2012-01-08 09:19:47

Në Pagëzimin e Krishtit Zot, çdo i pagëzuar është i thirrur në rrugën e shenjtërisë.


Në festën e Pagëzimit të Jezu Krishtit Zot, Kisha na nxit si të krishterë të jetojmë me thjeshtësi e harmoni, duke pasur si model jete Familjen e Nazaretit. Çdo foshnjë që lind sjell mes nesh buzëqeshjen e Zotit dhe na fton të pranojmë se jeta është dhuratë që vjen prej Tij, dhuratë që duhet pritur me dashuri e duhet mbrojtur gjithnjë me kujdes, në çdo çast të saj.
Çdo fëmijë që lind, Zoti ua beson prindërve të tij e prej këndej kuptojmë edhe rëndësinë e familjes së themeluar mbi martesën, djep jete e dashurie, ndërtuar sipas modelit të familjes së Nazaretit, në të cilën mbretëronin thjeshtësia, durimi e harmonia, prandaj Kisha u bënë thirrje gjithë prindërve të fëmijëve të pagëzuar e përmes tyre, mbarë familjeve, të mos harrojnë se dëshmia e tyre dhe shembulli tyre ndikojnë më shumë se çdo gjë tjetër mbi pjekurinë njerëzore e shpirtërore të lirisë së fëmijëve të tyre. Pavarësisht nga veprimtaritë e përditshme, shpesh herë marramendëse, të mos harrojnë t’i luten Zotit në punë e në familje, sepse lutja është sekreti i duresës së krishterë.
Fjalët e shën Lukës ungjilltar, na tregojnë se Jezusi foli me Atin qiellor pasi pati marrë Pagëzimin në lumin Jordan. E nuk u lut vetëm për vete, por për të gjithë ne. E atëherë qielli u hap! Nga kjo ngjarje kuptojmë se sa më shumë të jetojmë në bashkim me Jezusin në realitetin e pagëzimit tonë, aq më shumë do të hapet mbi ne qielli, sepse me Pagëzim bëhemi bij të familjes së Zotit.
Të krishterët janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë, e cila u përket gjithë të pagëzuarve. Duke kujtuar solemnitetin e Pagëzimit të Krishtit, duhet të kujtojmë se bashkësia apostolike e vlerësonte këtë si ngjarje tepër të rëndësishme jo vetëm sepse qe dëftim i qartë dhe i plotë i misterit Trinitar Htjnor, por edhe pse me të nisi misioni publik i Jezusit nëpër udhët e Palestinës. Pagëzimi i Jezusit në Jordan paralajmëron pagëzimin e Tij me gjak mbi Kryq, simbol i mbarë veprimtarisë sakramentore përmes së cilës Shëlbuesi realizoi shpëtimin e mbarë njerëzimit. Kështu u shpreh Papa, duke vënë në dukje lidhjen e ngushtë ndërmjet pagëzimit të Krishtit e pagëzimit tonë.
Përmes Tij ne bëhemi pjesë e Korpit mistik të Krishtit, që është Kisha, vdesim e ringjallemi me Të, vishemi me Të, siç përsërit disa herë Shën Pali Apostull. Nga pagëzimi buron impenjimi për ta dëgjuar Jezusin, do të thotë për të besuar në Të e për ta ndjekur pas pa fjalë, duke bërë vullnetin e Tij. Në këtë mënyrë secili mund të synojë shenjtërinë, cak drejt të cilit – siç porosit Koncili II i Vatikanit, janë të thirrur të ecin gjithë të krishterët.
Kisha pra, kremton festën e Pagëzimit të Zotit. Kanë kaluar më se 2000 vjet që kur edhe Krishti vetë, ndonëse i pamëkat, deshi t’u afrohej brigjeve të Jordanit për të marrë pagëzimin e për t’u solidarizuar kështu me pendestarët në kërkim të shpëtimit të shpirtit. Me praninë e tij, Jezusi e shenjtëroi këtë rit. Kështu pagëzimi nuk do të ishte më thjeshtë pastrim, sepse përmes tij shpirti i Zotit vendos e ngul banesën e vet në atë person që e merr sakramentin. Ky gjest i Jezusit është pajtim hyjnor me gjininë njerëzore, pas mëkatit të rrjedhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.