2012-01-09 17:38:48

Papa pagëzon 16 fëmijë në Sikstinë: të edukosh është vështirë, duhet dëshmia e fesë.


Me lutje e besnikëri ndaj Sakramenteve, prindërit bëhen për fëmijët, dëshmitarë të së vërtetës së Zotit. Është mësimi i Benediktit XVI, i frymëzuar nga liturgjia e Meshës së djeshme, kryesuar në Kapelën Sikstine, ditën kur Kisha kremtonte Pagëzimin e Krishtit. Sipas traditës, gjatë kremtimit, Papa i dha Sakramentin e Pagëzimit një grupi prej 16 fëmijësh.RealAudioMP3
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pastaj, rikujtoi se Krishti mund t’u japë njerëzve dinjitet e pushtet për t’u bërë Bij të Hyjit.

T’i flasin zemrës së fëmijëve me zërin e së vërtetës, atë të Zotit. Kjo është detyra më e ndërlikuar, por edhe më kryesorja e prindit të krishterë. Poshtë afreskeve mahnitëse të Sikstinës, e para fytyrave të njoma, me hundë picërrake, të të sapolindurve, radhitur para tij, në krahët e prindërve: gjashtë vajza, ndërmjet të cilave, dy binjake; e dhjetë djem, Benedikti XVI vijoi udhën shpirtërore, hapur nga leximet liturgjike të Meshës, për të ripohuar para nënave e baballarëve se ky Pagëzim ishte hapi i parë në rrugën e edukimit, rrugë themelore, sepse dëshmi e parë e fesë, që u jepet fëmijëve:
Të edukosh është detyrë impenjative, nganjëherë edhe tejet e vështirë për aftësitë tona njerëzore, gjithnjë të kufizuara. Por të edukosh bëhet një mision i mrekullueshëm, në se kryhet në bashkëpunim me Zotin, i cili është edukatori i parë dhe i vërtetë i njeriut”.
Duke u frymëzuar nga Izaia Profet, Papa i siguroi të pranishmit se Zoti dëshiron t’u japë besimtarëve gjëra, që u bëjnë mirë, edhe pse nganjëherë, vijoi, i përdorim keqas pasuritë tona, për gjëra që nuk na shërbejnë fare, madje, që janë të dëmshme. Zoti, pohoi Benedikti XVI, dëshiron, mbi të gjitha, të na dhurojë vetveten, Fjalën e Tij, Sakramentet, burimet, në të cilat duhet të shuajë etjen, ai që edukon:
“Prindërit duhet të japin shumë, por që të kenë ç’të japin, duhet, më parë, të marrin, përndryshe zbrazen, shterrojnë. Prindërit nuk janë burimi, ashtu si dhe ne, meshtarët, nuk jemi burimi: jemi më shumë si kanalet, përmes të cilave duhet të kalojë limfa jetëdhënëse e dashurisë së Zotit. Në se lodhemi nga burimi, ne vetë, të parët, ndjehemi keq e nuk jemi fare në gjendje t’i edukojmë të tjerët”.
Por, në se lutja e jeta sakramentore janë shpirti i një nëne e i një babai, fëmijët e tyre mund t’i gëzojnë pasojat, në formën e një edukate vërtet të lartë:
“Lutja e sakramentet na nxjerrin hirin e asaj drite të së vërtetës, falë së cilës mund të jemi njëkohësisht të butë e të fortë, të ëmbël e të vendosur; mund të heshtim e edhe të flasim në çastin e duhur, të qortojmë e të korrigjojmë në mënyrë sa më të drejtë”.
E, para se të kremtonte Ritin e Pagëzimit, Benedikti XVI rikrijoi, simbolikisht, skenën e lumit Jordan, duke kujtuar se edukata e parë e kryesore, nuk jepet me fjalë, por me dëshmi. E tregon këtë Gjon Pagëzuesi, i cili nuk i mbajti për vete dishepujt, që e ndiqnin, por i nxiti të ecnin pas Jezusit, sepse ishte ai, Mjeshtri i madh, në gjurmët e të cilit duhet të vijonin udhën:Edukatori i vërtetë nuk i lidh njerëzit pas vetes, nuk sillet si pronar. Dëshiron që fëmija, ose dishepulli, të mësojë ta njohë të vërtetën e të krijojë me mësuesin lidhje personale. Edukatori e kryen detyrën e vet deri në fund të fundit, nuk lejon të mungojë prania e tij e vëmendshme e besnike; por qëllimi i tij është që nxënësi të dëgjojë zërin e së vërtetës, duke i folur zemrës së tij e duke e ndjekur hap pas hapi në rrugën e tij vetjake”.







All the contents on this site are copyrighted ©.