Nota e Kongregatës për Doktrinën e Fesë me udhëzimet baritore për Vitin e Fesë. Atë
Geissler: kur zemra nuk digjet, feja nuk përçohet
U bë e njohur dje, Nota e Kongregatës për Doktrinën e Fesë me udhëzimet baritore për
Vitin e Fesë, shpallur nga Papa Benedikti XVI me Letrën Apostolike “Porta Fidei”.
Viti do të fillojë më 11 tetor, në 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit
dhe do të përfundojë më 24 nëntor 2013, në Solemnitetin e Zotit tonë Jezu Krisht,
Mbret i Gjithësisë. Ai përkon edhe me 20 vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike. Kisha
është e vetëdijshme për problemet, që duhet të përballojë feja në kohën e sotme dhe
e ndjen mëse aktuale pyetjen, që vetë Jezusi pati bërë: “kur të vijë Biri i njeriut,
a thua do të gjejë fe mbi tokë?” (Lk 18,8). Prandaj, siç tha Papa, duke i uruar Krishtlindjen
Kuries Romake, “nëse feja nuk përtërihet, duke u bërë bindje e thellë dhe forcë e
vërtetë, falë takimit me Jezu Krishtin, të gjitha reformat e tjera nuk do të kenë
rezultat” (Fjalimi për paraqitjen e urimeve të Krishtlindjes para Kuries Romake, 22
dhjetor 2011). Në Notën e përpiluar në bashkëpunim me dikastere të tjera të Vatikanit
dhe me Komitetin Përgatitor, nënvizohet se “Viti i Fesë synon të kontribuojë në kthimin
e zemrave kah Krishti dhe në rizbulimin e fesë, që të gjithë anëtarët e Kishës të
jenë dëshmitarë të besueshëm e të gëzuar të Krishtit të Ringjallur, të aftë t’u tregojnë
shumë njerëzve në kërkim, portën e fesë”. Propozimet e Notës paraqiten në katër
nivele: për Kishën Universale; për konferencat ipeshkvnore; për dioqezat e së fundi,
për famullitë, bashkësitë, shoqatat e lëvizjet kishtare. Por për natyrën e tyre, të
dëgjojmë përgjegjësin e Zyrës Doktrinore të Kongregatës për Doktrinën e fesë, atë
Hermann Geissler: Do të thosha se qëllimi i kësaj Note është i trifishtë: Qëllimi
i parë është t’i ndihmojë besimtarët të rizbulojnë thelbin e fesë, bazën e saj, takimin
personal me Jezu Krishtin, me atë Zot, që na do, na mbështet, na fal, na inkurajon
e na tregon të ardhmen e lavdishme. I dyti është t’i ndihmojmë të gjithë të rizbulojnë
kuptimin dhe dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Pak i njohin vërtet tekstet e
tij, që janë thesar. Synimi i tretë është rizbulimi i fesë në gjithë bukurinë e plotësinë
e saj. Këtu, mund të na ndihmojë shumë Katekizmi i Kishës Katolike. Cilat janë
propozimet baritore të Notës? Nota ofron shumë propozime: janë 40 e ndahen në
katër nivele, siç e përmendët edhe ju. Përsa i përket Kishës Universale, do të kemi
shumë veprimtari me pjesëmarrjen e Atit të Shenjtë. Për shembull, hapja e Vitit të
Fesë do të jetë një kremtim solemn, në kujtim të 50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit;
pastaj, Sinodi për Ungjillëzimin e Ri; simpoziumet e konferencat, që do të mbahen
në Romë me pjesëmarrje ndërkombëtare… Gjithnjë në nivelin e Kishës Universale, parashikohen
kremtime ekumenike, edhe solemne, me të gjithë të krishterët, për të ripohuar fenë
e përbashkët në Krishtin. Në nivelin e konferencave ipeshkvnore po përmend vetëm njërin
nga propozimet, atë të impenjimit për një katekizëm korrekt. Ai po përjeton një çast
krize, prandaj është e nevojshme të rinovohen librat e të përdoren gjuhë e teknologji
të reja. Përsa u përket propozimeve në nivelin dioqezan, u themi ipeshkvijve të shkruajnë
një Letër baritore për fenë, t’ua japin katekizmin të rinjve në katedrale e në kishat
e mëdha e të afrojnë me bukurinë e tyre të përshpirtshme, edhe ata që janë në kërkim
të Zotit. Një propozim tjetër është përtëritja e dialogut ndërmjet fesë e arsyes,
me impenjimin e universiteteve katolike. Ndërkaq, propozimi kryesor për famullitë
është shumë i thjeshtë: kremtimi i Eukaristisë ashtu si duhet, pasi Eukaristia është
Misteri i fesë e në të, vetë Jezusi na e përtërin fenë e na jep guxim, na përforcon
e na mbështet. Prej këndej duhet të lindin të gjithë inciativat e tjera: rinovimi
i katekizmit, shpërndarja e librave të Katekizmit, bashkëpunimi me lëvizjet e shoqatat
kishtare, në një bashkim të ri të të gjitha forcave të Kishës. Ndër sugjerimet
e veçanta për dioqezat, nota propozon “kremtime pendestare për t’i kërkuar falje Zotit,
sidomos për mëkatet kundër fesë”. A mund të na e shpjegoni më tej këtë pikë? Po,
feja është dhuratë e çmuar. E nëse është kështu, duhet ta vlerësojmë këtë dhuratë,
duhet ta pranojmë, duhet ta ushqejmë, ta përhapim, ta dëshmojmë. Por, nëse duam të
jemi vërtet të sinqertë, duhet të themi se në Kishë ka boshllëqe të mëdha në këtë
drejtim. Ka besimtarë, që nuk e njohin aspak fenë, që nuk e praktikojnë, që nuk u
intereson formimi në fe. Për të mos folur për dëshminë, e cila, as që ekziston fare:
kur zemra nuk digjet, feja nuk mund të përçohet. Duhet t’i pranojmë këto probleme
e më duhet të them edhe se ka katekistë e meshtarë, që nuk e paraqesin fenë të plotë,
me gjithë bukurinë e saj e madje, në disa raste, mbjellin dyshime e pasiguri. Këto
janë probleme të rënda. Në një pjesë të Kishës, është vënë theksi më tepër në përmasën
shoqërore, humanitare, e cila është e rëndësishme, por nganjëherë feja është vënë
në plan të dytë. Duhet ta pranojmë se kemi gabime edhe brenda Kishës. Sipas meje,
duhet ta kuptojmë edhe një herë se mëkatet kundër fesë janë shumë të rënda, janë shumë
të dëmshme për Kishën. Vetë Jezusi thotë: “Nëse kripa e humb shijen, për çfarë duhet?”.
Më duket një pyetje shumë serioze. Jezusi thotë edhe: “kur të vijë Biri i njeriut,
a thua do të gjejë fe mbi tokë?”. Duhet t’ia bëjmë vetes këto pyetje e me përvuajtëri,
duhet t’i kërkojmë falje Zotit për mëkatet kundër fesë, që kemi bërë.