2012-01-08 17:51:26

Papa Benedikti XVI pagëzon 16 fëmijë në Kapelën Sikstine në Vatikan


Papa Benedikti XVI kremtoi sot paradite, Meshën Solemne në ditën e përkujtimit të Pagëzimit të Jezu Krishtit Zot, gjatë së cilës u dha Sakramentin e Pagëzimit 16 fëmijëve. Korniza e kremtimit qe Kapela Sikstine në Vatikan, me afresket e mrekullueshme të Mikelanxhelos. Të gjithë fëmijët janë bij e bija të punonjësve të Vatikanit, italianë përveç njërit, me origjinë afrikane. Gjithashtu, dy nga fëmijët, dy vajza, janë binjake. Veçanërisht prekës, çasti kur Ati i Shenjtë iu drejtua prindërve dhe nunëve e nunave. “Mirëpres me gëzim, në emër të familjes së madhe të Kishës, këta fëmijë shumë të dashur, që keni sjellë në Kapelën Sikstina, për të marrë Sakramentin e Pagëzimit” – u tha Benedikti XVI. Për rëndësinë e këtij Sakramenti, që u hap fëmijëve veshët e mendjen për të dëgjuar Fjalën e Zotit, i bën të rilindin përmes Ujit të Pagëzimit dhe i kthen në krijesa të reja, anëtarë të bashkësisë së krishterë, Papa foli edhe gjatë homelisë, duke u kërkuar prindërve të kujdesen për ta, që të jetojnë si bij të dritës e të jenë të fortë në fe, për të shkuar drejt takimit me Zotin, që vjen në jetën e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.