2012-01-09 19:02:18

Nigeria: liderët e të krishterëve flasin për spastrim etnik.


“Në Nigeri vijon spastrimi sistematik etnik e fetar”. Denoncimin e bëjnë liderët katolikë e protestantë të vendit afrikan, viktima, prej ditësh, të agresioneve, që synojnë t’i zhdukin të krishterët nga veriu i Vendit. Më se 40 të vdekur në 72 orë, ky është bilançi i sulmeve kundër të krishterëve të veriut, katër ditë pas përfundimit të ultimatumit të sektit islamik ‘Boko Haram’, pasuar nga masakrat më mizore. “Ikni, ose do të vriteni!”, patën kërcënuar islamikët, që po planifikojnë rivendosjen e sharisë në shtetet e veriut, me shumicë myslimane. “Terroristët po e përdorin fenë për të shtënë në dorë pushtetin”, pohon në një intervistë dhënë kanalit “Vaticaninsider”, kryeipeshkvi i Lagos, imzot Ogolie, ndërsa të krishterët, shton, nuk e ndjejnë veten të mbrojtur nga shteti, i cili e ka treguar tashmë se nuk është në gjendje t’u krijojë kushte sigurie. Sulmet e fundit janë ato të djeshmet në shtetin verilindor të Adamavës, ku autoritetet vendase shpallën ndalimin e qarkullimit për 24 orë. Masë e pamjaftueshme, në një vend, që ndodhet para greminës së luftës civile. Na e kujton këtë ndeshja e djeshme e milicëve islamikë me forcat e policisë në qytetin Potiskum. Ndërkaq, presidenti nigerian, Goodluck Jonathan, që më 1 janarin e kaluar shpalli gjendjen e emergjencës në disa nga shtetet e Veriut. Foli edhe në televizion, për t’u shpjeguar nigerianëve shkaqet, që e shtynë në marrjen e vendimit për ndërprerjen e subvencioneve shtetërore në prodhimin e naftës. Një vendim në interes të Nigerisë, pohoi presidenti, që megjithatë, shkaktoi dyfishimin e çmimit të naftës, duke nxitur protestat e sindikatave. Sot, i gjithë vendi u përfshi në një grevë të përgjithshme, ndoshta, prolog i ngjarjeve më të rënda. Lutemi të mos jetë kështu- pohojnë ipeshkvijtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.