Në Siri, nuk rresht shtypja e protestave nga ana e regjimit, që sipas vlerësimit të
OKB-së, ka shkaktuar 5 mijë viktima. Lidhja Arabe i kërkon qeverisë dhe opozitës të
ndalet dhuna, ndërsa vendos ta shtyjë dhe ta përforcojë misionin e vëzhguesve të organizatës
panarabike në vend. Të krishterët sirianë, nën presion në të gjitha vendet arabe,
ndihen të pasigurtë e kanë frikë për të ardhmen. Për këtë situatë, dëshmon në mikrofonin
tonë, themeluesi i bashkësisë siriane murgare të Deir Mar Musa al-Habachi, pranë Nabakut,
atë Paolo dall’Oglio, i cili ka punuar shumë për dialogun ndërmjet të krishterëve
e myslimanëve: Jeta e fesë është intensive, njerëzit luten shumë në Siri, në
këtë çast. E madje, jo vetëm në Siri. Shohim edhe të krishterët irakianë, sa fe dinë
të shprehin gjatë krizës së tmerrshme, që i ka përfshirë prej vitesh… edhe të krishterët
egjiptianë përjetojnë një çast me rëndësi të madhe. Të krishterët jordanezë e shoqëruan
lëvizjen e përtëritjes së shoqërisë me entuziazëm të madh ungjillor. Përkrah këtyre
ndjenjave, shumë të krishterë kanë frikë për të ardhmen, tremben se mos lëvizjet islamike
e kthejnë mbrapsht historinë, duke i nënshtruar, duke i konsideruar një pakicë morale
e civile, në mënyrë që jeta për ta të bëhet e pamundur. Problemi është se kjo frikë
e kufizon impenjimin e të krishterëve në këto vende. Prandaj, u drejtojmë të krishterëve
të Lindjes së Mesme thirrjen për ta kapërcyer këtë frikë e për të marrë pjesë me guxim
në këto zhvillime. Ne jemi të thirrur të jemi tharmi në brumë, nuk mund të rrimë larg
brumit. Natyrisht, do të kemi vështirësi, por besoj se ata që Jezu Krishti i dërgon
si pëllumba, si qingja e si dijetarë mund të veprojnë, duke pasur parasysh rregullën
e përvuajtërisë. Mendoj për shën Françeskun e për fretërit e vet. Të krishterët e
Lindjes së Mesme pranojnë t’i shohin bashkëqytetarët e tyre myslimanë të lirë, të
vetëdijshëm e të ngarkuar me peshën e përgjegjësisë për demokracinë. Këtë e paguajnë
me humbjen e lirisë së lëvizjes, që më parë e kishin, por kjo është rruga, për të
cilën të krishterët duhet të jenë tharmi në brumë, duhet të sjellin tharmin e tyre
në këtë brumë. Ju përmendët Irakun, nga ku eksodi i të krishterëve
vazhdon me përmasa gjithnjë e më të mëdha. Si është gjendja në Siri? A mund të justifikohen
të krishterët, që largohen nga vendi, në këtë çast? Natyrisht që po, sepse
kur mungon siguria, ke frikë për fëmijët. Kur babai i familjes shkon në punë e ka
frikë se nuk kthehet, krijohen kushtet për emigracion, sidomos kur një pjesë e familjes
është jashtë vendit dhe mund të shërbejë si bazë. Është fatkeqësi e madhe për Kishën,
por mund të kuptohet shumë mirë në planin njerëzor. Në fund të fundit, njerëzit lëvizin
më lehtë sot në botë. Kur gjendja të përmirësohet, tanët do të kthehen. E nëse nuk
kthehen ata, do të vijnë të tjerë. Duhet të jemi pak të përvuajtur e të kemi besim.
Arsyet, që e detyrojnë një familje të ikë, nuk janë po ato, që e nxisin Kishën t’i
inkurajojë të qëndrojnë, por dikush edhe qëndron për motive shpirtërore, ndërsa të
tjerët e ndjejnë për detyrë të mbrojnë fëmijët. A e dini sa vetë janë
larguar nga Siria, pak a shumë? Jo, nuk jam në gjendje të jap statistika. Duhet
thënë se vështirësia e pamasë për të marrë vizën, e zvogëlon mundësinë për të emigruar,
prandaj, të shumtë janë ata, që duan të ikin, por të paktë janë ata, që ia arrijnë
qëllimit. Shumica e emigrantëve bëjnë pjesë ndër intelektualët e vendit, ndër ata,
që kanë më shumë mundësi ekonomike dhe janë më të lidhur me botën. Le
të flasim tani për jetën në manastirin tuaj. A mund të na përshkruani një ditë në
të? Në mëngjes kemi lutjen me Psalmet, Biblën, Etërit e Kishës dhe himnet.
Gjithçka në arabisht, sepse ne lutemi në arabisht. Jemi të ritit sirian, varemi nga
heparkia, apo dioqeza siriane e Homsit, prandaj kemi familje të murgjërve nga Homsi,
nga qyteti, që po vuan më shumë në këtë çast. Jemi të traditës antioke, një Kishë
lindore katolike. Lutja e mëngjesit pasohet nga një konferencë katekistike, në të
cilën marrin pjesë edhe të ftuarit. Nëse ka të huaj, gjejmë mënyrën për t’ua përkthyer
ç’thuhet. Këto ditë për shembull, ndodhet këtu një i ri gjerman, që do të qëndrojë
me ne për gjashtë muaj, për arsye kulturore e shpirtërore. Pas konferencës e mëngjesit,
fillon dita e punës. Ne prodhojmë djathë, kemi dhi e produkte, që përpiqemi t’i shesim,
megjithëse, sot nuk është e lehtë. Shkojmë në dyqanet e Damaskut; më parë mund t’ua
shisnim turistëve, por sot nuk ka më turistë. Punojmë tokën, restaurojmë e pastrojmë
manastirin e hapësirat e veprimtarisë ekonomike. Pasdite, ka më shumë kohë për reflektimin,
lutjen e leximin. Kemi një bibliotekë të mrekullueshme për dialogun ndërfetar, për
teologjinë, për studimin e feve. Ngushëllohem kur shoh të rinjtë, që studiojnë në
bibliotekë. Në mbrëmje, në orën 19.00 - ora e heshtjes me shën Marinë, që meditonte
gjërat e Zotit me zemër, në heshtje. Pas kësaj ore mariane të heshtjes e të adhurimit
të Misterit të Zotit të mishëruar, vjen Eukaristia e mbrëmjes. Pastaj, darkojmë, shkëmbejmë
dy fjalë e shkojmë të flemë.