2012-01-08 09:20:34

Programi i veprimtarive të Papës për vitin 2012: sinodi, Viti i Fesë, Koncistori


Sinodi i Ipeshkvijve për ungjillëzimin e ri, në program nga 7 deri më 28 tetor. Hapja, më 11 tetor, e Vitit të Fesë, shpallur 50 vjet pas Koncilit II të Vatikanit. Dalja, ndoshta në vjeshtë, e vëllimit të tretë të “Jezusit të Nazaretit”, kushtuar viteve të fëmijërisë. Udhëtime impenjative, si ai në Meksikë e në Kubë, që duhet të zhvillohet nga 23 deri më 28 mars, e si një tjetër, ndoshta në Liban. Takime botërore si ai i familjeve, në Milano, nga 30 maji deri më 3 qershor. Viti 2012, që sapo ka filluar, paraqitet me veprimtari të shumta e të pasura për Papën Benedikti XVI.
Ngjarje të rëndësishme, si Koncistori i ri për emërimin e kardinajve, që do të mbahet më 18 shkurt. Është i katërti gjatë papnisë së Papës Racinger, pas atyre të marsit 2006, të nëntorit 2007 e të nëntorit 2010. Ati i Shenjtë e lajmëroi zyrtarisht në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, të premten më 6 janar, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit.
Gjatë këtij Koncistori, Benedikti XVI do të emërojë 22 kardinaj të rinj, prej të cilëve, 18 me të drejtë vote, pra më pak se 80 vjeç. 10 nga kardinajt janë anëtarë të Kuries Romake, 8 janë ipeshkvij dioqezanë, ndërsa katër kardinajt, që do ta kapërcejnë moshën 80-vjeçare janë zgjedhur nga Papa për meritat e tyre të veçanta, aty ku punojnë.
Vërtet, në ta bën pjesë kryeipeshkvi i kishës greko-katolike rumune dhe tre meshtarë të thjeshtë, të gjithë profesorë universiteti e këshilltarë. Siç dihet, e siç e theksoi edhe Ati i Shenjtë në Engjëllin e Tënzot të së premtes, kardinajt kanë për detyrë të ndihmojnë Pasardhësin e Shën Pjetrit Apostull në Ministerin e tij për përforcimin e vëllezërve në fe, për të qenë zanafilla e themeli i unitetit e i bashkimit në Kishë.







All the contents on this site are copyrighted ©.