2012-01-06 17:05:39

Njoftim i Papës: më 18 shkurt do të mblidhet Koncistori për emërimin e 22 kardinajve të rinj.


Sot, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë, Benedikti XVI njoftoi se më 18 shkurt do të mbajë një koncistor, për krijimin e 22 kardinajve, 18 nga të cilët, me të drejtë zgjedhore. 16 nga kardinajtë e rinj janë evropianë; 7 italianë, 4 nga Amerikat, 2 nga Azia. Në katekizmin e Solemnitetit, para njoftimit për kardinajtë, Papa nënvizoi se Dëftimi i Zotit na mëson se vetëm Jezu Krishti mund t’i japë njerëzimit dritën e domosdoshme, që ndriçon udhën.RealAudioMP3
“Me gëzim të madh njoftoj se, më 18 shkurtin e ardhshëm, do të mbaj një koncistor, në të cilin do të emëroj 22 Anëtarë të rinj të Kolegjit Kardinalor”.
Ky ishte njoftimi i rëndësishëm i Benediktit XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot të Solemnitetit të Dëftimit të Zotit. Papa kujtoi se kardinajtë kanë për detyrë ta ndihmojnë Pasardhësin e Shën Pjetrit në kryerjen e shërbimit të tij, për t’i përforcuar vëllezërit në fe e për të qenë zanafilla dhe themeli i unitetit e i bashkimit në Kishë. Më pas, vetë Papa lexoi emrat e kardinajve të rij, duke nisur nga kardinajtë me detyra në Kurien Romake:
Imzot FERNANDO FILONI, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve;
Imzot MA’NUEL MONTEIRO DE CASTRO, Kryependestar;
Imzot SANTOS ABRIL Y CASTELLÓ, Kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Marisë së Madhe;
Imzot ANTONIO MARIA VEGLIÒ, Kryetar i Këshillit Papnor të Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët;
Imzot GIUSEPPE BERTELLO, Kryetar i Komisionit Papnor për Qytet-Shtetin e Vatikanit dhe Kryetar i Governatoratit të të njëjtit Shtet;
Imzot FRANCESCO COCCOPALMERIO, Kryetar i Këshillit Papnor për Tekstet Ligjore;
Imzot JOÃO BRAZ DE AVIZ, Prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe për Shoqëritë e Jetës Apostolike;
Imzot EDWIN FREDERIK O'BRIEN, Pro-Mjeshtër i Madh i Urdhërit Kalorësiak të Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit;
Imzot DOMENICO CALCAGNO, Kryetar i Administratës të Pasurisë së Selisë Apostolike;
Imzot GIUSEPPE VERSALDI, Kryetar i Prefekturës për Çeshtjet Ekonomike të Selisë së Shenjtë;
Lista vijon me kardinajtë, që i shërbejë dioqezave të ndryshme nëpër botë:
Fortlumturia e Tij, GEORGE ALENCHERRY Kryeipeshkëv i Madh i Ernakulam - Angamaly i Siro-Malabarezëve në Indi;
Imzot THOMAS CHRISTOPHER COLLINS, Kryeipeshkëv i Torontos (Kanada);
Imzot DOMINIK DUKA, Kryeipeshkëv i Pragës (Republika Çeke);
Imzot WILLEM JACOBUS EIJK, Kryeipeshkëv i Utrecht (Vendet e Ulëta);
Imzot GIUSEPPE BETORI, Kryeipeshkëv i Firences (Itali);
Imzot TIMOTHY MICHAEL DOLAN, Kryeipeshkëv i Nju Jorkut (SHBA);
Imzot RAINER MARIA WOELKI, Kryeipeshkëv i Berlinit (Republika Federale e Gjermanisë);
Imzot JOHN TONG HON, Ipeshkëv i Hong Kongut (Republika Popullore Kineze);
Fortlumturia e Tij, LUCIAN MUREŞAN, Kryeipeshkëv i Madh i Făgăraş e Alba Iulia-s të Rumunëve (Rumani).
Së fundi, tre kardinaj të rinj nga bota akademike:
Imzot JULIEN RIES, Meshtar i Dioqezës së Namyr e Profesor nderi i historisë së feve pranë Universitetit Katolik të Luvën;
Atë PROSPER GRECH O.S.A. (Urdhëri i Shën Agostinit), Docent nderi i disa Universiteteve romake e Këshilltar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë;
Atë KARL BECKER, S.I., Docent nderi i Universitetit Papnor Gregorian;
Para se të jepte njoftimin për Koncistorin, Papa foli për Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, duke nënvizuar se e gjithë Koha e Krishtlindjes përshkohet nga tema e dritës:
“Jezusi është dielli, që u duk në horizontin e njerëzmit, për të ndriçuar jetën personale të secilit nga ne e për të na prirë të gjithëve së bashku drejt cakut të shtegtimit tonë, drejt tokës së lirisë e të paqes, në të cilën do të jetojmë përgjithmonë, në bashkim të plotë me Zotin e me të afërmin”.
Kisha, tha Papa, është e thirrur të ngrihet në këmbë e të vishet përsëri me dritën e Zotit. Vërejti, në vijim, edhe se bota, me të gjitha pasuritë e saj, nuk është në gjendje t’i japë njerëzimit dritën e nevojshme, për t’i treguar rrugën e drejtë:
“E vërtetojmë këtë edhe në ditët tona: qytetërimi perëndimor duket se e ka humbur drejtimin, lundron mes mjegullës. Por Kisha, në sajë të Fjalës së Zotit, shikon përmes mjegullnajave. Nuk ka rrugëzgjidhje teknike, por e mban syrin ngulur në drejtim të cakut e u ofron dritën e Ungjillit gjithë njerëzve vullnetmirë, të çdo kombi e kulture”.
Në përfundim, Benedikti XVI uroi Kishat Lindore të cilat, sipas Kalendarit Julian, e kremtojnë nesër Krishtlindjen.
E një urim, tejet të përzemërt, pjesëmarrësve në procesionin historiko-folkloristik të Dëftimit të Zotit.
Së fundi, një mendim për ditën e sotme, kushtuar Veprës Papnore të Fëmijëve:
“Të dashur fëmijë e të rinj! Zemra juaj të jetë e hapur për botën, ashtu si Zemra e Jezusit, por mos harroni të jeni të vëmendshëm edhe për atë, që jeton pranë jush, gjithnjë të gatshëm për t’ia shtrirë dorën”.









All the contents on this site are copyrighted ©.