2012-01-06 18:09:42

Papa në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit: ipeshkvijtë, sipas shembullit të Mbretërve Dijetarë, të jenë të përvuajtur e t’u prijnë besimtarëve kah drita e Krishtit.


Ashtu si Mbretërit Dijetarë të Lindjes, ipeshkvijtë duhet të jenë plot me guxim e me përvujtëri. Është një nga porositë, që dha Papa në Meshën e sotme, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, solemnitet të cilin e quajti “Festa e dritës”. Gjatë kremtimit, Ati i Shenjtë shuguroi dy ipeshkvij të rinj: Nuncin Apostolik të Irlandës, imzot Çarl Xhon Braun dhe atë të Gjeorgjisë dhe Armenisë, Marek Solzhinski. Në ritin e shugurimit, kryesuar nga Papa, bashkëkremtuan kardinajtë Tarçizo Bertone e Jozef Uiljam Levada. Gjatë ritit, kandidatët i paraqiti kardinali Mark Ojè, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë.RealAudioMP3

Shqetësimi i zemrës përshkoi fund e krye reflektimin e Papës, kushtuar Mbretërve, Dijetarëve të kësaj bote, që arrijnë në Betlehem, të udhëhequr nga kometa, për ta adhuruar Jezusin, menjëherë pas barinjve, njerëzve me shpirt të thjeshtë. Të mëdhenj e të vegjël, mbretër e shërbëtorë, njerëz të të gjitha kulturave e të të gjithë popujve, ngarendin kah Foshnja, për ta pranuar si Zot. Mbretërit ishin njerëz të shkencës, tha Benedikti XVI, që dëshironin të dinin gjithnjë më shumë, t’i jepnin përgjigje pyetjes së përjetshme të njeriut e të mbarë njerëzimit: “Cila është gjëja, që vlen më tepër për zemrën njerëzore?”:
“Ishin njerëz me zemër të shqetë. Nuk kënaqeshin me atë që duket, që është e zakontë. Ishin njerëz në kërkim të premtimit, në kërkim të Zotit. E ishin njerëz vigjilentë, të aftë për t’i dalluar shenjat e Zotit, për ta kuptuar gjuhën e tij të urtë e ngulmuese. Por ishin edhe njerëz guximtarë, e njëheresh, të përvuajtur, e; mund ta marrim me mend se nuk shpëtuan as nga talljet, nga që po shtegtonin kah Mbreti i Judenjve, duke përballuar, për këtë takim kaq të dëshiruar, pengesa, vështirësi, lodhje”.
Lodhje, që Mbretërit e mbartën pa u ankuar, sepse ishin në kërkim të së vërtetës, në sa vijonin të shtegtonin në një udhe të gjatë e të paqartë. Të gjitha këto janë tiparet themelore të shërbimit ipeshkvnor, theksoi Papa:
Edhe ipeshkvi duhet të jetë njeri me zemër të shqetë, që nuk kënaqet me gjërat e zakonshme të kësaj bote, por ndjek shqetësimin e zemrës, e cila e shtyn t’i afrohet shpirtërisht gjithnjë më tepër Zotit, të kërkojë Fytyrën e Tij, ta njohë gjithnjë e më shumë, ta dojë gjithnjë më tepër”.
Zemra e ipeshkvit duhet të jetë jo vetëm e shqetë, por edhe vigjilente, e aftë për ta dalluar atë që duket, nga ajo, që është e vërtetë. Ipeshkvi, shtoi Benedikti XVI, duhet të ketë përvujtërinë të përulet para këtij Zoti, që u bë aq konkret e aq i thjeshtë, sa t’i kundërvihet kryelartësisë sonë të trashë, e cila nuk do e nuk do ta shikojë Zotin, kaq pranë, e kaq të vogël:
“Edhe ipeshkvi duhet të jetë përplot me guxim e përvujtëri, njeri që nuk pyet ç’thotë për të opinioni sundues, por ecën në rrugën e së vërtetës së Zotit e për të edhe impenjohet, pa u shqetësuar në se shikohet si njeri i arsyeshëm apo i bezdisshëm”.
E është edhe një aspekt tjetër, mbi të cilin Papa nguli këmbë, duke nënvizuar karakteristikat e shërbimit ipeshkvnor: lutja e vazhdueshme, që do të thotë të mos e humbasësh kurrë lidhjen e ngushtë me Zotin, sepse vetëm ai, që e njeh personalisht Zotin, mund t’u prijë edhe të tjerëve kah Ai i Lumi.
Pastaj Benedikti XVI u rikthye tek zemra e shqetë, zemër që, në fund të fundit, nuk kënaqet kurrë, me asgjë , përveç Zotit, e pikërisht kështu bëhet zemër, që di të dojë:
“Zemra jonë është e shqetësuar në përpjekjen për të shkuar drejt Zotit, e mbetet e tillë, edhe pse sot me ‘narkotikët” shumë të efektshëm, bëhen përpjekje për ta çliruar njeriun nga ky ankth. Por jo vetëm ne, qeniet njerëzore, jemi të shqeta në lidhje me Zotin. Edhe zemra e Zotit është e shqetë, në lidhje me njeriun. Zoti na pret! Zoti na kërkon”.
Apostujt, nënvizoi Papa, ishin të aftë ta mirëprisnin shqetësimin e Zotit për njeriun e t’ia çonin vetë Zotin njerëzve e, prej këndej, ipeshkvijve u kërkohet të ecin në gjurmët e tyre; ta pranojnë me gjithë zemër shqetësimin e Zotit, në mënyrë që dëshira e zjarrtë e Zotit për t’u takuar me njeriun, të përmbushet plotësisht:
“Ylli i madh, Ylli më i Ri, që na prin, është vetë Krishti. Ai është, figurativisht, shpërthim i dashurisë së Zotit, që e bën të shkëlqejë mbi botë vezullimin e zemrës së tij”.
Kështu Mbretërit Dijetarë u bënë “konstelacione të Zotit”. Në shpirtin e tyre, ashtu si në shpirtin e shenjtorëve, takimi me fjalën e Zotit shkaktoi një shpërthim të vërtetë drite, përmes së cilës, drita e vetë Zotit e ndriçoi mbarë botën. Ashtu si Dijetarët, ipeshkvijtë janë të thirrur të jenë “yjet e Zotit" për njerëzit, t’u prijnë në udhën drejt Dritës së vërtetë, drejt Krishtit. Duke pranuar shërbimin meshtarak e ipeshkvnor, ata ndjekin Yllin Jezu Krisht:
“Vultis ergo, fratres carissimi…
Në përfundim të homelisë, Papa u dha sakramentin e shugurimit ipeshkvnor Nuncit Apostolik të Irlandës, imzot Çarl Xhon Braun dhe atij të Gjeorgjisë dhe Armenisë, Marek Solzhinski.
Benedikti XVI u dorëzoi ipeshkvijve të rinj Ungjillin, mitrën e shkopin baritor, simbole të shërbimit të tyre ipeshkvnor.










All the contents on this site are copyrighted ©.