Atë Lombardi: Udhëtimi i Papës në Meksikë shpresë për paqe kundër varfërisë e dhunës
Një nga veprimtaritë e Atit të Shenjtë për këtë vit, do të zhvillohet në mars, kur
Papa Benedikti XVI do të shkojë në Kubë e në Meksikë, në një udhëtim jashtëzakonisht
të rëndësishëm për të dyja vendet. Në këtë shtegtim apostolik përqendrohet komenti
i sotëm javor i zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë: “Në
ditën e parë të vitit të ri, ipeshkvijtë e Meksikës dhe ata të Kubës lajmëruan programin
e udhëtimit të Papës në këto dy vende. Nuk ka nevojë të tërheqim vëmendjen mbi etapen
kubane, meqenëse jubileu i Virgjërës së Caridad del Cobre kremtohet në një gjendje
të veçantë historike e politike të ishullit të madh karaibik, por është e drejtë të
flasim për arsyet e shumta e për domethënien e etapës meksikane për krejt kontinentin.
Jo më kot, ajo është e para e udhëtimit. Duke kremtuar më 12 dhjetor në
Shën Pjetër, solemnitetin e Zojës së Guadalupes, Papa e bëri të qartë dëshirën e tij
për të marrë pjesë në 200-vjetorin e pavarësisë së vendeve të Amerikës Latine. Foli
me zjarr për “rrugën e integrimit” të këtij “kontinenti të dashur” e për “protagonizmin
e tij në rritje në skenën botërore”, duke bërë të shihet horizonti i zhvillimit të
plotë njerëzor dhe i “misionit kontinental” të “ungjillëzimit të ri”. Kështu,
tani, vendosi të shkojë në vendin më të populluar hispanjol, për ta vazhduar kremtimin
së bashku me përfaqësuesit e episkopateve latinoamerikane, pikërisht në “Parkun e
Dyqindvjetorit”, ndërtuar kohët e fundit, në qendrën e saktë gjeografike të Meksikës,
në rrëzë të malit Cubilete, ku ngrihet shenjtërorja kombëtare e Krishtit Mbret, prej
nga mund të përqafohet shpirtërisht krejt vendi. Kush nuk preket nga dashuria
e meksikanëve për Papën? Nga entuziazmi i tyre kur vijnë ta takojnë në Romë? Kush
nuk e kujton pritjen triumfale që i patën bërë Gjon Palit II, në pesë udhëtimet e
tij, kur ishte gjallë e gjatë muajve të fundit, edhe si relike shtegtare në tokën
e tyre? 20 vjet më parë, duke lidhur marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë,
vendi njohu shpirtin e thellë katolik të popullit të vet. Papa Benedikti XVI e dinte
se duhej të shkonte në Meksikë e zgjodhi një zonë, ku Paraardhësi i tij nuk mundi
të shkonte. Është i njëjti mision, që vazhdon e zhvillohet. Udhëtimi i tij, qoftë
nxitje për kapërcimin e varfërisë e të dhunës, pruftë shpresë e paqe për Meksikën
e për gjithë Amerikën Latine”.