2012-01-09 17:38:21

Papa Trupit Diplomatik: nuk duhet ta humbasim guximin përballë krizës, por ta rimendojmë rrugën e njerëzimit drejt paqes.


Në audiencë me trupin diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, Papa kërkon respektimin e jetës e të lirisë fetare, denoncon tragjedinë e të krishterëve të vrarë e të privuar nga të drejtat themelore në shumë Vende. Kriza na imponon të reflektojmë mbi përmasën etike të ekzistencës akoma më parë se mbi mekanizmat ekonomike. Për të dalë nga kriza ekonomike e për t’i siguruar botës paqen, duhet vënë në qendër njeriu. E pikërisht në fjalën “Njeri”, mund ta përmbledhim mesazhin e Benediktit XVI drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, në fillim të vitit 2012, duke pritur, sot paradite, në Sallën Regia të Pallatit Apostolik, anëtarët e Trupit Diplomatik, të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Papa mbajti një fjalim të gjatë e plot pasion, duke i prekur me radhë të gjitha temat kryesore të aktualitetit ndërkombëtar.Kujtojmë se Selia e Shenjtë ka marrëdhënie të plota diplomatike me 178 shtete.
“Bota është e errët atje, ku nuk ndriçohet nga drita hyjnore”, ky ishte filli i artë, që përshkoi tejembanë arsyetimin e Benediktit XVI në fjalimin drejtuar Trupit Diplomatik. Papa e di se në çastin aktual e gjithë shoqëria e ndjen veten të pafuqishme për të përballuar krizën. Nënvizoi, në vijim, se kriza ekonomike-financiare botërore, vijon t’i dëmtojë rëndë jo vetëm vendet në rrugë zhvillimi, por edhe ato më të përparuarat, në të cilat shumë të rinj janë të çorientuar e të zhgënjyer. Prej këndej, ftesa e Papës për të mos e humbur guximin e shpresën, por për ta riplanifikuar rrugën drejt së ardhmes”:
“La crise peut et doit…
Kriza, ripohoi, mund e duhet të jetë nxitje e fuqishme për të reflektuar mbi jetën njerëzore e mbi vlerën e përmasës së saj etike, para se të reflektojmë për mekanizmat, që drejtojnë jetën ekonomike. Na duhen rregulla të reja, që i sigurojnë të gjithëve mundësinë të jetojnë me dinjitet. Prej këndej, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi në Veriun e Afrikës e në Lindjen e Mesme, ku të rinjtë nisën lëvizjen e ‘Pranverës arabe’. Optimizmit fillestar, shpjegoi Papa, ia zu vendin atmosfera e pasigurisë, e pranimit të vështirësive në këtë çast tranzicioni, që hap para njerëzimit një rrugë të re. E rruga më e përshtatshme e më e drejtë për Papën, është ajo, në të cilën njihet plotësisht dinjiteti i paprekshëm i njeriut. Më pas e ftoi bashkësinë ndërkombëtare të dialogojë me aktorët e proceseve në zhvillim e sipër, duke respektuar plotësisht të drejtat e popujve, në përpjekjen për të ndërtuar shoqëri të qëndrueshme, në të cilat mbretërojnë paqja e pajtimi”:
“J’eprouve une grande préoccupation…
Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për ushtrimin e dhunës në Siri, ku uroi të marrë fund një herë mirë gjakderdhja e të fillojë dialogu i frytshëm ndërmjet palëve, i favorizuar edhe nga prania e vëzhguesve të pavarur. Nuk harroi Ati i Shenjtë të vërë theksin edhe mbi dhunën, në rritje, në Nigeri, mbi atentatet e kohëve të fundit në Irak; tensionet dhe ndeshjet në Sudanin Jugor, në Bregun e Fildishtë, në Somali e në zonën e Liqeneve të Mëdha. Duke u ndaluar, pastaj, në Lindjen e Mesme, uroi të rifillojë procesi i paqes në Tokën e Shenjtë, duke shprehur kënaqësinë e tij për nismën e dialogut nga ana e Mbretërisë së Jordanisë. Palestinezët e izraelitët, tha Papa, duhet të marrin vendime të guximshme e largapamëse, në dobi të paqes.
