2012-01-08 09:45:47

Shenjtorët e javës që vjen


E diel 8 janar, Kisha kremton festën e Pagëzimit të Jezu Krishtit Zot. E gjithnjë më 8 janar kalendari liturgjik përkujton edhe shën Severinin, abat, apostull i Norikut, pajtor kryesor i Austrisë dhe i Bavarisë, zonë që në antikitet quhej Norik. Me veprat bamirëse dhe ndërmjetësitë e tij si qytetar romak pranë fiseve barbare gjermane që merrnin peng të huajt, shën Severini na kujton se sa e rëndësishme është ta duash të afërmin në çaste të vështira. Banorët e Norikut përqafuan fenë e Krishtit falë pikërisht veprave dhe dhuntive të këtij shenjti.

Të hënën më 9 janar Kisha përkujton shën Julianin dhe shën Basilisën, bashkëshortë, të dy shenjtër, që me kujdesin e tyre për të shtegtarët dhe endacakët treguan dashurinë ndaj Kishës dhe të varfërve në shpërblim të mëkateve të veta.

Të martën më 10 janar Kisha kremton shën Agatonin, papë e shën Aldon, murg benedektin irlandez, i varrosur në Pavi të Italisë, që gjatë gjithë jetës zbatoi fjalët e shën Benediktit, abat: “ora et labora”- “lutu dhe puno”.

Të mërkurën më 11 janar kalendari kishtar përkujton shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare. Vetë veprat dhe vdekja e tij si martir gjatë persekutimeve të perandorit romak Antonino Pio na sjellin ndërmend se sa sakrifica duhen për të mbrojtur besimin.

Të enjten më 12 janar, kalendari kishtar përkujton shën Ernestin apo Arkadin, shën Çezaren e të shën Antonin Maria Puçin. Ungjilli i ditës na mëson se Jezu Krishti nuk është një skrib i çfarëdoshëm, apo thjesht një ekspert i Shkrimit Shenjt. Ai mëson me autoritet, një doktrinë të re. Zemra ime galdon në Zotin, shpëtimtari im.

Të premten më 13 janar përkujtohet shën Hilari, ipeshkëv i Puatjes, shën Gofredi e shën Remigji. Ja o Zot, po vij të bëj vullnetin tënd. Ungjilli na tregon se si Jezusi përshkoi të gjithë Galilenë për t’u mësuar njerëzve punët e Hyjit e për të dikuar mrekullitë e Zotit në secilin prej atyre që e dëgjonin.
Shën Hilari i mbiquajtur “Athanasi i Perëndimit”, ipeshkëv i Puatjesë, që në vitin 353 u bë mbrojtës i flakët i Koncilit të Nikesë që luftoi herezinë ariane. Vepra e tij më madhe mbetet “De Trinitate” – “Mbi Trininë Shenjte”.

Të shtunën që vjen me 14 janar, kalendari do të përkujtojë shën Feliçin e Nolës, ipeshkëv, martir e shën Malakinë, profet. Varri i shën Feliçit nga Nola njihet nga tradita e krishterë si “Ara veritatis” – “Altari i së vërtetës” sepse edhe pas vdekjes bënte mrekulli duke nxjerrë në shesh të vërtetën dhe duke luftuar gënjeshtrat e shpifjet. “Sikur ta kuptonim mirë se çka është prifti mbi tokë do të vdisnim: jo nga tmerri, por nga dashuria!”, thoshte shën Gjoni Vianej.

Të dielën e ardhshme më 15 janar Kisha do të kremtojë të dielën e 2-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendari liturgjik. Gjithnjë më 15 janar kalendari përkujton edhe shën Palin, oshënarin e parë, shën Gjonin Kalibit, murg e shën Maurin, abat. Liturgjia e ditës na kujton se kemi një Meshtar të madh pranë Atit: Krishtin Zot.







All the contents on this site are copyrighted ©.