Dëgjues të nderuar, ia përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit.
Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore
të dielës, që këtë radhë bie në përkim me solemnitetin e Pagëzimit të Jezu
Krishtit në lumin Jordan. Këto ditë jemi kthyer në Betlehem sepse ndjenim urgjencën
dhe nevojën për të shikuar, për të vështruar e dëgjuar edhe një herë mësimin e Krishtit:
mësimin e Tij të parë të madh. E është gjë e bukur të bëjmë edhe një herë udhën e
fesë e të besimit drejt Betlehemit, pse me siguri pak dritë na ka mbetur në sy e në
zemër. E ndërsa festa e Krishtlindjes largohet, mendoj se në çdonjërin prej nesh
lind një nostalgji e madhe: në të vërtetë, të gjithë jemi ende shumë larg shpirtit
të Betlehemit, nga i cili nuk na mbetët tjetër përpos një nostalgjie përvëluese të
zjarrtë të një Krishtlindjeje të re për të kuptuar më tepër dhe për të jetuar më shumë
propozimin e udhës së shpëtimit nga Zoti. Koha ecën me të shpejt, fluturon e ne
nuk mund të heqim dorë nga detyra e shqyrtimit dhe të kundrimit të tërë jetës së Krishtit
në dritën e Shkrimeve të Shenjte biblike. E kështu, Ungjilli i kësaj së diele të solemnitetit
Pagëzimit të Jezusit, na sjell përgjatë lumit të Jordanit e na paraqet Gjon Pagëzuesin,
tashmë të rritur, i cili pagëzon, pret, përgatitet dhe përgatit zemrën e njerëzve
për takimin aq të pritur me Krishtin Shëlbues. Gjon Pagëzuesi, sikur dëgjojmë nga
tregimi ungjillor, pa frikë, paralajmëron të gjithë njerëzit se Zoti është afër: “Po
vjen pas meje, një më i fortë se unë” (Mk 1,7). Këto fjalë i thotë edhe për ne për
të na mbushur më gëzim e për të na përkujtuar se kuptimi i jetës dhe i çdo gjëje është
pikërisht në këto fjalë e këtu: Zoti vjen! Jeta është pritje e Zotit. Këndej të jetosh
do të thotë të presësh Zotin; të vdesësh do të thotë mos pritje më e Zotit. Gjoni
shton: “Unë nuk jam i denjë të përkulëm as për t’ia zgjidh lidhëzat e këpucëve të
tija” (Mk 1,7). Të zgjidhësh të mbathurat ishte detyrë e skllavit!. Gjoni e ndjen
kaq fortë distancën midis nesh e Zotit, e nuk gjen tjetër figurë apo imazh për të
treguar habinë, mrekullimin e vet dhe tërë gëzimin e vet para Zotit që bëhet i afërt.
Po të mund të përjetonim edhe ne ndjenjat e Gjonit. Po të mund të provonim edhe
ne mrekullimin dhe gëzimin para asaj që shohim e para asaj që dëgjojmë në këtë moment!
Sikur të mund të ndjenim tërë madhështinë e të qenurit të krishterë e atë të takimit
të Zotit, në saje të mëshirës së Tij Hyjnore që ka ndaj nesh falas. Feja ka nevojë
për madhështi, për mrekulli, sepse feja është dhuratë. Mirëpo madhështia e mrekulli
lindin nga përvujtëria e përvujtëria përherë është parakusht në të cilin njeriu mund
të takojë Zotin në Jezu Krishtin. Pagëzimi i Jezusit është një ngjarje e veçantë
të cilën Liturgjia na paraqet pas festës së Epifanisë. Në Pagëzimin e tij në lumin
Jordan, Jezusi e përuron jetën publike, e nis misionin e shpëtimit për mbarë njerëzimin. Liturgjia e Fjalës Lexim prej Librit të Isaisë profet (Iz 55,1-11) “Ngushëllojeni,
ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni
atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej
dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.” Një zë lëshon
kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet
e Tënzot. Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër
le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta le të bëhet e rrafshët: do të zbulohet hiri i Zotit,
atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!” Ngjitu
mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin e mirë Sionit; grihe me gjithë fuqi zërin
tënd, ti që i sjell lajmin e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju
qyteteve të Judës: “Ja, Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron
krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu
e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes.”
Fjala e Zotit! Nga Ungjilli i Shenjtë sipas Markut (Mk 1,1-11)
Në
atë kohë, Gjoni predikonte e thoshte: “Pas meje po vjen Ai që është më i fortë
se unë, të cilit nuk jam i denjë të ulem as për t’i zgjidhur lidhëset e sandaleve:
Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do ‘ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë”. Gjatë
atyre ditëve erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në Jordan. Menjëherë,
ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin e Shenjtë si një pëllumb
duke zbritur mbi të. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: “Ti je Biri im i dashur.
Me ty jam i kënaqur!” Fjala e Zotit! E tani ju ftojmë ti dëgjoni leximet
biblike të solemnitetit të Pagëzimit të Krishtit e pastaj komentin e leximeve biblike....