Më 8 janar kujtojmë vjetorin e vdekjes së ipeshkvit imzot Ernest Çobës.
Më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari i fesë së krishterë, Imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv
i Shkodrës duke dëshmuar me qëndresë të pashoq Krishtin ndër tortura mizore, që ia
shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e grigjës që i qe besuar.
Ipeshkvi
shembullor, imzot Ernest Çoba lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare
shkodrane. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor të qytetit.
U shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor,
ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit.
Pas
vdekjes së Imzot Thaçit dhe arrestimit të Dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën
e zëvendës-famullitarit dhe të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë
që u shugurua në kohën më kritike për Kishën katolike në Shqipëri, kur bëheshin përpjekjet
për ta shkëputur nga Selia e Shenjtë. Në atë kohë, i vetmi ipeshkëv që ishte ende
gjallë e jo në pranga, Imzot Bernardin Shllaku, e shuguroi atë, së bashku me ipeshkvin
e Durrësit, Imzot Pjetër Demën më 20 prill të vitit 1952. Imzot Ernest Çoba merrte
në duar një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishterimit,
të cilët shumë shpesh e bënë edhe më të theksuar veprimtarinë e tyre si ungjillëzues
e dëshmitarë të Mësuesit Hyjnor e të Ungjillit të Tij, duke e vulosur misionin e tyre
shpirtëror me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit dhe
Kishës së të tij mbi tokë, me në krye Papën e Romës.
Pak kohë pas shugurimit
të tij, imzot Shllaku vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqeza e Tivarit,
kishte pasur pesë ipeshkvij të mëdhenj: Imzotë Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin,
Lazër Mjedën dhe Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol
i gjallë i dashurisë së krishterë, imzot Ernest Çobës.
Ja si e përshkruan ipeshkvi
ndihmës i Shkodrës, që mbijetoi nga persekutimi komunist, Imzot Zef Simoni në librin
e tij "Portrete klerikësh katolikë": " Imzot Coba kishte trup të shkurtë, sy të shkathët,
gjysmë të mshehun mbas syzeve të errta kur shërbente në kishë apo në zyrë. Kishte
cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun në shërbime,
deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë,
mbasi kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit, ndër koliba, tue
çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv, kur Kisha e madhe
gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet të madh e simpati,
sidomos ndërmjet të vorfënve. Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vegjël pranë
etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist i teologjisë morale dhe
i lëndëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të liturgjisë.
Nuk
mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani
të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një
grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej tyne, ashtu
si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të
gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme".
Në prag të mbylljes së Kishave e tempujve
nga regjimit komunist e ateist në Shqipëri, në një të diel të hidhur, derisa ishte
thirrur që të akuzohej nga regjimi diktatorial, u kthye në akuzues, duke mbajtur një
fjalim të fortë e bindës në mbrojtje të fesë në Zotin e sulmuar, e të Kishave në
prag të rrënimit të madh. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert e Kishave do
të mbylleshin nga komunizmi. Atëherë imzot Ernest Çoba u detyrua të kthehej pranë
familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist
e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur
lidhje me Selinë e Shenjtë të Vatikanit me anën e legatës italiane.
Vuajti
me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në
Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje
misterioze, - siç dëshmon në librin e lartpërmendur Imzot Zef Simoni.
Mbyllte
sytë pas një injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit
të Shën Ernestit. Për figurën e tij është shkruar disa herë, e sigurisht që do të
shërbenin shumë dëshmitë mbi qëndrimin ungjillor, heroik dhe fundin e jetës së tij,
që e flijoi për Fe e Atdhe.