Një vëmendje të dorës së parë, Ati i Shenjtë i kushtoi respektit për lirinë fetare e cila, pohoi me forcë, është e para ndërmjet të drejtave të njeriut, sepse shpreh realitetin themelor të tij. Tepër shpesh, kujtoi me kaqardhje, kjo e drejtë vijon të kufizohet ose të vihet në lojë”:
“Dans de nombreux pays…
Në shumë vende, vërejti në vijim, të krishterëve u mungojnë të drejtat më themelore, si e drejta për të marrë pjesë gjallërisht në jetën publike. Në disa të tjera, pësojnë sulme të egra kundër kishave e banesave të tyre. E nganjëherë, kur dhuna arrin kulme të papara, detyrohen të braktisin vatrat e tyre e të ikin nga vendi, për ndërtimin e të cilit dhanë jo pak ndihmesë. Papa kujtoi me emocion të thellë ministrin pakistanez Shahbaz Bhatti, i cili luftoi me të gjitha forcat për të drejtat e pakicave, deri në fundin tragjik të jetës së tij. Prej këndej, duke kujtuar edhe takimin e Asizit, mbajtur tetorin e kaluar, Papa dënoi ashpër terrorizmin, që shpërdoron fenë, për t’iu kundërvënë njeriut e njerëzimit.
Një pjesë të mirë të fjalës, drejtuar Trupit Diplomatik, akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Benedikti XVI ia kushtoi edukimit të të rinjve me frymën e paqes, duke ripohuar, sidomos, rolin e familjes në kryerjen e kësaj detyre. Papa nënvizoi se politikat, që e dëmtojnë familjen, kërcënojnë dinjitetin njerëzor e edhe vetë ardhmërinë e njerëzimit. Njëkohësisht, vijoi, edukimit të të rinjve i kundërvihen masa, të cilat jo vetëm e lejojnë, por nganjëherë arrijnë deri në atë pikë, sa ta favorizojnë abortin, për shkaqe leverdie, ose për arsye mjekësore tejet të diskutueshme”:
“J’accueille donc avec satisfaction…
Shprehu, më pas, kënaqësinë e tij për vendimin e Gjykatës së Lartë të Bashkimit Evropian, që ndalon patentimin e qelizave burimore embrionale, si dhe për vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që dënon seleksionimin para lindjes. Një sinjal inkurajues, vijoi Ati i Shenjtë, është vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në favor të pranisë së Kryqit në klasat e shkollave italiane. E, duke kujtuar pikërisht Italinë, posaçërisht, 150-vjetorin e bashkimit të vendit, Papa theksoi:
“Les relations entre Saint-Siège…
Marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shtetit italian, historikisht, kaluan edhe çaste të vështira, sidomos pas bashkimit, por, me kalimin e kohës, mbizotëruan harmonia e vullneti reciprok i bashkëpunimit për të mirën e përbashkët. Prej këndej, Benedikti XVI uroi që Italia të vijojë promovimin e marrëdhënieve të drejtpeshuara ndërmjet Kishës e Shtetit, duke u bërë, kështu, shembull, edhe për kombet e tjera. Në pjesën përfundimtare të fjalimit, Papa vuri theksin tek rëndësia e respektimit të gjithësisë, duke kujtuar fatkeqësitë e rënda të natyrës, që dëmtuan kohët e fundit njerëz, popuj e kombe. Kujtoi veçanërisht, centralin bërthamor të Fukushimës. Mbrojtja e ambientit, vërejti, lidhet ngushtë me luftën kundër varfërisë dhe me atë kundër ndryshimeve klimaterike, që ndikojnë fuqimisht për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.







All the contents on this site are copyrighted ©.