E me të drejtë fjalët e tij të lëna në këtë amanet të fundit, të bëjnë me të drejtë të nderosh figurën e tij për vetë punën e madhe e të palodhur që ka bërë, e mbi të gjitha për atë që la pas", u shpreh famullitari shkodran, dom Gjovalin Sukaj.
Ai shtoi se, "Atë Gjergj Fishta është i pari shqiptar që u propozua për marrjen e çmimit Nobel për letërsi. Ndërsa vepra e tij e lartë patriotike ishte pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit në nëntor të vitit 1908 si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi", krahas Dom Ndre Mjedës, Mati Logorecit, Hilë Mosit dhe Luigj Gurakuqit, përfaqësues të Shkodrës.








All the contents on this site are copyrighted ©.